Brickos

Mr. Kadri Rexha: SA T’JAM GJALLË S’E JAP DORËZIMIN

Mr. Kadri Rexha: SA T’JAM GJALLË S’E JAP DORËZIMIN

(Pjesë nga punimi “Epika historike e LNÇ të Kosovës kundër Mbretërisë jugosllave në repertorin e rapsodit Dervish Shaqa”)

                          
      Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, në vjeshtë të vitit 1918, ushtria serbe në krye me ushtrinë franceze, si pararojë, ripushtoi dhe rivendosi pushtetin  serb në Kosovë. Ripushtimi dhe sundimi serb mbi Kosovën dhe viset e saja, të shkëputura me dhunë nga trungu shqiptar në vitin 1913, u njohtë edhe nga Fuqitë e Mëdha, më 1919, në Konferencën e Paqës në Paris. Në këtë mënyrë shteti serb rifilloi zbatimin e politikës së shkombëtarizimit dhe të sërbizimit të Kosovës me vise. Nga viti 1918 e deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, nëpërmjet të “Reformës agrare” shqiptarëve iu morën më dhunë 381.000 hektarë tokë (1) në të cilat u vendosën rreth 14 mijë familje kolonësh serbë dhe malazezë, me mbi 60 mijë pjesëtarë. Në anën tjetër, vetëm gjatë kësaj kohe, u dëbuan me dhunë nga vatrat shekullore mbi 250.000 shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilëve u vendosën në Turqi.(2)       
      Ndonëse Kosova u pushtua ushtarakisht, ndonëse qeveritë e ndryshme serbe do të zbatojnë programe gjenocoidi me qëllim të fundit shfarosjen e popullit shqiptar dhe serbizimin e Kosovës, ndonëse përpjekjet për kolonizim, për ndërrimin e fesë me dhunë si dhe ato për asimilimin e popullit shqiptar nuk do të ndalen as në dekadat e mëvonshme, ndonëse dëbimi dhe shpërngulja me dhunë e popullit shqiptar nga trojet e veta edhe në të ardhmën do të bëhet obsesion i shtetit serb, ndonëse ushtria e rregullt, xhandarmëria, organizatat kriminele dhe bandat namzeza të komanduara nga vojvodët gjakatarë të tipit Miliq Kërstiq, Kosta Peqanac, Spiro Dobrosavleviq-Dellovcit, Arsenije Qyrku, etj. në mënyrë të programuar do të bëjnë kërdi mbi popullin duarthatë, ndonëse vrasjet dhe masakrat do të bëhen sinonim i përhershëm i këtyre qeverive gjakatare, populli shqiptar i Kosovës me vise do të gjejë forcë dhe do ta kundërshtojë me të gjitha mjetet politikën e dhunës dhe të gjenocidit serb duke synuar çlirimin dhe bashkimin me Shqipërinë. Njëra ndër format më frytëdhënëse të kësaj rezistence rezultoi me organizimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare Shqiptare – Kaçake, e cila me pushkë në dorë e luftoi regjimin antipopullor e shovinist ndaj shqiptarëve gjatë tërë kohës së Jugosllavisë borgjeze dhe posaçëririsht në periudhën 1919-1928.(3)
      Lëvizja Nacionalçlirimtare, e njohur si Lëvizja Kaçake, u organizua nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” që udhëhqej nga veprimtarët atdhetarë Hoxhë Kadriu, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sali Nivica, si dhe nga përfaqësues të shquar të trevave të pushtuara shqiptare. Çetat e armatosura, që shpesh arrinin në mijëra luftëtarë të lirisë, udhëhiqeshin nga Azem Galica, Mehmet Konjuhi, Mehmet Delia, Fazli Berani, Idriz Seferi, Ilaz Reçaku, Ramë Vllasa, Sadik Rama, vëllezërit Bajçinovci, Beqir Rexha, Sali Shabani, Mulla Agan Kaja, Keri i Sadri Bardhit, etj. dhe mbulonin të gjitha trojet shqiptare si Drenicën, Llapin, Podgurin, Pejën, Prizrenin,Gjakovën, Rugovën, Plavën, Gucinë, Prishtinën, Gjilanin, Kaçanikun, Kumanovën, Kërçovën, etj. Veprimtaria luftarake e çetave të lirisë jo vetëm që mbrojti popullin nga gjenocidi, por, për një kohë, arriti të kurorëzohej me krijimin e zonave të lira. Mbretërisë jugosllave iu dashtatën dhjetë vjetë luftë të armatosur, premtime, gënjeshtra dhe intriga deri sa, më në fund, me zjarr e terror në masë, arriti ta shtypë këtë Lëvizje me dhunti rilindëse të Feniksit mitik.
      Veprimtaria e gjërë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare e Kosovës me vise, betejat e armatosura të çetave, heroizimi i komandatëve dhe anëtarëve të çetave si dhe qëndresa e pa epur e popullit shqiptar arriti në shtyllat e shtypit të pushtuesit, të shtypit botëror dhe u ngritë si çështje jetike shtetërore në parlamentin mbretëror jugosllav. Në varësi të intereseve, konjukturave, orientimeve të individëve, partive dhe të shtetit aktiviteti dhe lufta e Lëvizjes shqyrtohet, analizohet dhe gjykohet nga kënde të ndryshme. Vetëm populli shqiptar, ai që ishte viktimë e pushtuesit si dhe protagonist i qëndresës heroike, për veprimtarinë e Lëvizjes e tha fjalën e vërtetë dhe gjykimin e drejtë. Një gjykim të drejtë dhe plot me admirim për veprimtarinë dhe luftën e Lëvizjes e dha edhe muza popullore. Në dhjetëra e dhjetëra këngë epike historike të kësaj epoke, me dashuri të zjarrtë dhe me art të qëndrueshëm, gjeniu popullor pasqyroi dhe përjetësoi të bëmat, aktet heroike, trimëritë dhe flijimin e prijësve dhe të heronjëve të çetave çlirimtare. 
      Nga ky cikël i madh këngësh për repertorin e vet rapsodi Dervish Shaqa i zgjodhi këngët atdhetare kushtuar veprës dhe heroizmit të Azem Galicës, Ilaz Reçakut, Nak Berishës, Sali Shabanit, Kamber Loshit, etj. si dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre. Nga ky opus këngësh të interpretuara nga Dervish Shaqa, në vijim, po shqyrtojmë këto krijime: “Kush a djalë qi don Vatanin”, “Krisi pushka n’Belicë te kisha”, “Prej qat sene që a kanë hyrjeti” Sa t’jam gjallë s’e jep dorëzimin”.


         1. 
      Kënga “Kush a djalë qi don vatanin” i kushtohet Sali Shabanit – Kabashit, prijës çete, ekzekutor i denimit mbi vojvodën Spiro Stanisavleviq nga fashati Dellofc. Kënga është pasqyrë artistike e realitetit të Kosovës së ripushtuar nga Serbia, e cila me të gjitha mjetet provonte të vëjë pushtet të hekurt mbi trojet tona. Spiro Dellofci me çetnikët e tij të mobilizuar dhe të ndihmuar moralisht e fizikisht nga pushteti dhe kisha ortodokse serbe, në mars të vitit 1913, në kishën e Kabashit të Prizrenit, kishin vrarë dhe masakruar brenda natës mbi njëqind burra të Kabashit. Kisha Ortodokse Serbe, edhe në këtë rast, është jo vetëm frymëzuesja dhe ekzekutorja, por është edhe vendi i krimit të madh. Më vonë, gjatë Luftës së Parë Botërore, trimat e Kabashit në shenjë hakmarrjeje vrasin dhjetëra ushtarë të mobilizuar serbë. 
       Në vitin 1919, pas ripshtimit të Kosovës, ushtria serbe u kthye përseri në fshatin Kabash dhe u hakmor ashpër mbi popullatën shqiptare duke vrarë, duke masakruar dhe duke burgosur barbarisht pjesën dërmuese të burrave. Nga dhuna dhe represaliet shumë familje të fshatit u detyruan të shperngulen dhe të vendosën në Shqipëri. Në këtë kohë masivizohet edhe Lëvizja Nacionlçlirimtare dhe veprimtaria e saj. I kësaj kohe është edhe denimi dhe aksioni i vrasjes së kriminelëve Sipro Dellofci dhe bashkëfshatarit të tij, Filipit.
      Në këtë këngë epike historike, ashtu si edhe në këngët legjendare, rrëfehet për zënien e pusisë nga Sali Shabani, për ballafaqimin me armikun, për dialogun e zhvilluar në mes të kundërshtarëve si dhe për porosinë që Sali Shabani ua lë bashkëveprimtarëve të kriminelëve:

                                Ai Sailihi nji djalë i ri
                                N’Grykë t’ Poqevcit ka zanë pusi
                                N’Grykë t’Poqevcit pusi ka vnue
                                Spiro e Fila n’pajton tuj shkue
                                Po shkojnë vehten tuj ma livdue
                                A ka krali zabit si mue
                                                  
Sali Shabani nga prita e ndëgjon bisedën dhe mburrjet e çetnikëve për krimet e bëra. Pa hezitim e lëshon pritën dhe u del përpara. Të dy oficerëve të ushtrisë serbe të njohur në popull si kriminel të regjur ua përkujton masakrat e bëra në Kabash, ua përkujton plojën mbi burrat e asaj treve si dhe fshatrat e djegura dhe të shndërruara në hi. Krimineli Spiro Dellofci, i zënë ngusht nga vdekja e sigurt që po e shihte me sy, provon të shfajësohet me gënjeshtra:

                                Nal Sali ta baj nji be
                                Kun n’Kabash gjin nuk kam pre
                                Pasha kryq e velikdan
                                Pasha kishat gjithë ka janë
                                Se jam le n’Kabash s’jam kanë
                                S’munesh Spirë ti me m’rrejt mue
                                Vetë n’Kabash unë kam qillue
                                Deri n’brryla durt me gjak
                                Prejshe gjinen si kasap
                                Si kasapi në Shingjergj
                                S’t’vike keq për thmi as pleq
                                Dredh martinën dy herë po u bjen
                                 Spiron e Filen t’dekun po i len

Pasi e kryen akcionin, i ndërgjshëm për drejtësinë dhe për veprën njerëzore e atdhetare, Sali Shabani i tubon serbët, u rrëfen ngjarjen për të mos lënë asnjë dyshim për të tjerët dhe ua lë porosinë e qartë:

                                Drejt n’Gajgovc Salihi ka shkue
                                Te tanë shkijet i ka tubue
                                Spiron e Filen lypmini mue
                                Sot po nisna për n’Shqypni
                                Mos m’i ngucni vllaznit e mi
                                Kcej kufinin apet do t’vi
                                Nja dhetë hise jau baj ma zi 

Veprimtaria luftarake e Sali Shabanit dhe e çetës së tij mbulonte trevat që nga kufiri me Shqipërinë e deri në Karadak të Shkupit. Nga organet e pushtetit jugosllav kjo çetë konsiderohej ndër njësitet më të rrezikshme luftarake të asaj kohe. Me çetën e tij Sali Shabani mori pjesë aktive edhe në Revolucionin Demokratik të Qërshorit të vitit 1924. Veprimtarinë atdhetare dhe luftarake, qoftë në Kosovë e qoftë në Shqipëri, Sali Shabani nuk do ta ndalë deri në fund të jetës së tij. Sali Shabani vdes në fshatin Kalesh të Lumës në vitin 1936.(4)  


         2. 
      Motivin e hakmarrjes për krimet serbe mbi popullin shqipar e gjejmë edhe në këngën “Krisi pushka n’Belicë te kisha”. Kënga i kushtohet trimit Nak Berisha nga fshati Kërninë, njëri ndër prijësit kryesor të Çetës së vëllazërve Beqir dhe Zeqir Rexha, çetë kjo e cila në kuadër të Lëvizjes Nacionalçlirimtare vepronte në rrethin e Burimit (Istogut) dhe në vitin 1920 numëronte deri në pesëqind luftëtarë të lirisë. Edhe kjo këngë është pasqyrë artistike e realitetit të Kosovës së ripushtuar nga Serbia, e cila si instrumente dhune, pos ushtrisë dhe xhanadrmërisë së rregullt, mobilizoi organizata gjakatare me lloj-lloj emrash, çeta namzeza çetnikësh dhe komitësh, individë dhe kriminelë nga më të regjurit. Në këto rrethana vrasjet dhe masakrat mbi popullatën duarthatë shqiptare, dhunimet dhe plaçkitjet në pronat e pasuritë e tyre, djegiet e shtëpive dhe fshatrave të tëra në Kosovë bëhen dukuri të përditshme. Në anënën tjetër populli shqiptar i udhëqur nga Lëvizja Nacionalçlirimtare reziston dhe nuk e pranon robërinë e pushtuesit. Në shënjestër të pushtetit në radhë të parë vihen prijësit e Lëvizjes. Të njëjtin veprim e bën edhe Lëvizja. Ajo i heton, i gjyrmon dhe në rastin kur mbushet kupa merr vendim dhe i likuidon kriminelët nga radhët e pushtuesit. Një rast të këtillë e vë në spikamë kënga në shqyrtim. 
      Pushtetarët e Belicës, Spasa, Toza, Teodosia dhe Dimitria, çetnik të dalluar, me krimet e tyre të përdithsme ishin bërë tmerri i katundeve të Rakoshit. Kishte raste kur vetëm brenda një familjeje ata kishin vrarë dhe therë me thikë të gjithë meshkujt, që nga fëmija në djep e deri te plaku buzë vatre. Prandaj, në rrethana të tilla, me vendim të Lëvizjes, kriminelëve në fjalë iu shqiptohet denimi i merituar. Nak Berisha me shokun e tij të armëve, Sadri Shalën, sipas një variante, në shenjë hakmarrje për krimet mbi popullin shqiptar, te Kisha e Belicës i vrasin shtatë xhandarë, dy majora dhe një kapiten. Beteja zhvillohet në oborrin e kishës, në vendin ku ata frymëzoheshin dhe merrnin udhëzimet për veprimet e tyre kriminale: 


                                Krisi pushka n’Belicë te kisha
                                Po lifton Nak Berisha
                                Fort liftoi Naki me Sadrinë
                                E vranë Spasën e Dimitrinë
                                E vranë Tozen e Teodesinë…      

Në vazhdim kënga vë në pah tradhtinë tradicionale serbe. Kërkesës së çetnikëve për dyluftim të pastër individual me Nak Berishën i përgjigjet pozitivisht Sadri Shala. Ndonëse për këtë gjest qortohet nga Nak Berisha ai nuk heq dorë nga vëndimi i tij. Sadri Shala del në mejdan, por në vend të duelit të pastër çetnikët shtiejnë të gjithë përnjëherë. Çetniku në dyluftim vrahet, por nga plumbat e njësitit të tij vrahet edhe Sadri Shala:

                                Sadri Shala azgan ish kanë
                                Po u del shkive për mejdan
                                Nak Berisha na u çue në kamë
                                Te Sadria Naku po shkon
                                Gjallë Sadrinë po ma gjanë
                                Sadri Shala djalë i ka thanë
                                T’parën pritë kur e kemi nxanë
                                Folë ta kam nji fjalë të ranë
                                Mos me u dalë shkive n’ mejdan
                                Se s’gjunë nja po t’gjujnë të tanë
                                Ditë e kam qikjohja që t’gjanë 

Ky gjest i ultë dhe i pabesë i armikut e detyron Nak Berishën që të betohet: “Do t’vras shkije ka t’i gjaj”. Me pikëllim në zemër për rënien e shokut të armëve dhe me urrejtje të madhe kundër armikut gjakatar Nak Berisha niset per hakmarrje. Me pushkë ndër dhëmbë, siç e thotë një këngë, merr udhë drejt Rakoshit, për në zyrën e pushtuesit dhe të kriminelëve çetnikë:
                                                  
                                Kush po ngjitet Lugut Kërnins
                                Nak Berisha i pari komits
                                Nakut shoktë na i kanë thanë
                                Nak Berisha ku po na çonë
                                O ku po don Nako me shkue
                                N’hyqymet shokë me u afrue
                                Politikë shokë n’mujshim me ‘nue
                                N’hanë t’Rakoshit Naki po shkon
                                Me m’dhanë letra me m’dhanë duhan
                                Janë tre muj n’këtë han s’jam kanë
                                E në kafe Naku po shkon
                                Shkon në kafe kafe me pi

Pushteti është tronditur nga aksionet e Lëvizjes. Çeta e Nak Berishës vepron hapur. Nuk dihet ka më shumë pushtet i pushtuari apo pushtuesi. Prandaj pushteti provon të ndërmerr masa frikësimi. Me të hetuar se Nak Berisha ka hyrë në kafene (restoran) me urdhër të perfektit rrethohet Rakoshi:

                                Naçallniku me xhanari
                                Nja treqind more civili
                                N’rreth Rakoshin e ka shti
                                Vetë i dyti n’kafe a hi
                                Vetë i dyti n’kafe po shkon
                                Shoktë e Nakit u çunë në kamë
                                Nak Berisha venit s’po lunë
                                Naçallniki Nakin ma dvetë
                                Po mu Todën o kush ma pretë
                                Nak Berisha at’herë po flet
                                Naçallnik te t’ka met hilet
                                Me dorë teme i kam ra  manxerrkë
                                S’kam vra shumë veç tetëmdhetë
                                Kam ymyd sot po i baj njizet
                                Naçallniku n’kam a çue
                                Hajde Nak ni besë me ‘nue      
                                Prej kti veni m’u largue
                                Ta dhashë besën s’kam me t’liftue
                                Nak Berisha at’herë po flet
                                O ruje kryt se po vras apet
                                Deri t’i baj njizet e tetë
                                Naçallnikut o i ka ra manxerrkë   


Në këngë, ashtu si  në realitet, dalja e kishës në skenë nuk është e rastit. Populli që me kohë e kishte kuptuar se kisha ortodokse në vend që ta përfaqësonte shtëpinë e Zotit ajo luante rolin e Satanës dhe të shtabit mobilizues për serbizimin e Kosovës. Po kështu nocioni politikë i barazuar me pushkën (manxerkën) në këngë, përmes artit, dëshmon përpjekjet dhe veprimtarinë mijëra vjeçare të kombit shqiptar për ruajtjen e qenies, identitetit kombëtar, dinjitetit njerëzor, lirisë, pavarësisë dhe atdheut.

Shkarko të plot dokumentin:Mr. Kadri Rexha: SA T’JAM GJALLË S’E JEP DORËZIMIN

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI:  Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri

 Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri Shqipëria …