Monika Stafa: Kosova, nën morinë e njëmijë e një kufijve!

 


Me shkas nga një konferencë ndërkombëtare me titull: “Letërsia shqipe dhe Kosova”.
Mendje të sëmura po projektojnë që Kosova të ketë si gjuhë letrare gegërishten e njësuar dhe koha të vendosë pastaj se nga do të shkojë tradita letrare gegërishte e Shqipërisë shtetërore: me toskërishten standard apo me gegërishten e re.
Në fakt, këto nuk janë më fantazi. Tani po thuhet për shembull se letërsia e Kosovës do të ketë historinë e vet dhe nuk ka pse studiohet në historinë e letërsisë shqipe.
Me një fjalë, kufiri politik nuk mjafton, tani duhet të ndajmë letërsinë dhe gjuhën. Puna po shkon deri te pyetjet: Kujt i takon Bogdani, kujt i takon Gjon Nikollë Kazazi, kujt i takon Gjeçovi, Kosovës apo Shqipërisë?!
Kufijtë që tentohen për t‘u vënë në letërsi janë pjesë e mendësive të bunkerizuara që mbijetojnë edhe në kohërat e sotme.
Kemi dy shtete, por a kemi një atdhe të vetëm, një komb, një gjuhë, një letërsi?! Nëse kemi një atdhe të vetëm, ky nuk mund të jetë një atdhe prej harte, por një atdhe shpirtëror, dhe atdheu shpirtëror s‘ka se si të ndahet në copa e pjesë, s‘ka se si njëra anë t‘i kërkojë hesap tjetër, sepse Shqipëria letrare është tjetër prej gjeografisë politike të re e të vjetër të Ballkanit.

Një seminar ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare po zhvillohet në Prishtinë dhe nga gjasat kuptohet të jetë ngjarja më e rëndësishme kulturore e vitit. Gjatë dy javëve mblidhen së bashku albanologë nga e gjithë bota, si dhe të tjerë studiues të shumicës së fushave të dijes shqiptare. Problemet janë ato që u propozojnë organizatorët.
Dhe jo pa qëllim në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit (1908), kongresit që vendosi përfundimisht përdorimin e alfabetit latin në shkrimin shqip dhe njësimin fonetik të gjuhës sipas parimit “një tingull – një shkronjë”, studiuesit pritet të paraqesin rezultatet e kërkimeve të tyre rreth temës “Letërsia shqipe dhe Kosova”. Kjo është tema që kanë zgjedhur “paria” e rrudhur.
Nuk është dhe aq e vështirë për ta kuptuar pse është zgjedhur kjo temë. Mjafton ta shtrosh çështjen në formë pyetëse:
– Sa e pranishme është Kosova në letërsinë shqipe?
– Domethënë, sa i ka kryer detyrat e veta atdhetare letërsia shqipe, sidomos ajo e Shqipërisë shtetërore?
– Edhe më saktë: Pse Kosova, përveç “Poemit kosovar” të Kutelit, “Lumit të vdekur” të J. Xoxës, “Krushqit janë të ngrirë” të Kadaresë, nuk del gjëkundi në letërsinë shqipe të pasluftës?
Ngado që ta rrotullosh kuptimin e kësaj teme, në thelbin e vet ajo ka diçka paditëse: Letërsia shqipe i ka detyrime historike Kosovës, e cila është e papranishme në zhvillimet e saj të gjysmëshekullit të fundmë, sepse, në fund të fundit, realizmi socialist ishte letërsi e mbështetur mbi parimin e internacionalizmit dhe vetvetiu e përjashtonte nacionalizmin!
Pikërisht pse kuptimi i kësaj teme në mendjen time qysh në fillim u lexua si një kurth, disa muaj më parë u pata propozuar organizatorëve të merrja pjesë me një kumtim me titullin “Një Kosovë e panjohur në publicistikën politike për përdorim të brendshëm”. Rreth këtij argumenti do të parashtroj në fund të këtij muaji një varg burimesh që provojnë se Kosova nuk është aq e papranishme në letrat shqipe sa mendohet ose dëshirohet prej disave.
Ndoshta organizatorët e këtij seminari temën “Letërsia shqipe dhe Kosova” e kanë zgjedhur për t‘u dhënë rast vullnet-sëmurëve për të tentuar që tashmë, duke qenë dy shtete, vende fqinj me njëri-tjetrin, me simbole kombëtare e shtetërore të ndryshme, me kryeqytete dhe salltanete të tjera më vete, të na “provojnë” se ka ardhur koha t‘i kërkojmë hesap njëri-tjetrit se sa e kemi dëshmuar atdheun në letërsi. Ç‘anakronizëm!
Në fakt kjo pikëpamje nuk është dhe aq e re në diskutimet shqiptare. Dihet mirë se cila qe psikoza e fillimit të viteve 1990 ndaj “Shqipërisë londineze”: pati deri pohime të çuditshme, sipas të cilave jo më E. Hoxha, por edhe I. Qemali e kish pasë shitur Kosovën, sepse Shqipërisë i ka interesuar të flijojë gjysmën për të shpëtuar veten, me qëllim që të jetë tërësisht e rrethuar nga vetvetja!
Tema e sivjetshme e seminarit ndërkombëtar të albanologjisë e ka një përgjigje: Kosova nuk është e pranishme në letërsinë e re shqipe. Madje Lasgushit ia kanë censuruar vargun “Drini plak e i përrallshëm që mburon prej Shëndaumi”, sepse ky Drini i Lasgushit kalonte “mespërmes kësaj Shqipërie”. Kutelit poemi iu ndalua, Kokalari u dënua, Jakov Xoxa “u internua” në një skaj të Myzeqesë. Me një fjalë, letërsia shqipe nuk ka pasur shqetësime kombëtare. Duke mbledhur ca fakte të tilla impresionuese ka shumë mundësi që në fund të seminarit të formohet një ide e përgjithshme se jo vetëm politika shqiptare, E. Hoxha, shteti shqiptar komunist, por edhe letërsia zyrtare shqiptare e ka tradhtuar Kosovën, e ka përjashtuar si objekt letrar.
Prandaj mendoj e besoj se tema “Letërsia shqipe dhe Kosova” është anakronike. Është një qasje apo sjellje sociologjike, si në kohën e shkuar. Ky formulim, përveç qëllimit paditës, sjell në krahasim dy nocione që janë krejt të pavarura nga njëra-tjetra, ato nocione që zakonisht quhen “faction & fiction”. Letërsia, qëkurse ka lindur, është zhvilluar si “realitet i dytë”, domethënë si “fiction” dhe kemi mësuar se suksesi i një letërsie varet nga fuqia e saj për të qenë e ndryshme prej realitetit.
E shprehur më thjesht, tema që do të mbledhë albanologët kësaj here do të riformulohej kështu: “Kosova në realitet dhe në letërsi”. Domethënë, ku kanë qenë shkrimtarët e “Shqipërisë londineze” në kohën kur Kosova mbeti në ish-Jugosllavi. Në jetën e popujve shpesh lokalizmi loz njëfarë roli nxitës. Ndër shqiptarët kjo ndjenjë lokalizmi e rajonalizmi shfaqet në shprehjen e rëndomtë kur dy veta të një qyteti thonë se “ne jemi patriotë me njëri-tjetrin”. Mirëpo kur psikologjia lokaliste vjen e bëhet kriter për të gjykuar një letërsi, anakronizmi shumëfishohet.
Në një botë që shkon me shpejtësi drejt ndërvarësisë, vlerave globale shpirtërore, dijetarët shqiptarë kërkojnë në letërsinë e tyre krahina, rajone, sa vend ka njëra gjysmë dhe sa vend ka gjysma tjetër, sikur letërsia të jetë një odë burrash ku çdo fis ka vendin e vet!
Si për koincidencë, këtë vit, në Paris, është organizuar një konferencë shkencore kushtuar gjeografisë letrare, gjeografisë historike dhe gjeografisë simbolike në veprën e I. Kadaresë. Nëse do të donim të krahasonim konceptin perëndimor për shqyrtimin e të dhënave toponomastike në një vepër letrare me temën e sivjetshme të seminarit ndërkombëtar të Prishtinës do ta kishim të pamundur. Sepse janë dy koncepte krejt të papajtueshme. Studiuesit perëndimorë tentojnë të çkodifikojnë, për shembull, Tabir Sarajin, Rrapshin, qytetin pa reklama, Rrugën e Dibrës dhe broadway-sët e saj, por jo të kërkojnë çmendurisht simetri midis letërsisë dhe realitetit, sa fotografike është letërsia ndaj realitetit, a është e gjithë Shqipëria shtetërore brenda saj, pse nuk është po aq dhe Kosova. Ndërsa në seminarin e gushtit të këtij viti, studiuesit janë vënë para përgjegjësisë pikërisht për të dhënë llogari pse letërsia shqipe e ka harruar Kosovën dhe pse ata që shkruan për të, u dënuan. Nëse do të ndiqej kjo vijë arsyetimi “për të nxjerrë përgjegjësi”, atëherë do të duhej që puna të nisej nga ajo letërsi që është zhvilluar brenda Kosovës vetë, nga ajo letërsi që ka gur e asht, lis e gjak, dhe shumë simbole të tjera enigmatike, por jo njeriun e Kosovës, ashtu si ai ka aspiruar ndër dekada!

Me sa duket, tani ka ardhur koha që të ngjallen ndjesi e psikoza të sëmura, që nuk duhet të na bëjnë të habitemi. Kosova ka brenda vetes (por ka mjaft mbështetës edhe në “Shqipërinë londineze”) një faktor kulturor që synon ta bëjë tjetër. Më shkurt, ajo është e duhet të jetë tjetërsoj nga Shqipëria. Nismat për të standardizuar një gjuhë letrare tjetër, nuk kanë munguar. Prej kohësh flitet madje dhe për një “dardanishte hipotetike”, domethënë për një burim parashqiptar të së folmes së Kosovës, që është i ndryshëm prej ilirishtes.
Mendje të sëmura po projektojnë që Kosova të ketë si gjuhë letrare gegërishten e njësuar dhe koha të vendosë pastaj se nga do të shkojë tradita letrare gegërishte e Shqipërisë shtetërore: me toskërishten standard apo me gegërishten e re. Në fakt, këto nuk janë më fantazi. Tani po thuhet për shembull se letërsia e Kosovës do të ketë historinë e vet dhe nuk ka pse studiohet në historinë e letërsisë shqipe. Me një fjalë, kufiri politik nuk mjafton, tani duhet të ndajmë letërsinë dhe gjuhën. Puna po shkon deri te pyetjet: Kujt i takon Bogdani, kujt i takon Gjon Nikollë Kazazi, kujt i takon Gjeçovi, Kosovës apo Shqipërisë?!
Mendjet e zhvilluara të njerëzimit shkojnë me parimin se vlerat shpirtërore, ndryshe prej vlerave ekonomike, sa më shumë bashkësive e individëve t‘u jepen, aq më shumë shtohen e nuk pakësohen. Nuk janë vetëm Shqipëria dhe Kosova të vetmet që janë dy shtete – një gjuhë. Ka një letërsi gjermane, megjithëse kufiri e ndan tri herë gjermanishten: me Austrinë, me Zvicrën dhe me Gjermaninë vetë. Disa dekada më parë e ndante në katër pjesë. Por askujt nuk i pati shkuar ndërmend që të ndalonte Gjermaninë të studionte Rilken apo Zvicrën të studionte Brehtin. Kufijtë që tentohen për t‘u vënë në letërsi janë pjesë e mendësive të bunkerizuara që mbijetojnë edhe në kohërat e sotme.
Seminari, sigurisht, do të zhvillohet. Disa do të përpiqen të provojnë se Kosova është më e pranishme se sa duket në letërsinë shqipe. Disa të tjerë ndoshta do të përpiqen të përligjin me rrethanat historike pse Kosova nuk është aq e pranishme dhe sigurisht do të dënojnë realizmin socialist dhe letërsinë e kohës së komunizmit. Nuk pritet që problemi të shtrohet parimisht, që “fiction & faction”, realiteti dhe letërsia, vetëm prej mendjesh të gjymta mund të vihen në krahasim. Por themelorja është se sa do të shtrohet problemi kyç: kemi dy shtete, por a kemi një atdhe të vetëm, një komb, një gjuhë, një letërsi?! Nëse kemi një atdhe të vetëm, ky nuk mund të jetë një atdhe prej harte, por një atdhe shpirtëror, dhe atdheu shpirtëror s‘ka se si të ndahet në copa e pjesë, s‘ka se si njëra anë t‘i kërkojë hesap tjetër, sepse Shqipëria letrare është tjetër prej gjeografisë politike të re e të vjetër të Ballkanit.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …