Mr. Kadri Rexha: BALADË PËR TOKËN E DJEGUR

( Çast me këngën “Prej Prokupje deri në Nish”, kënduar nga rapsodi Dervish Shaqa) 

Kënga “Prej Prokupje deri në Nish” radhitet në mesin e kryeveprave të epikës sonë historike. E krijuar afërsisht para dyqind vjetësh kjo këngë është kënduar thuaja nga të gjithë rapsodët e shquar shqiptar. E kënduar me një patos heroik e elegjiak dhe e shoqëruar me rrëfime dhe komente rrënqethëse kjo këngë ka hyrë dhe është bërë pronë e çmuar e çdo familjeje sa ka arritur të bëhet pjesë e vetëdijes dhe e shpirtit të mbarë kombit. Varësisht nga rrethanat kohore dhe mjedisore kjo këngë është kënduar në solo, në duet dhe në grup, por kulmin e realizimit si tekst, si melodi dhe si mesazh e ka arritur në interpretimin e shkëlqyeshëm të këngëtarit të papërseritshëm, rapsodit virtuoz Dervish Shaqa. 
Kënga epike historike, përkatësisht balada historike, “Prej Prokupje deri në Nish” me temën e madhe të luftës dhe me motivin e saj patriotik, dinjitetshëm e hapë ciklin e rëndë të këngëve kushtuar mbrojtjes së tërësisë tokësore të atdheut. Në aspektin artistik kjo këngë karakterizohet për një poetikë të pasur dhe për një strukturë të veçantë të thurjes. E mbrujtur me një gradacion të theksuar veprimi, me një ekspresivitet këlthitës aktiv, me tension e shqetësim tronditës që të mban pa frymë, me vertetësinë historike të qëndresës dhe të heroizmit të pashoq të mbrojtësve të atdheut, me një sintezezë dhe përgjithësim mahnitës poetik, me ritmikë të theksuar të vargut, me mesazhin liridashës të shkrirë në emocion të papërmbajtur, në vetëvete kënga përmban dramën e copëtimit të Atdheut dhe gjëmën e vazhdueshme të tragjedisë së përgjakshme kombëtare shqiptare. 

1. Kënga “Prej Prokupje deri në Nish” vjen si jehonë luftërave shqiptaro-serbe të dhjetëvjeçarëve të fundit të viteve të shekullit XVIII, të atyre të fillimit të shekullit XIX si dhe atyre të viteve 1876-1878. Nëpërmjet një këngëtimi të ngjeshur epik, kjo këngë evokon një realitet të rëndë historik që përkon me luftërat Ruso-Turke dhe me fillimin e zgjërimit të Serbisë në tokat shqiptare. Ndonëse temë qëndrore e këngës është “lufta heroike e shqiptarëve për mbrojtjen e shqiptarësisë së viseve të Sanxhakut të Nishit të Vilajetit të Kosovës, më 1809”,1) thelbi i këngës mbart klithmën dhe gjëmën njëqindvjeçare të qëndresës dhe të përpjekjeve të shqiptarëve për mbrojtjen e qenies dhe të trojeve shekullore. 
Me tekstin dhe me melodinë unike kënga evokon ato vite të paharruara për popullin shqiptar kur një e treta e trojeve tona etnike po laheshin me gjak, po digjeshin me themel, po grabiteshin pa mëshirë, po zhbëhëshin kombëtarisht dhe me dhunë po i aneksoheshin Serbisë. Ishte ajo kohë kur me strategjinë e tokës së djegur, me gjenocid dhe etnocit të hapur, Serbia e ndihmuar nga Rusia dhe Evropa bëri pastrimin etnik të Toplicës dhe të Sanxhakut të Nishit, dëboi me dhunë rreth 350.000 shqiptarë autokton, rrafshoi me zjarr afro 700 fshatra e qytete shqiptare dhe vrau dhe masakroi barbarisht rreth 70.000 shqiptarë. Lidhur me gjenocidin serb dhe gjëmën shqiptare të asaj kohe vajton pikëllueshëm një pjesë e folkorit tonë, flet me dhimbë në shpirt kujtesa e popullit të shpërngulur dhe të mbetur përjetësisht muhaxhirë, dëshmon vrazhdë dokumentacioni i shkruar që ka arritur deri në ditët tona. Emërues i përbashkët i rrëfimeve të trishtuara të asaj kohë janë operacionet shfarosëse serbe, zjarri dhe pushka serbe mbi një popullatë të tërë të pa armatosur, vrasjet në masë, dëbimet me dhunë, grumbujt e kufomave të djegura, fshatarët e varur në lisa, pleqët, gratë dhe fëmijët në ikje, të ngrirë nga acari anëve të rrugëve, katundet e plaçkitura e të rrafshuara me tokë… 

2. Kënga “Prej Prokupje deri në Nish” me përmbajtjen e thellë e të gjërë ideoemocionale pasqyron një nga kapitujt më tragjik të historisë tonë kombëtare, pasqyron përpjekjet luftarake të shqiptarëve për mbrojtjen me gjak të trojeve etnike autoktone nga ushtria serbe si dhe klithmat e fundit të shqiptarëve të dëbuar nga vatrat stërgjyshore. Në këngë pasqyrohet pozita tragjike e popullit shqiptar, i cili, ndonëse autokton në trojet e veta, për shkak të besimit jo krishterë, ishte izoluar dhe ishte dënuar me vdekje nga Fuqitë e Mëdha duke mbetur i vetmuar dhe pre në gojën e ujkut dhe në mëshirën e duarve të përgjakura të fqinjëve grabitçar. Përmes vargjeve të kursyera tejmase kënga i bën jehonë mobilizimit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve të të gjitha trevave të Shqipërisë së Veriut, të cilët, të organizuar bajraqe-bajraqe, nën komandën e Maliq Pashës, si gjithmonë po i përgjigjeshin thirrjes së atdheut të rrezikuar për zhbërje. Kënga hapet me një tablo të gjerë të atmosferës së kohës ndërsa me aktet e madhërishme të luftës që zhvillohen në vijim ajo formon një afresk epik mahnitës. Vërtetësia historike e ngjarjeve si dhe mesazhi emocionues i vargjeve paraqet bazën realiste dhe vlerën e njëmend poetike të këngës. Është hera e parë që në një këngë si kjo Shqipëria del në skenë kaq madhështore dhe kaq e vendosur në detyrën e shenjtë të mbrojtjes së trungut të saj: 

Ugurolla, moj Shqypni 

Me veprimin e saj të vendosur Shqipëria po ngrihej jo vetëm në skenën kombëtare por edhe në skenën e madhe gjeopolitike ndërkombëtare. Vargu nam madh, vargu kushtrimuar, urues dhe shpresëdhënës, “Ugurolla, moj Shqypni”, për nga pesha figurative shprehëse afrohet me vargun poetik “Erdhi dita e Arbërit” me të cilin De Rada, në “Këngët e Milosaos”, simbolikisht e hapë skenën epike të epokës së ndritshme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Përmes vetëm pak vargjesh koncize të këngës gjeniu popullor ka arritur ta shprehë solidaritetin dhe mobilizimin e pashoq të kombit në ditë rreziku. Parandjenja e humbjes së trojeve të atdheut, që si ogur i zi e përshkon tërë këngën, popullin shqiptar e ngriti në luftë mbrojtëse në nivel kombi. Ashtu si në realitetin e kohës edhe në këtë këngë gjithçka shqiptare vihet në lëvizje. Ushtria mbrojtëse nën organizimin e bajraqeve të të gjitha trevave çanë përpara, përmes mjegullës së kohës, marshon tymit të pushkës: 

Prej Prokupje deri në Nish 
Shqypnia shkojke fushes 
Na e mbuloj tymi i pushkës
Shqypnija shkojke fushës
Na e mbuloj tymi i pushkës
Kënga nuk ka fabulë e as hero të mirfilltë. Rolin e fabules dhe të protagonistit të këngës e personifikon Shqipëria, ndërsa Zeqir Llausha, si personazh historik dhe artistik i këngës, simbolizon shpirtin dhe sakrificën e luftëtarit të lirisë, përkatësisht shpirtin dhe moralin e lartë të popullit. Maliq pashë Gjinolli, edhe pse kryekomandat lufte, në këngë është figurë statike. Si shqiptar me origjinë dhe kontraverz në veprime, në këtë këngë ai nuk manifeston asnjë veprim konkret. Në një motërzim të kësaj kënge ky personazh stigmatizohet dhe ironizohet pamëshirë nëpërmjet vargjeve: “Pushka e Dan Zatriqit/ Nami i Pashë Maliqit”. Në këngë parakalon edhe suita e Dervishëve, roli i të cilëve është lutja që shqiptarëve t’u ecën lufta mbarë. 
Kënga evokon një luftë të madhe dhe të pabarabartë. Një luftë ballë për ballë, fyt për fyt dhe perq për perq… Në këtë këngë gjeniu popullor nuk merret me forcën e kampit armik e as shquan ndonjë personazh nga ana e armikut. Lidhur më forcën e armikut informacionet dalin tërthorazi: qëndresa mbinjerëzore shqiptare dëshmon se armiku është në epërsi të madhe. Epërsinë shumë dimensionale të forcave serbe e dëshmon edhe historia. Ato në krah kanë Rusinë. Në ndihmë kanë Turqinë e dobësuar që për ta shpëtuar kokën bën tregti me toka shqiptare. Por shqiptarët, si gjithmonë, për t’u dalë zot me çdo çmim trojeve të të parëve, sulmojë pa përfillur forcat e armikut, luftojnë pa përfillur vendimet e perendive tokësore. Kënga rrëfen për një luftë vendimtare, për një luftë ekzistenciale, për një luftë të jesh o të mos jesh në kohë dhe hapësirë, për një luftë ku dimensioni i Atdheut merr kuptim real. Beteja zhvillohet në përmasa epike sa nga tymi i barutit nuk shihen as flamujt e luftës. Lufta merr përmasa të mëdha. Kënga me pak fjalë japë pamje të gjëra beteje. Përleshje. Kacafytje. Llogore të mbushura me gjak. Thirrje prijësish. Frymën luftarake në rritje. Sulme të reja. Bajraqet që lëvizin përpara. Luftëtarë që sulmojnë mbi armikun. Prej sulmit në sulm. Prej llogorit në llogor: 

Kur i ramë llogorit t’parë 
Me qafirin ballë për ballë… 
Kur i ramë llogorit t’dytë 
Me qafirin fyt për fyt…. 
Kur i ramë llogorit t’tretë 
Me qafirin perq për perq… 
Bini, djem, dushmanit 
Për hatër t’Vatanit… 

Në këto çaste të rënda për luftëtarët e Atdheut kënga shkon më tej. Objektivi i këngëtarit popullor ndalet te luftëtari Zeqir Llausha. Kënga në këtë rast, përmes tri pamjeve epike, portreton figurën legjendare të heroit: në pamjen e parë Zeqir Llausha shihet në fushën e betejës duke sulmuar, në të dytën si rezultat i luftës mbinjerëzore vigani i ka mbushur me gjak tri llogore, ndërsa në pamjen e tretë ai skalitet si permendore madhështore me flamur të rënduar nga gjaku. Nëse kënga mjaftohet me një informacion të kursyer për heroin, kujtesa popullore rrëfen se Zeqir Llausha në ketë luftë po merrte pjesë si ushtar shumë i ri, si djalosh që ende nuk i kish rënë brisk fytyrës. Në çastin kur Bajraktari i Llaushës bie heroikisht në sheshin e betejës, Bajraku i fisit gjendet në duart e njoma të Zeqirit. Flamuri i luftës duhej të ngrihej sërish, duhej të trashëgohej. Sipas traditës Bajraku mund të mbahet vetëm në dorë burri, në mustaqet e të cilit mund të qëndrojë krehëri. Këtë pengesë, Zeqir Llausha e tejkalon me lehtësi e guxim. E merr krehërin, e ngulë në mish mbi buzën e epërme, në vendin e mustaqeve, dhe me Bajrakun e përgjakur në dorë çanë përpara në sulm: 

Hajde, hajde, Zeqir Rezalla 
Mos i del bajrakut përpara 
Bajraku i Zeqirit 
S’po dahet prej tymit 

Në vazhdim kënga sjell skena të tjera. Skena epike… Dhe secila skenë është më tronditëse se tjetra… Sulme dhe kundërsulme. Gjak… gjak… dhe rënie heroike në emër të Vatanit. Të Vatanit që po copëtohet . Të Vatanit që po pushtohet… Të Vatanit që po humbet… Thirrje… Kushtrim… Sulm… Në gjak janë larë trimat. Me gjak janë mbushur llogoret… Nga gjaku janë rënduar flamujt: 

Hajde, hajde, Zeqir Llausha 
Tre llogore në gjak i mbushe 
Ço Zeqir bajrakun 
S’mund po e luej prej gjakut… 

Në evokimin e kësaj lufte të shenjtë dhe të pabarabartë, si rrallë herë në raste kësisoji, inkuadrohet edhe muza popullore. Inkuadrimi i saj në këngë simbolizon urdhërin e Komandantit, urdhërin e Atdheut dhe urdhërin e Zotit fuqiplotë. Ndaj refreni i këngës, i ripërsëritur thuaja pas çdo strofe, tingëllon aq natyrshëm, aq njerëzor dhe aq hyjnor: 

Bini, djem, dushmanit 
Për hatër t’Vatanit… 

Dhe trimat sulmojnë si luaj. Dhe trimat bien në sulm njëri pas tjetrit. Dhe luftëtarët e lirisë po bëheshin kurban të trojeve të atdheut. Dhe gjaku i derdhur det po merrte formën e Tapisë së përjetshme të trojeve që po grabiteshin nga armiku. Ndaj para rrebeshit barbarë edhe bajraqet e Atdheut zunë të lëkunden. Ata nuk ngulën më… nuk zënë vend kund… 

Prej Prokupje deri në Nish 
Na u mbush fusha plot dervishë 
Dervishlerët po luten 
Bajraqet s’po ngulen… 

Fundi i këngës është tragjik ashtu siç qe tragjik fati i një të tretës së Atdheut tonë. Qëndresa dhe flijimi shqiptar ranë para forcës ruso-serbe. Në këtë rast ra edhe Nishi, ra Piroti, ra Toplica, ra Kosanica, ra Qupria, Pllana, Krusheci, Leskoci, Gurdulica, Vranja, Përkupja, Kurshumlia,… Qëndresa dhe flijimi ranë, por amaneti dhe gjëma e rreth 700 fshatrave shqiptare të djegura me themel mbetën të jetojnë amshueshëm në ndërgjegjen e brezave: derdhëm gjak deri në pikën e fundit, atdheun nuk e falëm as e shitëm… na dogjën, na pushtuan dhe na dëbuan më forcë… Dhe gjëma e asaj zezone dëgjohet kudo edhe sot: në male, në fusha, në lumenj, në gjakun e secilit shqiptar… Thonë: amanetin nuk e tretë dheu. 

3. Kënga “Prej Prokupje deri në Nish” është perlë e vërtetë e letërsisë sonë popullore. “Në këtë këngë tipike thirravaje shqiptare, këngëtari anonim popullor ka derdhur tërë gjenialitetin krijues, si në përmbajtje ashtu edhe në ritmikë gradative të këndimit, në këndim vaji dhe heroizmi. Kjo është mbase e vetmja këngë shqiptare këngë e vaj, vaj e këngë, mall për jetë e gjak për vdekje…”2) E frymëzuar dhe e krijuar në çastet dramatke të pushtimit të një pjese të atdheut kjo këngë edhe sot e ruan freskinë, bukurinë dhe harmoninë e përkryer. Me vlerat e larta ideoestetike si dhe me theksin e shquar luftarak e mobilizues kjo kënge, si krijim aristik, nëpër kohë e ka luajtur rolin e dëshmuar historik. Me këtë këngë Dervish Shaqa, si edhe rapsodët tjerë, përgatiti dëgjuesit e vet për një kohë që duhej të vinte, me këtë këngë ai trokiti në dyert e ndërgjegjës së fjetur të shqiptarëve, me këtë këngë ai mobilizoi popullin për sfida të reja… Sepse programet serbe për shfarosjen e shqiptarëve ende ishin në veprim… Sepse tojet e copëtuara shqiptare me padurim prisnin mendjen dhe pushkën e bijëve të vet për veprim drejt bashkimit. Sepse Flamuri Kombëtar priste të valojë cep me cep të Shqipërisë Etnike… 
Tregojnë se këtë këngë Dervish Shaqa e ka dashur shumë. Edhe si tekst edhe si melodi. Dhe, për mrekulli, në programin e repertoarit të tij, këtë këngë ai gjithmonë e ka lënë për në fund. Këtë veprim Rapsodi e ka arsyetuar me këtë mëndim: “Ajo kangë do shumë za. Kangëtari lodhet. Prandaj edhe e len për në fund”.3) 
Në këtë pohim ka një të vertetë të madhe: sa besim mitik po aq edhe filozofi reale. Është e vërtetë se kënga do shumë zë. Është vërtetë se gjatë interpretimit këngëtari lodhet tejmase. Por është edhe një e vërtetë tjetër të cilën Rapsodi e di por nuk e thotë dot: kjo këngë aq sa e lodhë këngëtarin po aq e dërmon edhe dëgjuesin. Kënga fillon me vargun apostrofues dhe personifikues “Ugurolla (me fat na qoftë) moj Shqypni” dhe kulmon me vargjet refren të përsëritura nga dy herë “Oooo bini, djem, dushmanit / Për hatër o t’Vatanit, aiiiiiiii….” Dhe pasthirrmat “aaiiiiiiii….” dhe “ëëheeeeeeee…”, ngjashëm me ison e këngëve polifonike të Jugut marrin ngjyrën e vajtimit, të një vajtimi të përjetshëm ilirian që të ngritë në sferat e panjohura të ndjenjës e të mendimit dhe të zbret ngadalë në realitetin kohor duke të lënë pa frymë… 
Të përkujtojmë, Dërvish Shaqa ka kënduar këngë me të shkurtëra dhe aso me tekste shumë më të gjata. Ai ka kënduar këngë emocionuese të lirikës sonë më subtile dhe këngë të përgjakshme epiko-legjendare të eposit të kreshnikëve. Ka kënduar heroizmin legjendar të Oso Kukës dhe, me lotë të valë, ka vajtuar fatin e zi të Avdi Hysës të plaçkitur dhe të vrarë nga malazezët… 
Ka kënduar për namin e Marash Palit në sarajet e Pashës në Shkodër dhe për qëndresën e paepur të Kamber Loshit të rrethuar nga Serbia në një kasollë të mbuluar me kashtë… Dhe askund ai nuk e cekë lodhjen… Dhe askund ai nuk e kujton ligështimin… 
Po, vallë, çka paska atëherë më tepër kënga “Prej Prokupje deri në Nish” që Rapsodi po e lëka për në fund të programit..? Në këtë rast Rapsodi heshtë, ashtu siç heshtim edhe ne dëgjuesit e këngës. Rapsodi qanë në vete, ashtu siç qajmë në heshtje edhe ne dëgjuesit e kësaj kënge… Sepse, në heshtje, pa dallim, pajtohemi të gjithë se kjo këngë në zemrën tonë është gur varri i një pjese të atdheut tonë të djegur e të pushtuar. Sepse e ndiejmë të gjithë se kjo këngë në qenien tonë simbolizon varrezën kolektive të 700 fshatrave shqiptare të shkretëruara barbarisht nga dora serbe. Sepse në ndërgjegjen tonë të vrarë kjo këngë troket si gjëmë dhe si amanet ende i pa përmbushur… 

– 1) Dr.Muhamet Pirraku, Topi i Zeçir Keçinës kundër Jashar Pashë Gjinollit, www. Pashtriku. Org. 
2) Ahmet Qeriqi, Këngë për heroizmin dhe tragjiken shqiptare, emision special i Radios “Kosova e Lirë”. 
3) Adem Istrefi, Dervish “Sharkia” dhe kënga kosovare, Rilindja, 13 prill 1995, fq.9 (Të drejtat e ribotimit i mban autori, K. Rexha)

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …