Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka komentuar takimin trilateral mes Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, si dhe paralajmërimin për një stërvitje të përbashkët ushtarake, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe dialogut politik. Deklaratat ajo i bëri në margjinat e takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, në Bruksel, ku vlerësoi rolin e Shqipërisë dhe Kroacisë si aleatë të besueshëm dhe kontribuues aktivë në paqen dhe sigurinë në rajon, përfshirë angazhimin e tyre në misionin KFOR. Shekerinska theksoi se NATO-ja nuk ka qenë pjesë e diskutimeve për deklaratën e bashkëpunimit në mbrojtje të nënshkruar nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi, por sqaroi se anëtarësimi në Aleancë nuk i pengon vendet të lidhin marrëveshje shtesë mbrojtëse. Ajo nënvizoi se situata gjeopolitike globale ka reflektuar në rritjen e ushtrimeve dhe investimeve në mbrojtje në rajon, ndërsa theksoi se prania e NATO-s në Ballkanin Perëndimor synon të mbështesë dialogun politik dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura. Në këtë kontekst, numri dy i Aleancës Veri-Atlantike konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se NATO kontribuon në krijimin e një mjedisi të favorshëm për një zgjidhje të qëndrueshme politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
