Nazmi Lukaj: Në 40- vjetorin e krijimtarisë letrare e publicistike të Sejdi Berishës

 


Sejdi Berisha është poet, romancier, dramaturg, kronikan, publicist. Në të gjitha fushat me të cilat u mor, la gjurmët e veta krijuese. Në të gjitha fushat me të cilat u mor, la në to edhe nga një atom të shpirtit të tij prej njeriu. La në secilën prej tyre ndjenjën e njeriut të sinqertë e të dashur. La ndjenjën e njeriut atdhetar…

Jo vetëm në provincën tonë të vogël Pejën, që si çdo provincë prodhon intrigën dhe injorimin ndaj krijuesve të mirëfilltë, por edhe çdokund tjetër në botë ekzistojnë dy lloj shkrimtarësh: ata që krijojnë pa i intriguar dhe pa i injoruar kolegët e vet, dhe ata që përmes intrigës dhe injorimit, në mungesë të kualitetit krijues, synojnë t’i imponohen lexuesit si alfa e omega e llojit letrar me të cilin merren.
Të parët lënë veprën, që jeton edhe pasi ata të mos jenë më në këtë jetë.
Të dytët edhe nuk e lënë veprën, edhe e prishin shpirtin, edhe zhburrërohen për së gjalli. S’kanë si e lënë veprën, sepse humbin kohë duke u marrë me intriga dhe injorimin e kolegëve.
S’kanë si e lënë veprën, edhe për një fakt tjetër: se për ta krijuar atë, shkrimtari duhet të ketë shpirt njeriu. Duhet ta ketë ndjenjën e sinqertë për njeriun.
Vepra e një shkrimtari, për të jetuar breza pas brezi, duhet t’i ketë të dyja këto.
Sejdi Berisha, që mbushi 40 vjet krijimtarie, i takon llojit të shkrimtarëve që kanë shpirtin dhe ndjenjën për njeriun. Prandaj, edhe krijimtaria e tij është kaq e gjatë.
Pena e Sejdiut, për këto dyzet vjet krijimtarie, skaliti 22 vepra. A do ta arrinte këtë shifër, po të humbte kohë poshtë e përpjetë me fjalë boshe? Sigurisht se jo. Ky zgjodhi rrugën e punës krijuese, duke ndjekur atë moton e vjetër që të sjellë deri te rezultati, deri te suksesi: “Karvani le të ecën, qentë le të lehin prapa. Mos u ndal kurrë ta gjuash me gurë asnjë, se do ta humbasësh kohën drejt cakut që ia ke vënë vetes”. Kush e ka ndjekur këtë moto, ka lënë veprën, që ka jetuar nëpër të gjitha kohët.

Sejdiu është poet, romancier, dramaturg, kronikan, publicist. Në të gjitha fushat me të cilat u mor, la gjurmët e veta krijuese. Në të gjitha fushat me të cilat u mor, la në to edhe nga një atom të shpirtit të tij prej njeriu. La në secilën prej tyre ndjenjën e njeriut të sinqertë e të dashur. La ndjenjën e njeriut atdhetar. Ata që i kanë lexuar me vëmendje veprat e tij, kudo do ta hasin dhimbjen për atdheun që po vuante në robëri, për njerëzit e tij që ishin katandisur në të gjitha anët e botës, për ta siguruar ekzistencën ekonomike, që ia kishte vështirësuar në atdhe pushtuesi serb. Atë dhimbje, Sejdi Berisha e ndrydhi me optimizmin e tij se liria, së shpejti, do të ndritë në Kosovë.
Dhe liria erdhi.
Ajo ia dha harenë shpirtit të shkrimtarit. Liria, tash, zuri pjesën tjetër të krijimtarisë së autorit. Derisa në veprat e mëparshme Sejdi Berisha denonoconte përmes artit letrar dhunën dhe barbarinë e pushtuesit serb, pas vitit 1999, kur atdheu u çlirua, këshilloi se si të ruhet liria. Prandaj, shkroi për luftën e shenjtë të UÇK-së për atdhe.
Shkroi për veprimtarinë kombëtare të atdhedashësve tanë breza pas brezi. Shkroi për gjithë ata që kontribuan për Kosovën. Shkroi për UÇK-në, sepse, duke e nderuar veprën e saj, nderohet Kosova. Shkroi për dëshmorët e saj, për t’i përjetësuar ata. Se gjaku i tyre është liria jonë. Ai është gjak i shenjtë për të gjithë ne. Përmes veprës së vet, Sejdi Berisha e shenjtëroi këtë gjak lirie.

“Është vështirë të jesh njeri”, shkruante Hivzi Sylejmani, në veprën e tij “Njerëzit”. Ai, kështu, porosiste njerëzit e tij të gjakut-shqiptarët, që në kohëra të vështira që mbretëronin atëherë në Kosovë, të qëndronin vertikalisht.
Me fjalë të tjera, porosiste të lidheshin me tokën e Kosovës. Porosiste që shqiptari dhe Kosova të shkriheshin në një, për ta gëzuar kjo lirinë. Edhe koha në të cilën e zhvilloi krijimtarinë e vet Sejdi Berisha, ishte e rëndë.
Ky ishte dhe mbeti njeri (shqiptar) nëpër tërë rrjedhën e kohës së vështirë në të cilën jetuan njerëzit e gjakut të tij. Ishte shqiptari (njeriu) që u lidh ngushtë me atdheun e vet, për ta dhënë pjesën e tij të kontributit që ky ta gëzojë lirinë. Pena dhe pushka i nxorën në dritë të gjithë popujt e robëruar. I nxorën në dritë dy pjesët e një trungu-Shqipërinë (më 1912) dhe Kosovën (më 1999). Pena e ka hapur rrugën për luftën. E ka ushqyer shpirtin e luftëtarëve për të luftuar për atdhe. Ata, tek përballeshin me pushtuesin përmes tytës së pushkës, recitonin pjesë të poezive të shkrimtarëve tanë.
Krismat e luftës për atdhe jehuan bashkë me vargun e shkrimtarëve tanë. Pushka, vargu dhe Kosova u bënë një. Në këtë kuptim, Sejdi Berisha dha kontributin e vet kombëtar përmes penës.
Sejdiu është shembull se si duhet të jetë njeriu. Se si duhet të jetë krijuesi. Se si nuk duhet të merret me të tjerët, por si duhet t’i përkushtohet vetëm punës së tij. Askë s’e ka bërë të madh intriga dhe shantazhi kundër kolegëve. Po veç puna e tij. Kjo është motoja që gjatë gjithë punës së vet krijuese e ndoqi Sejdi Berisha. Prandaj, sot, nderohet nga të gjithë ata që e kanë kuptuar me kohë këtë moto, që autori përçoi tek brezat e kohës së tij dhe brezat më të rinj. Vepra e Sejdiut do të jetojë gjithmonë, për ta përcjellë mesazhin e shpirtit të njeriut tek brezat e tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …