Përpjekjet e fundit të Qeverisë Kurti për të rritur pagat, pensionet dhe shtesat sociale janë cilësuar nga opozita si masa të vonshme dhe të motivuara politikisht, në prag të zgjedhjeve të reja. Sipas ish-kryetarit të Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, këto vendime nuk përfaqësojnë reforma të mirëfillta ekonomike, por “mashtrime elektorale të kamufluara si kujdes social”. Ai thekson se çdo ndërhyrje në paga e përfitime duhet të bëhet në përputhje me ligjin, kushtetutën dhe buxhetin e shtetit, jo në periudha kur qeveria është kujdestare dhe pa mandat të plotë politik. “Ekonomia e shtetit nuk mbahet me ‘qese ndihma’ para zgjedhjeve, por me politika afatgjata që nxisin punësimin, rritjen e prodhimit dhe stabilitetin fiskal. Kur ke inflacion, borxhe publike në rritje dhe mungesë investimesh, çdo shtesë e pa mbuluar nga buxheti është sikur një orë e kurdisur për nesër”, ka deklaruar Ismajli. Ai shtoi se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po tenton të zbatojë masa të programuara më parë nga kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, “duke kopjuar në tërësi programin e tij qeverisës”. Sipas tij, kjo qeveri kujdestare nuk ka legjitimitet për të marrë vendime të qëndrueshme dhe çdo akt që ndikon në buxhetin e shtetit në këtë fazë është i paligjshëm.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
