Mustafë Krasniqi

Mustafë Krasniqi: Mësimi Plotësues në Gjuhën Shqipe për Bavari

Këshilli i Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe për Bavari, më 16.02.2017, mbajti një takim pune me shoqata dhe biznese që veprojnë në  Landin e Bavarisë. Nga ky takim pune, temë qendrore ishte Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari?

  Takimin e hapi, Përgjegjësi i Këshillit për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, Mustafë Krasniqi. I përshëndeti mysafirët: z. Avdyl Lipoveci, drejtor i Departamentit për Kulturë e Arsim i Ministrisë së Diasporës në Republikën e Kosovës, Konsullin e  Republikës së Kosovës për Mynih, z. Hamdi Reçica dhe  përfaqësues të shoqatave, bizneseve, e mësimdhënës dhe prindër, për ardhjen në këtë takim pune dhe mbështetjen nga ata!

  Po ashtu, përshëndet edhe përfaqësuesin e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë, Konsullin e Përgjithshëm Arten Henkun, i cili nuk është i pranishëm, për arsye të pritjes së një delegacioni, por që në vazhdimësi është në përkrahje institucionale të projektit për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe.

 Është nder i madh të jemi pranë një projekti madhor e kombëtar, sa human aq edhe përgjegjës, pranë fëmijëve tanë dhe të gjeneratave të ardhshme, që po lindin dhe po rriten si mërgimtarë në dheun e huaj.

  Kjo sikur na obligon që të ndehemi përgjegjës, dhe na takon si pjesëtarë të një kombi më të vjetër e autokton, që për hir të atdheut, të atyre që na e trasuan rrugën e shkronjave, ta ruajmë gjuhën, traditën edhe te fëmijtë tanë, brezat që vijnë më pas. E, duke vështruar situatën që gjendet mërgata jonë, konkretisht fëmijët tanë, për fat të keq po hetohet një zbehje, dobësim i gjuhës e mos të flasim për gjeneratën e tretë që dhe mund të ndodhë që të na ndjekë fati i padëshirueshëm, asimilimi.

  Për të mos ardhur deri te ky asimilim, në bashkëpunim me Ministrin e Diasporës, të dy konsullatave tona shqiptare dhe të Këshillit për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe për Bavari kemi hartuar një projekt, që në bazë të këtij projekti kemi zgjedhur edhe Këshillin e Mësuesve, ku dhe kemi kërkuar një takim pune me të gjithë bashkëkombësit, shoqatat dhe bizneset, që së bashku ta finalizojmë projektin në fjalë.

Pastaj mori fjalën Drejtori i Kulturës dhe i arsimit të Ministrisë së Diasporës, z. Avdyl Lipoveci, shtoi dike thënë se është kënaqësi të jesh në një takim pune si ky i sotmi, i cili ditë e më tepër po vije duke u shtuar interesi për mësimin  e gjuhës shqipe, fëmijë tanë që janë duke u rritur këtu. Një fat i mirë që kurrë më parë nuk e ka pasur mërgata shqiptare, që tash e tutje ka në përkrahje nga dy shtetet shqiptare, të Shqipërisë dhe të Kosovës.

  Më tej shtoi z. Lipoveci duke na informuar se me të dëgjuar se sot ju keni takim, Ministri Valon Murati më autorizoj që të jam në mesin tuaj dhe kjo prani e imja e dëshmon se sa seriozisht e ka pushteti që të jetë afër qytetarit të vet, që ishit dhe keni mbetur njëra ndër shtylla kryesore të atdheut. Më tej fjalën e mori Konsulli i Republikës së Kosovës, z. Hamdi Reçica, dhe pas përshëndetjes tha: Projekti në fjalë është  marrë nga Mustafë Krasniqi, që nga ai moment kur na është ofruar neve si institucion, këtë projekt e kemi marrë si njërin ndër projektet më serioze dhe të domosdoshme. Mund të them lirisht, që nga ofrimi i këtij projekti e deri më sot është bërë një punë e madhe, ku dhe bashkëkombësi ynë ka filluar ta kuptojë më ndryshe qasjen për mësimin e gjuhës shqipe. Më tej z. Reçica tha: dua ta shtoj edhe një fakt real; që shteti konkretisht është në përkrahje të këtij projekti. Vetë fakti është bindës, derisa ne jemi të pranishëm. Por, ajo që është edhe më reale është se nga Ministria e Diasporës për ta përcjellur dhe, si pjesë e këtij projekti e ka emëruar drejtorin z. Avdyl Lipoveci, ndërsa Konsullata e Kosovës më ka emëruar mua – Hamdi Reçica, kurse nga Konsullata e Republikës së Shqipërisë është z. Arten Henku, që në të gjitha takimet kemi qenë të pranishëm, ne si institucione dhe e kemi përkrahur projektin. Që nga ky projekt doli Këshilli Nismëtar, ku e emëroi Mustafë Krasniqin përgjegjës të Këshillit, po ashtu u zgjodh dhe Këshilli i Mësuesve, që dhe është në një rrugë të mbarë, nga që shihet vullneti dhe serioziteti i qasjes në këtë drejtim.

Nga të pranishmit fjalën e mori Albina Bilalli-Zeqiri, Laura Lajçi, Milaim Krasniqi, Gëzim Osmani, Isuf bytyçi, Fran Tanushi, Anton Krasniqi, Mislim Berisha etj.

Pas shumë debatesh dhe analizave, doli si qëndrim i përbashkët që të gjitha shoqatat, bizneset dhe bashkëkombësit ta sensibilizojmë sa më tepër projektin në fjalë, te shtresat e ndryshme të komunitetit tonë shqiptar, që jeton dhe vepron në Bavari. Prandaj çështjen e mësimit në gjuhën shqipe, ne,  më nuk duhet ta shohim vetëm si patriotizëm, por ta shohim në realitet se është edhe një domosdoshmëri e pashmangshme, nga fakti se fëmijët tanë po studiojnë me të madhe nëpër shkolla të larta dhe Universitete të ndryshme, në shtetin pritës, në këtë rast në Gjermani. Pra,  kështu që gjuha shqipe do të bëhe për fëmijtë tanë, si e domosdoshme në sferën e jetës së tyre. Ata fëmijë, që tani e mësojnë Gjuhën Shqipe dhe vazhdojnë duke e forcuar atë, në një të ardhme të afërt, do të mund të bëhen pëfaqësues të kompanive të ndryshme për Ballkan apo do të arrijnë të punësohen në zyre diplomatike shqiptare në vende të ndryshme të Europës ose të kundërtën.

  Kurse rreth pagës së mësuesve u diskutua dhe erdhën në përfundim që mësuesit të mos punojnë vullnetarë; kurse përfaqësuesit e biznesit pagën e mësuesit e panë si të  mundshme dhe pa problem, po ashtu rreth pagës  u deklaruan: Mislim Berisha, Agron Ibrahimi dhe Hateme Morina, të cilët ishin në një takim me përfaqësuesit nga Ministria Bavareze e arsimit mundësit se mund t’i vjelim nga 8 ero për orë mësimi. Ndërsa z. Avdyl Lipoveci këtë çështje e përshëndeti, ku dhe shtoi duke thënë se për këtë mendon edhe dora e shtetit, gjë që jemi në bashkëpunim me Shqiperinë. Konsulli i Republikës së Kosovës, z. Hamdi Reçica pasi e përshëndeti këtë gatishmëri ndër të tjera tha se është mirë që edhe bashkëkombësi ynë, në mënyrë simbolike të jetë pjesëmarrës në këtë drejtim. E dimë që bashkëkombësi ynë mbeti si shtyllë e ndërtimit të atdheut, po edhe një pagë simbolike do t’ishte një jetësim i sigurt i mbajtjes së mësimit në gjuhën shqipe.

  Në fund të takimit doli si një thirrje e përbashkët për të të gjithë bashkëkombësit, të mos hezitojnë, po ta ndihmojnë shkollën shqipe si dhe t’i sjellin fëmijtë në shkollë. Me këtë dhe u përshëndet edhe Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ku dhe doli një urim i përbashkët nga Këshilli për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari(M.K).

PËRSHËNDESIM ATDHEUN DHE UROJMË PAVARËSINË E KOSOVËS!

    Të nderuar bashkëkombës, të të gjitha trojeve të Shqipërisë Etnike, shqiptarë, anë e kënd botës ku jeni, shteti shqiptar- Shqipëri dhe Dardani e lashtë – Kosovë e sotme; në emër të Këshillit të Mësimit Plotësues për Gjuhën Shqipe në Bavari ju uroj pavarësinë e nëntë, që e nesërmja të na e sjellë fatin e realizimit të vullnetit popullor, të rilindësve dhe heronjve të gjitha kohërave – bashkimin kombëtar.

  Andaj me të drejtë ne si mërgatë flasim me gjuhën e të parëve, fuqinë Ilire dhe porosinë e brezave të ikur: ta ruajmë gjuhën, kombin, identitetin fisnik, që jo rastësisht na ka bekuar zoti të jemi popull, komb shqiptar me një gjuhë të bukur e të ëmbël, gjuhën shqipe.

Nga ky takimi, më 16.02.2017, me përfaqësuesin e Ministrisë së Diasporës dhe të dy konsullatave tona Shqiptare në Mynih si dhe të shoqatave, bizneseve dhe Këshillin e mësuesve dhe të Këshilli për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe për Bavari, së bashku po e përçojmë anë e këndë atdheut, nga mërgata e përmallshme dhe e përkushtuar për atdheu, uratën më të çmuar për Pavarësinë e Kosovës.

Urime Pavarësia, Kosovës – Dardania e lashtë!

Urime kombi ynë, shqiptar kudo që jeni dhe ti Shqipëri e nderuar gëzofshi Pavarësinë e Kosovës !

Urime mërgatë dhe ju të gjitha trojet shqiptare që ende përballeni me mungesën e lirisë!

Urime Kosovë, Shqipëri – Shqipëria Etnike!

Në emër të Këshillit për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe për Bavari-Mustafë Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …