Mursel Sopaj: TE SECILA RRUGË

Tek secila rrugë, nëpër çdo rrugicë,
Fle një rigë shiu, fle një copëz ngrice.
Rrinë bri trotuareve ca lule me ngjyrë,
Dy të dashuruar, diku në errësirë.

Tek sheshi e ura, gurë të gdhendur mirë,
Lidhur aty për tokën, vitet mbahen në gji.
Ecën vargon hapash, të rëndë e të lehtë,
Një kambanë në qafë, ende heshtjen vret.

Ende njolla tymi, n’ qoshe të Bazhderhanës,
Ende erë e djersës, ende erë e bukës.
Poshtë te këndi i furrës, skena migjeniane,
Dhjetëra fytyra të zbehta që presin për punë.

Tek secila rrugë, kujtime pa fund,
As bora e shiu s’i fshijnë ato gjurmë.
Diku një minare, diku një kazermë,
Një shkëndijë zjarri, diku nën një strehë.

Aty ku zbret lumi, aty përballë urës,
Ende kocka të thyera, plagët e torturës.
Kërrimet si bisha në terrin e natës,
Zëri i Vesel Krasniqit e i Daut Morinës…!

Në mure të betonit, në errësirë të qelisë,
Jehon e nuk shuhet zëri i Mehë Ukës:
“Njëmijë jetë t’i kam, i jap për liri,
Ç’fryni edhe pak, ju tradhtarë të zi!”

Qëndron e nuk jepet, në torturë Xhemajliu,
Gjak e pështymë u hedh tradhtarëve në fytyrë.
Rri e pret drejtësi gjaku i Astritit,
Aty, në një dhomë, ku liria zbehet.

Ca gurë përbri rrugës, që shkelen me këmbë,
Kanë shenja tymi, mbajnë në vete këngë.
Kanë ngjyrën e blindave, të helmetave blu,
I sollën të rinjtë dhe mbetën këtu.

Rrugicat me pluhur, rrugicat me baltë,
Nga tymi lotsjellës kanë mbetur ca lot.
Kanë mbetur te portat, te shtyllat me zift,
Trakte, komunikata që thirrnin për zgjim.

Një rrugë me asfalt të nxjerr në Landovicë,
Aty ku bëjnë dritë yjet e lirisë!

Hagë, 18 prill 2022

Kontrolloni gjithashtu

VELI VELIU: JEHONA E REÇAKUT NË BOTË        

VELI VELIU: Poema

 NË ORËN E ZGJIMIT     Zeqir Gërvalles   1. Yllin, që të frymëzoi gjithë jetën, …