Tema të tjera...
Ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka komentuar vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, te ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke e cilësuar atë si një obligim kushtetues, por edhe si një akt miqësor e njerëzor. Ai ka theksuar se kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë, ndërsa kritikoi ashpër qasjen e Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për mungesën e një veprimi të ngjashëm. Sipas Haradinajt, Kurti nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë asnjëherë, duke u arsyetuar me pritjen dhe procedurat administrative për nënshkrimin e dokumenteve, çka sipas tij tregon mungesë serioziteti dhe rëndësie ndaj çështjes. “Ajo që na dhemb më shumë është fakti se Qeveria këtu në Kosovë nuk ka bërë asnjëherë diçka të tillë. Arsyetimi se kanë qenë shumë faqe për t’u plotësuar, tregon sa pak rëndësi i është dhënë burgosjes së shqiptarëve, të cilët po mbahen padrejtësisht”, u shpreh Haradinaj. Ai gjithashtu ritheksoi bindjen e tij se Gjykata Speciale në Hagë është gjykatë politike dhe jo e drejtësisë, duke shtuar se veprimet e deritanishme të saj e dëshmojnë këtë qëndrim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
