Muharrem Fadil Mehmeti (3.2.1981 - 15.5.1999)

Muharrem Fadil Mehmeti (3.2.1981 – 15.5.1999)

Familja Mehmeti nga Albona (ish-Pakashtica) e Llapit ishte e njohur për trimëri. Gjyshi i dëshmorit të kombit, Mehmeti, ishte pjesmarrës i Luftës së Dytë Botërore i radhitur në anën e Ballit Kombëtar. Ai ka marrë pjesë në luftë kundër partizanëve në Brigadën e Hakif Rimanishtës, pastaj në atë të Shaban Polluzhës e pas marrjes së pushtetit nga ana e parti zanëve ai del në mal dhe vepron ilegalisht bashkë me Ukë e Tal Mavriqin, Avdi e Sejdi Tashefcin, Jahir Metollin, Ismail Thaçin, Ali e Brahim Sollovën, Behram Halitin etj.

Babai i Muharremit, Fadili ishte martuar me Fahrie Mustafën nga fshati kufitar Tashefc. Atyre u lindën 10 fëmijë, gjashtë djem e katër vajza: Ekremi, Muharremi, Gazmendi, Latifi, Kujtimi, Shpëtimi, Antigona, Liridona, Marigona dhe Syzana. Muharremi ishte djali i dytë.

Ai u lind më 3 shkurt të vitirt 198, pra në vitin e demonstrative të mëdha shqiptare masive ku kërkoheshin të drejtat e barabarta të popullit shqiptar me popujt tjerë.

Shkollimin fillor e filloi dhe e kreu në shkollën e fshatit që është paralele e ndarë e shkollës “Azem Bejta” të Llapiasit (ish Kërpimehut).

Pas mbarimit të shkollës fillore ai regjistrohet në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Besianë, në paralelen e ndarë në Llapias. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, ai e lë përgjysmë shkollimin e mesëm dhe në vitin 1997, kur kishte vetëm 16 vjetë, shkon në Gjermani tek i vëllai Ekremi, me qëllim për të punuar dhe për t’i ndihmuar familjes.

Muharremi fal të vëllait, Ekremit nuk e pati vështirë që të gjej punë, ndërkohë që fitoi leje qëndrimin në Gjermani. Atje filloi një jetë të re por e cila nuk zgjati shumë.

Pas një qëndrimi prej dy vjetësh në Magdeburg të Gjermanisë, kur në Kosovë kishte krisur lufta dhe jeta ishte bërë e padurueshme nënë çizmen serbe, kur tani trimat e lirisë ishin organizuar në UÇK-së, Muharremi dëgjoi thirrjen e Atdheut për Liri, dhe iu përgjegj kushtrimit duke lënë punën, vëllain, axhën, shokët dhe jetën luksoze në Gjermani.

Masakrat në Drenicë e Dukagjin nga forcat serbe e trazuan shpirtin e njomë të Muharrem Mehmetit. Në atë kohë UÇK-së kishte dal në skenë kudo në Llap, Drenicë, Dukagjinë, luftohej në çdo anë.

Muharremi nuk mundi të qëndronte më në Gjermani dhe vendosi të kthehet e të luftojë okupatorin ashtu si e kishte luftuar dikur gjyshi i tij, Mehmeti. Po ashtu në luftë ishte i angazhaur edhe i ati Fadili, i cili ishte i sistemuar në njësitin e fshatit Albonë.

Fadili UÇK-së e ka ndihmuar shumë edhe materialisht. Pasi Muharremi kishte vendosur definitivisht të hynte në luftë ai ishte paisur me uniformë të UÇK-së. Ishte plot entuziazëm dhe ndihej shumë krenar se po kthehej të luftonte për idealin më të lartë, për më të çmuarën lirinë e vendit. Ai jo vetëm për vete por edhe për shumë shokë kishte blerë uniforma të UÇK-së dhe një sasi të konsiderueshme të armëve. Muharremin e kishin lutur i vëllai dhe axha që ai të qëndronte në Gjermani e ata të vijnë në luftë por ai këtë e kishte kundërshtuar kategorikisht duke u thënë se ai do të shkon në frontet e luftës.

Muharremi nga Gjermania fillimisht vendoset në Shqipëri, në Burrel, ku bënë përgatitjet e duhura ushtarake 30 ditore. Pas kësaj kohe aty vjen komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani” për të marr ushtarë shtesë për luftë edhe pse ata kishin bërë ende pak ushtrime ushtarake. Muharremi ishte lajmëruar ndër të parët vullnetarë, që të niset menjëherë për në Koshare, sepse ai ishte i përgatitur fizikisht dhe moralisht për të kryer detyrat ushtarake. U rreshtua në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, në Batalionin që e komandonte Rrustem Berisha.

Ishte pjesmarrës i betejës për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare derisa bie heroikisht në vijën e frontit. Ra më 15 maj 1999 pas mesnate, në ora 2 e 15 minuta në vendin e quajtur “Rrasa e zogut”. Pas rënies ai fillimisht është varrosur në Bajram Curr të Shqipërisë, mirëpo më pas është rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me luftëtarët e tjerë, të rënë në Koshare.

Edhe pse Muharremi ishte nga Zona e Llapit ai nuk është tërhequr nga atje ngase familja nuk ka dashur ta ndaj nga shokët me të cilët ka rënë bashk në këtë betejë.

Njësiti ku ishte i sistemuar Muharremi për komandant kishte Xhabir Toçanin, i cili duke kujtuar veprën e dëshmorit e përshkruan Muharremin një flok kaqurrel, të cilat rrall mund tia shihje nga bereta e kuqe me amblemën e UÇK-së ishte një djalë shumë i lezetshëm dhe simpatik, me një trup sportisti. Kishte një shkathtësi të madhe fizike dhe mendore.

Me ushtrimet që bënte na fasciononte të gjithëve. Fliste në të folmen e Llapit dhe kishte një vokal të këndshëm që shpeshherë mezi prisja ta dëgjoja duke folur. Ushtrimet që ai i bënte gati asnjëri ushtar tjetër nuk mund ti bënte. Ishte vështirë ti ofrohej ndonjëri. Njëri nga bashluftëtarët e tij që erdhi nga Gjermania bashk me te, Enver Glloboderi duke kujtuar ato ditë të kaluara bashkë me Muharremin, thotë se ai kurr nuk ka ditur ç’është frika. Ai ka pasur vetëm një frikë, atë se mos nuk do ta pranonin në radhët e UÇK-së, sepse veç sa i kishte mbushuar të tetëmbëdhjetë pranverat e jetës së tij, shprehej Enveri.

Ndërsa babi i dëshmorit, Fadili thot se unë fare nuk e kam ditur për Muharremin se ka ardh në luftë. Kam menduar se dikush nga ne duhet të bie për liri. Unë kam qenë i gatshëm ta bëjë këtë, por fati e deshi që ai të bie për liri e unë të jetoj.

Nuk e kam ditur, nuk më ka pyetur por ani, se për liri nuk u dashka të pyetet as prindi, se ajo është çështje më e madhe dhe e kemi borxh të gjithë, thotë babai i dëshmorit Fadili, që e luftoi armikun duke mbrojtur fshatin e tij nga hordhitë okupatore serbe.

Me rastin e rivarrimit të dëshmorëve të rënë të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në Koshare, më 23 gusht 1999 shumë nga bashkëluftëtarët me lot në sy janë përkulur para dëshmorit të kombit, Muharrem Mehmeti.

Ra për liri në moshën 18-vjeçare, duke lënë kujtimin e ëmbël për luftëtarët që me te luftuan krahpërkrah deri në momentet e fundit. Pas vdekjes ai dhe familja e tij janë nderuar me shumë mirënjohje si ajo nga komandanti i brigadës në Koshare, Rrustem Berisha, mirënjohje nga UÇK-së ZOD, përkatësisht brigada 138 “Agim Ramadani” , ZOLL të UÇK-së, Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së të Dukagjinit, dhe të Llapit. (M. K .)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …