Musli Krasniqi: Nën hisen e diellit që na takon, në 100-vjetorin e Maskrës së Prapashicës

Musli Krasniqi: Nën hisen e diellit që na takon, në 100-vjetorin e Maskrës së Prapashicës  

Në 100-vjetorin e Masakrës së Prapashicës

10 janar 1921.

Ekspedita famëkeqe e ushtrisë dhe xhandarmërisë mbretërore serbe po hynte ndarasi në Prapashticë dhe Keçekollë, pasi kishte lënë shumë të masakruar në Sharban dhe kishte plaçkitur shtëpi të tëra në Koliq. Gallapi (Gollaku), si dhe vise të tjera të Kosovës, asokohe ishte shndërruar në vatër të rezistencës e të kryengritjes kundër pushtuesit serbo-malazez, që nuk po i prante vrasjet dhe masakrat kundër shqiptarëve që nga viti 1912 e këtej. Çeta të shumta luftëtarësh shqiptarë, për shkak edhe të konfiguracionit të përshtatshëm gjeografik, vepronin në fshatra të thella të këtij rajoni, duke e mbajtur gjallë frymën e luftës për liri dhe duke shtruar terrenin për kryengritje të përgjithshme.

Në dijeni të veprimtarisë së çetave të luftëtarëve shqiptarë në viset e Gallapit e të Llapit, që në atë kohë njihej si Lëvizja Kaçake, qeveria serbe kishte shfrytëzuar borën dhe acarin e madh të janarit të vitit 1921, për të nisur ekspeditën kundër këtij rajoni, duke i çuar buzë shfarosjes sidomos Keçekollën dhe Prapashticën. Mbi 2 mijë civilë shqiptarë, kryesisht banorë të këtyre dy fshatrave, fillimisht burra, e më pas fëmijë, gra e pleq, kaluan nëpër plumbat dhe bajonetat e ushtarëve, xhandarëve, paramilitarëve e kolonëve serbë e malazezë.

Me zjarr e me hekur, ekspedita serbe shkrumboi e shfarosi gjithçka që i pa syri. Ishte kjo një nga krimet më të tmerrshme dhe më të pashembullta të kohës, në përmasa të gjenocidit, që kalonte kufijtë e imagjinatës. Operacioni ushtarak përfundoi tek pas katër ditësh, pasi nuk la asnjë frymë në këto fshatra dhe nuk arriti të shrihej më tej, pasi hasi në rezistencën e luftëtarëve shqiptarë, të cilët, të gjendur larg, nuk kishin arritur të viheshin me kohë në mbrojtje të banorëve të Prapashticës e të Keçekollës.

Nëpërmjet veprimtarit, Nazim Gafurri dhe Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, kësaj ngjarjeje makabre iu dha jehonë ne shtypin vendor dhe ndërkombëtar të kohës, por edhe në qeveritë dhe parlamentet e shteteve të ndryshme evropiane. * Gjysmë shekulli më pas, brigjeve të Gallapit po e rriste shtatin një djalosh, që më vonë historia do ta njoh si një nga guerilët dhe komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si fëmijë, nëpër oda burrash dhe si nxënës, nëpër libra të ndaluar të historisë, ai po njihej me të bëmat kundër popullit të tij ndër shekuj, në Keçekollë e në Prapashticë, në Gallap e në Llap, në Kosovë e në viset e tjera etnike. Krahas shtatit, dita-ditës brenda tij po rritej edhe urrejtja kundër pushtuesit dhe dëshira për hakmarrje. Tanimë, i brumosur me virtytet e luftëtarit çlirimtar, Zahir Pajaziti, me pushkën krahut, po e vazhdonte aty ku e kishin lënë kryengritësit e mëparshëm. I betuar se pa rënë ai, nuk do të bjerë Kosova, furtunës do t’ia kthente gjoksin dhe asnjëherë shpinën, ndërsa atdheut të tij do t’ia rriste lavdinë dhe madhështinë. Atë që Zahir Pajaziti do ta linte në janar të 97-ës, do ta finalizonin shokët e tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe i tërë populli i Kosovës, dy vite më vonë.

Fatkeqësisht, Prapashtica, Keçekolla, Gallapi dhe e tërë Kosova, para lirisë, po përballeshin edhe njëherë herë me dhunën, gjakimin dhe zjarrin e hasmit shekullor. Por fundi i hasmit ishte parashikuar profetikisht nga urtësia e Anton Çettës, në analogji të vjehrrës së djegur së bashku me shtëpinë, pasi kishte dhunuar në vazhdimësi nusen: ‘E dija që do ta hajë dreqi, por se do ta hajë të pjekur, s’ma merrte mendja’. * Në këtë 100-vjetor të masakrës së Keçekollës e të Prapashticës, Gallapi kujton me pietet martirët dhe heronjtë e vet të të gjitha etapave, tani, i lirë, nën hisen e diellit që i takon.

Kontrolloni gjithashtu

Nesër, më 4 janar 2024, në ambientet e Radios-Kosova e Lirë, në Prishtinë shënohet 25-vjetori i fillimit të transmetimit të programit

RKL: Shtëpia-Muze e Radios-Kosova e Lirë, në fshatin Berishë, Oda e Asllan Berishës, Bunkeri te Kodra e Baliqit dhe në Majën e Pallanikut, Selia e parë Radios, në Krojmir janë vlera e monumente fizike të luftës së UÇK-së, që nuk mund të ndahen, as të tjetërsohen

Shtëpia-Muze e Radios-Kosova e Lirë, në fshatin Berishë, Oda e Asllan Berishës, Bunkeri te Kodra …