Elisa Spiropali

Vizita e Spiropalit në Shtëpinë e Bardhë me tone të mëdha politike

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një vizitë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku është pritur nga Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Europën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Sipas njoftimit, takimi është fokusuar në thellimin e partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe në rolin e ri të Shqipërisë si anëtare themeluese e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes”, një iniciativë që është paraqitur si pjesë e një qasjeje të re amerikane për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit. Spiropali ka deklaruar se përfaqësimi i Shqipërisë në këtë iniciativë “e ripozicionon vendin si kontribuues aktiv në çështjet e sigurisë dhe paqes” dhe rrit nivelin e bashkë-koordinimit me SHBA-në. Ajo ka theksuar gjithashtu se Bordi i Paqes synon të funksionojë si “Bord Veprimi” për zgjidhje të qëndrueshme të konflikteve, ndonëse nuk janë bërë publike ende detaje konkrete mbi strukturën dhe kompetencat e tij. Ministrja ka njoftuar edhe për përfshirjen e Shqipërisë si anëtare inauguruese në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), në përputhje me planin 20-pikësh të Presidentit Trump për Gazën, duke e paraqitur këtë si dëshmi të rolit të Shqipërisë si eksportuese stabiliteti dhe sigurie. Në takim është konfirmuar gjithashtu gatishmëria për mbajtjen e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik Shqipëri–SHBA, që synon thellimin e bashkëpunimit në sektorët ekonomikë, tregtarë, energjetikë dhe zhvillimorë. Megjithatë, përtej deklarimeve politike, mbetet të shihet se cilat do të jenë rezultatet konkrete dhe implikimet praktike të këtyre nismave të reja.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin trepalësh në fushën e mbrojtjes

Në bazë të Deklaratës së përbashkët trepalëshe, të nënshkruar në vitin 2025 nga ministri i …