Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka deklaruar se Gjykata Speciale është themeluar me qëllim të përçarjes së brendshme dhe njollosjes së luftës çlirimtare të Kosovës. Haradinaj tha se kjo gjykatë, sipas tij, nuk ka për synim drejtësinë, por relativizimin e karakterit çlirimtar të UÇK-së. “Gjykata Speciale kryekëput është ngritur për me përça dhe me e njollosë UÇK-në”, u shpreh Haradinaj, duke shtuar se epilogu i procesit të njohur si gjykimi i “Thaçit dhe të tjerëve” mund të përdoret për të krijuar ndasi të reja në shoqërinë kosovare. Ai paralajmëroi se Specialja mund të tentojë të arrijë këtë qëllim përmes vendimeve të përziera, lirimeve dhe dënimeve selektive. Sipas Haradinajt, një skenar i tillë do të kishte pasoja të rënda politike dhe morale për Kosovën, duke e rreshtuar padrejtësisht në të njëjtën kategori me forcat serbe dhe duke e vënë në pikëpyetje karakterin çlirimtar të luftës. “Nëse dënohen njerëzit që e kanë përfaqësuar Kosovën dhe luftën e saj, atëherë lufta jonë determinohet si joçliruese”, theksoi ai, duke shtuar se në rast të një vendimi lirues, drejtësia do të duhej të vlente për të gjithë pa përjashtim. Haradinaj e cilësoi Gjykatën Speciale si diskriminuese, duke thënë se edhe në pamundësi për të dënuar figurat kryesore, ajo mund të synojë dëmtimin e dinjitetit të tyre dhe përçarjen e popullit përmes vendimeve të pabarabarta.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
