(Kadrush Radogoshi: Adem Jashari dhe vdekja, dramë, Rilindja, Prishtinë, 2001)
Në vend të hyrjes: një parantezë socio-kulturore
Në diskursin e kritikës për shoqërinë shqiptare dy nga togfjalëshat më të përdorur në dhjetëvjetëshin e fundit janë: ,,mungesa e vlerave” dhe ,,anarkia e kritereve të vlerësimit”. Këta togfjalësha zbatimin e vet e gjetën si në rastin e shqyrtimit të fenomeneve shoqërore, po ashtu edhe në rastin e shqyrtimit të fenomeneve kulturore. Në qoftë se është i saktë konstatimi se në praktikën shoqërore qenia shoqërore është ajo që përcakton qenien individuale, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për qenien kulturore, sepse kultura vepron sipas ligjshmërive të brendshme dhe nuk i nënshtrohet plotësisht qenies shoqërore, sepse me fuqinë e të qenët realitet autonom ka predispozitën për ta transcendentuar realitetin. Por, nga ana tjetër, kultura është qenie e varur në kuptimin e prodhimit dhe ekzistencës së saj si fakt shoqëror dhe historik. Prandaj, në domenin korrelativ të këtyre dy aspekteve të jetës njerëzore, të kulturës dhe të shoqërisë, mungesa e sistemit të vlerave dhe anarkia e kritereve të vlerësimit në njërin plan, në kontekstin e përballjes me një maksimum fenomenesh në një minimum kohor, në mënyrë metastazike është bartur në planin tjetër, duke reflektuar, kështu, krizën e identitetit të qenies individuale dhe qenies kolektive.
Pa hyrë në shqyrtimet e teorive të ndryshme në lidhje me këtë çështje ne do të përqendrohemi në anarkinë e kritereve të vlerësimit për fenomenet shoqërore dhe ato letrare nga këndvështrimi empirik i perceptimit të këtyre fenomeneve në jetën shoqërore e atë letrare. Rast në vete i përmbysjes së kritereve të vlerësimit për fenomenet praktike shoqërore, siç është rezistenca ndaj pushtuesit serb, janë vlerësimet e disa ,,analitikëve kritikë” për shoqërinë shqiptare, që mbështeten në metodën semiologjike. Sado që shumë teoricienë të letërsisë e sociologjisë, konstatojnë se zbatimi i metodës semiologjike për shqyrtimin e fenomeneve shoqërore nuk mund të japë rezultate të duhura, megjithatë ,,filozofët” tanë, duke u futur labirinteve të të menduarit semiologjik, më shumë të yshtur nga dëshira për të thënë diçka në mënyrë të re, sesa për të nxjerrë konkludime me vlerë, nuk ngurruan të sjellin edhe përfundime të tilla se gjoja në ditët e robërisë së thellë sllave më domethënëse e më mobilizuese na qenka shfryrja e emocioneve ,,kundër Serbisë” në një rok koncert të organizuar nga të rinjtë (me lejen e pushtetit kolonial serb në Kosovë), sesa qëndrimi madhështor i të rinjve shqiptarë nëpër gjykatat e Kosovës, që dënoheshin për shkak se angazhoheshin për kryengritje të armatosur për realizimin e idealit të çlirimit kombëtar. Një logjikë e tillë perverse ndërtohej mbi bazën e abstrahimit të kategorisë së të madhërishmes morale, e cila e provokon unin tonë që të matet me aktin e të sakrifikuarit. Prandaj, e madhërishmja morale, kjo armike e ndërgjegjes së mykur të robit, në vështrimet analitike të filozofëve tanë në kohë robërie, në këtë mënyrë shpallej, ,,persona non grata” për shoqërinë tonë.
Ndërkaq në planin letrar shumë vepra në të cilat ,,dëshmohej krimi” i ushtruar nga të tjerët ndaj qenies shqiptare, në jetën letrare, nga kritikët tanë, u shpallën të pavlera. Një fat të tillë e pat edhe vepra ,,Gjarpinjtë e gjakut” e Adem Demaçit. Meqenëse pesha e qëndresës së Demaçit nëpër burgjet serbe, sipas bindjes së këtyre kritikëve të shndërruar në politikanë, ,,tanimë ishte devalvuar”, Demaçi si politikan ,,tanimë ishte i tejkaluar”, duhej që edhe si shkrimtar medoemos të devalvohej, të skajohej diku në një terr të padukshëm të jetës shqiptare, një herë e përgjithmonë, përderisa Serbia nuk dëshironte ta skajonte në qelitë e burgjeve të veta. Anasjelltas çdo vepër që përqeshte në mënyrë denigruese e cinike vlerat morale të paraardhësve tanë në luftë kundër pushtuesve të ndryshëm si dhe aspiratën për të qenë të lirë, në emër të postmodernes, në emër të kultivimit të vetëdijes kritike moderne etj. etj., shpallej si vepër që ka shënuar kthesë në letërsinë shqipe, ku përcaktimi tipologjizues ,,postmodern” bëhej kategori e vetëmjaftueshme që një vepre t’i atribuohej edhe karakteri i saj vleror.
Mbi këtë bazë thuajse janë krijuar dy taborre kundërshtare në mendimin kritik për letërsinë shqiptare: ata që konsiderojnë si vlerë çdo eksperiment në pikëpamje të strukturës dhe ideshmërisë, dhe ata që vlerën e veprës letrare e shohin në një ndërlidhshmëri dialektike të aspektit ontologjik dhe gnoseologjik duke vështruar, në këtë rast, si faktor të rëndësishëm edhe faktorin receptiv, pra faktorin lexues. Një nga krijuesit, vepra e të cilit shquhet në pikëpamje të ideshmërisë për qëndrimin afirmues ndaj vlerave me të cilat është e ndërlidhur e qenmja jonë, për kundërvënien e vlerave të larta morale ndaj meskinitetit shoqëror, dinjitetit përballë poshtërimit, biofilisë përballë nekrofilisë, intelektualizmit përballë psudointelektualizmit, patriotizmit përballë pseudopatriotizmit – është edhe Kadrush Radogoshi. Në gjithë veprën e tij poetike dhe romanore këto antinomi ekzistenciale janë mjaft prezente, për të mos thënë se përfaqësojnë përbërësin kryesor me funksion konstituiv në veprat e tij imagjinare. Një gjë e tillë mund të provohet me veprën ,,Në mes heshtjes dhe këngës”, ,,Në udhëkryq”, Nekrologji për Sodomën”, ,,Jeta artistike e Ilir Shkretës”, ,,Heraldika e pikëllimit”, ,,Homo Dardanikus” dhe tash së fundi në dramën ,,Adem Jashari dhe vdekja”.
Vepra dramatike ,,Adem Jashari dhe vdekja” e Kadrush Radogoshit, prandaj mund të thuhet, se është shkruar pikërisht në sensin e përgjegjësisë së shpalosjes së vlerave më të larta njerëzore në luftë kundër barbarisë, në një kontekst socio-kulturor e politik, antagonist deri në shkallën e mohimit të këtyre vlerave. Por, përgjegjësia e shkrimtarit Kadrush Radogoshi ndaj vlerave praktike shoqërore, nuk ka arritur që t’ia zhdavarisë vëmendjen ndaj përgjegjësisë estetike, që gjatë aktit krijues, çdo shkrimtar i mirëfilltë, duhet ta ketë ndaj publikut.
Fakticiteti / fiksioni – aspekti receptive
Edhe pse materiali i veprës dramatike ,,Adem Jashari dhe vdekja” ndërtohet mbi personazhet reale të historisë sonë më të re, megjithatë vija e demarkacionit në mes fiksionit dhe fakticitetit është më se e dukshme. Prerja distinktive në mes të realitetit faktik dhe atij fiktiv në pikëpamje horizontale shtrihet në materialin dramatik, ndërsa në aspektin vertikal mbi parimet me të cilat ndërlidhen njësitë më të vogla të këtij materiali brenda tërësisë së veprës. Në veprën ,,Adem Jashari dhe vdekja” figura e Ademit të aksionit, të veprimit konkret, që na është bërë i njohur dhe tanimë ka hyrë përjetësisht në orbitën e frymës së ekzistencës sonë kombëtare, është transformuar në Ademin e mendimit, ndërsa aksioni vetëm sa shenjohet në fund të aktit të dytë dhe të tretë, si moment i vënies së kufirit në mes ,, të iluzionit të realitetit fiktiv” dhe ,,iluzionit të realitetit faktik”. Ndërkaq, lidhja e të gjitha pjesëve të këtij materiali dramatik realizohet mbi parimin e ,,imitimit të së vërtetës fiktive” e cila, me funksionin e saj receptiv, orientohet drejt strukturës së imagjinatës me qëllim të vënies në lëvizje të strukturës së arsyes sonë. E gjithë kjo ndodh, sepse gjatë procesit krijues autori është udhëhequr nga logjika mitologjizuese e jo ajo historike. Mbi parimin e poesisit autori krijon materialin letrar, i cili nuk është pjesë e të vërtetës ekzistuese të historisë së rezistencës sonë më të re në mbrojtje të dinjitetit dhe të çlirimit kombëtar, por përmes mjeteve simboliko-alegorike shpërfaq një realitet të ri, i cili e transcendenton realitetin ekzistues historik. Është kjo arsyeja se të gjithë ata lexues që udhëhiqen nga ajo vetëdije receptive, e cila kërkon nënshtrimin e ligjshmërive të brendshme letrare të së vërtetës reale historike e jetësore, do të mund të zhgënjehen, sepse në veprën dramatike ,,Adem Jashari dhe vdekja” nuk do ta gjejnë atë realitet empirik të flijimit të Jasharajve. Pikërisht se vështirë do të zgjonte tek lexuesi interesin për vlerën më të madhe njerëzore – ndjenjën e gatishmërisë për t’u flijuar për ideale të larta – duke shfrytëzuar një figurë, e cila nuk është e njohur, autori, duke marrë parasysh se sakrifica e Jasharajve është e përmasave mitike, ndërsa është krejt reale, shfrytëzon figurat reale të rezistencës sonë më të re: Shaban, Adem dhe Hamëz Jasharin, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Iliaz Kodrën dhe Bekim Berishën; si mishërim të vetëdijes për sakrificë dhe dinjitet njerëzor e kombëtar.
Vetë dominimi i logjikës mitologjizuese në procesin krijues shpie kah krijimi i simboleve, me funksion të krijimit të modalitetit receptiv të identifikimit admirues, me ç’rast fiksioni artistik shpaloset si e vërtetë e brendshme ekzistuese e recipientit. E vërteta e flijimit artistik të Jasharajve, e dhënë në dramën ,,Adem Jashari dhe vdekja”, është e natyrës konceptuale dhe si e tillë i drejtohet arsyes së recipientit për rregullat e vullnetit të heroit në një proces njohjeje situatash metafizike në ballafaqim me tre tipat e vdekjes, e jo edhe për aftësinë e vullnetit të heroit për veprim, siç ndodh në tragjedinë antike.
Pse mund të thuhet kështu? Në veprën e Kadrush Radogoshit ,,Adem Jashari dhe vdekja” heroi nuk vuan nga ndonjë ,,faj tragjik”. Ai nuk kalon prej lumturisë në fatkeqësi si, p.sh., Edipi i Sofokliut, ku për pasojë, identifikimi i recipientit me heroin realizohet mbi parimin e katarsisit. Ballafaqimi i Ademit me variantet e vdekjes është i paracaktuar dhe përfaqëson aspektin racional të identifikimit të publikut me qëndrimin moral të heroit në tri situata ballafaqimi me tri vdekje të ndryshme. Në këtë rast identifikimi i recipientit me heroin realizohet mbi parimin e poezisit, si energji produktive e përvojës estetike që reflekton ndjenjën e të madhërishmes estetike, ku uni subjektiv merr distancë nga objekti estetik. Prandaj, pas receptimit të veprës, recipienti nuk do ta shtrojë pyetjen se ,,a e ka merituar heroi një fat të tillë, a ka pasur zgjidhje tjetër?etj.,”, por pyetja do të jetë ,,Kush dhe çfarë jam unë në raport me vlerat e madhërishme?!”.
Kodi simboliko – alegorik / struktura e veprës
Tema e dramës ,,Adem Jashari dhe vdekja” është flijimi, si akt më i lartë moral në luftën për lirinë njerëzore. I gjithë materiali dramatik i veprës ,,Adem Jashari dhe vdekja” realizohet mbi kodin simboliko-alegorik të flijimit. Mbi këtë bazë ideja abstrakte e dashurisë për jetën, e biofilisë, e flijimit, e lirisë, etj., shndërrohet në trajtën e figurave konkrete si: Shaban, Adem e Hamëz Jashari; ndërsa ideja e nekrofilisë, e vullnetit për nënshtrim, e egoizmit, e tanatosit personifikohet me Vdekjen I dhe II. Kur themi ,,alegorik” kemi parasysh se ideja e flijimit, e lirisë, e dashurisë për jetën, qëndron në një masë të madhe e pavarur nga figura, dhe si e tillë përfaqëson kufijtë e ideve asociative, përkundër simbolit, në të cilin ideja dhe figura janë në një tërësi të pandashme, ku simboli i vë në lëvizje dhe i mban në lëvizje idetë, me ç’rast çdo shndërrim i figurës do të thotë edhe metaforizim i idesë. Në veprën ,,Adem Jashari dhe vdekja”, pavarësisht nga nuancat përmbajtësore, struktura ideore e aktit të flijimit, alegorikisht e transformuar në figurën e Adem Jasharit, e gjen natyrashëmn ekuivalencën me aktin e flijimit nga mitologjia deri në historinë më të re, ku, përmes dialogëve të personazheve vihen paralelizma mes strukturave analoge ideore të aktit të flijimit: si flijimi i Prometeut, Eskulapit, Azem Bejtës, Ahmet Delisë, Tahir Mehës etj.
Në qoftë se thuhet se liria përfaqëson bazën e arritjes së plotënisë së ekzistencës njerëzore, atëherë esencë dhe rrugë e vetme në arritjen e kësaj plotënie është sakrifica, flijimi. Heroi i dramës ,,Adem Jashari dhe vdekja”, Adem Jashari, jepet në një kontekst të përballjes me luftën për ,,lirinë nga…”, si shkallë kulmore e arritjes së lirisë së brendshme, si hap vendimtar drejt ,,lirisë për…”, të arritjes së lirisë së jashtme në një situatë kërcënimi të lirisë nga jashtë, të ballafaqimit me fallangën serbe. Sado që ligjërata e personazheve të veprës karakterizohet për përdorim të ngjeshur të shprehjeve të përpunuara stilistiko-leksikore, përmes së cilës fuqizohet toni himnizues i idesë së flijimit si akt i domosdoshëm për arritjen e lirisë, megjithatë vënia e personazhit në momentin e mbrojtjes së ,,lirisë nga…”, domethënëë të lirisë së brendshme, e shpëton autorin në punë të tipizimit të personazheve në frymën e patosit romantik. Prandaj, veprimi i brendshëm, e jo ai i jashtëm, përfaqëson substancën e harmonizimit të të gjitha shtresave, edhe të përzgjedhjes së trajtës së ligjërimit, gjë kjo që realizohet mbi bazën e prosedeut lirik.
Pse mund të thuhet kështu? Në qoftë se aspirojmë të bëjmë një përcaktim zhanror mbi kriterin e veprimit, e i cili në këtë vepër është i natyrës së brendshme, atëherë demetaforizimi i tre tipave të vdekjes, në aspektin psikoanalitik, do të mund të konceptohej si ndërndeshje e tri sferave të personalitetit: idit, egos dhe superegos. Adem Jashari dhe Vdekja e Bukur, përfaqësojnë aktin e harmonizimit të plotë të superegos me dy sfera tjera. Vështruar nga ky kënd, vepra dramatike ,,Adem Jashari dhe vdekja”, në pikëpamje të përcaktimit zhanror, mund të thuhet se anon kah monodrama, si lloj i veçantë i dramës. Në punë të përcaktimit zhanror të veprës ,,Adem Jashari dhe vdekja”, gjithsesi, kriteri i veprimit ndeshet me kriterin e personazheve. Derisa në monodramë kemi paraqitjen e botës së brendshme të një personazhi, vepra ,,Adem Jashari dhe vdekja” hapet me monologun e Orakullit të Dardanisë, ndërsa në aktin e parë përmes tipit të dialogut linear mes Hamzës, Ademit dhe Shabanit e më pastaj edhe të Orakullit të Dardanisë, paraqitet gjendja faktike e atdheut në ditët e robërisë, domethënë paraqitet atmosfera e jashtme. Edhe futja e personazheve të tjerë në epilog, si: Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Iliaz Kodrës, Bekim Berishës; flet për atmosferën e jashtme në një shkallë të lartë mobilizimi me vullnetin e gatishmërisë për t’u flijuar. Janë këto elemente që në pikëpamje të strukturës kompozicionale, këtë vepër e bëjnë t’i shëmbëllejë strukturës së tragjedisë antike, por që në esencë natyra e tragjikës, si kategori estetike, nga ajo antike, në këtë vepër dallon mjaft. Kështu, në pikëpamje të kompozicionit, dialogët e personazheve në ,,Aktin e parë” dhe ,,Epilogu” kanë funksion të njëjtë me ,,korin” e tragjedive antike, si vetëdije supreme përballë kundërthënieve antagoniste që zhvillohen në tragjedi. Nga ana tjetër, kur themi se natyra e tragjikës në këtë dramë ndryshon nga tragjika klasike, kemi parasysh atë se derisa personazhet në tragjedinë klasike janë bartës të pavetëdijshëm të ,,faji tragjik”, ku mundësia e tyre për zgjedhje në një situatë kundërthënëse është tejet e kufizuar, apo edhe nuk ekziston fare, te ,,Adem Jashari dhe vdekja” heroi ynë kombëtar Adem Jashari që në fillim jepet i përcaktuar në zgjedhjen e vetë. Zgjedhja për t’u flijuar është një akt i vetëdijshëm. Në dialogët konstatues të Shabanit, Ademit dhe Hamzës për atmosferën e ngulfatur nga barra e robërisë në ,,Aktin e parë”, si dhe pas profecisë së Orakullit të Dardanisë, shuhet çdo dilemë rreth ligjit të domosdoshmërisë së flijimit, i cili del i harmonizuar me strukturën psikologjike të personazheve. Prandaj, derisa heronjtë në tragjeditë antike përpiqen me çdo kusht t’i shmangen profecive të orakujve që profetizojnë përfundimin tragjik të tyre, përkundrazi, në dramën ,,Adem Jashari dhe vdekja” heroi vihet në funksion të përmbushjes së profecisë së Orakullit të Dardanisë.
Njësia tematike e përmbushjes së profecisë është një nga komponentët çelës që përcakton edhe vetë strukturën e dialogëve në tekstin dramatik. Derisa në ,,Aktin e parë” dhe ,,Epilogun” struktura e tekstit realizohet mbi tipin e dialogut linear, të shtruar, me ç’rast përmes gojës së personazheve identifikohen shkaqet dhe pasojat e gjendjes së rëndë të atdheut, në ,,Aktin e dytë” dhe ,,Aktin e tretë”, struktura e tekstit ndërtohet mbi bazën e tipit të dialogut replikë, ku ndodh ndeshja e pakompromis e ideve dhe koncepteve për natyrën e qenies dhe ekzistencës njerëzore, por edhe rruga e shpëtimit, e mbrothësisë dhe lumturisë. Në funksion të tipizimit karakterologjik të Vdekjeve janë vënë edhe përcaktorët si: ,,Vdekja qyqare” ,,Vdekja e ligë”, por edhe ,,Vdekja e Bukur” që është antipodi i dy të parave. Antonimet karakterologjike brenda tekstit nuk mbeten vetëm në nivelin e emërtimit, por ato shtrihen edhe në planin sintagmatik dhe paradigmatik të të folurit të tyre si personazhe, ku shpalosen asociacione dhe reminishenca filozofike, kulturore, historike,, mitologjike që ndërlidhen me temën e lirisë dhe domosdoshmërinë e flijimit, në njërën anë, dhe kotësinë e nënshtrimit, nga ana tjetër.
Si përfundim mund të themi se Adem Jashari me aktin e flijimit të tij tanimë, ka hyrë në skenën e madhe të historisë më të lavdishme të popullit tonë. Ndërkaq, për veprën ,,Adem Jashari dhe vdekja” i mbetet detyrë teatrove tona që të krijojnë hapësirë në skenat e tyre.
Kontrolloni gjithashtu
Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa
Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …