kek baneri
valamobile
mbpzhr 2018
Fillimi / Dëshmorët / Ndriçim Sherif Koxha (6.1.1971 – 7.8.2001)
Ndriçim Sherif Koxha (6.1.1971 - 7.8.2001)

Ndriçim Sherif Koxha (6.1.1971 – 7.8.2001)

Pothuajse çdo javë, babai i Ndriçimit, Sherifi, zbriste në Librazhd për të bërë pazar, por më shumë me shpresën se mos dëgjonte ndonjë lajm për djalin, me të cilin kish më shumë se pesë muaj që nuk ish dëgjuar. Helbete, qyteti është më ndryshe, atje vijnë edhe gazetat edhe gazetarë; shkojnë e vijnë njerëz nga vende të ndryshme; aq më shumë që Librazhdi është një postbllok për gjithë lëvizjet lindje – perëndim të trojeve shqiptare.
– More, Sherif, a u kthye Ndriçimi apo jo, se nuk e kam parë, – e pyeti shitësja pasi Sherifi bëri pagesën dhe po gatitej të delte nga shitorja.
– Jo ende, po… Faleminderit që më pyete moj motër. Në pritje jam, – u përgjigj Sherifi, por këmbët nuk i bënin më as të ikte e as të dilte. U ngurtësua. “Duhet të dijë diçka kjo, kështu ma thotë zëmra dhe ajo malule nuk gënjen. Kot nuk më pyeti”, mendonte babai i dëshmorit me vete, por që ende nuk e dinte se Ndriçimi kish rënë dëshmor në luftën e fundit për bashkimin e trojeve shqiptare; por nuk guxonte ta pyeste. Trembej mos dëgjonte lajm të keq. Shitësja e kuptoi gjendjen e tij të turbulluar dhe nxitoi:
– Im vëlla erdhi para ca ditësh me leje nga Kukësi. Ti e di që është oficer në pikën e kufirit në Morinë, dhe më tha se qe takuar me djalin tuaj. Kështu sikur më tha. Nuk të gënjej dot, por që ma përmëndi emrin e Ndriçimit, ma përmëndi.
Një drithërimë e shoqëruar me një shpresë të rreme e përshkoi tërë trupin e Sherifit:
– Këtu është yt vëlla?
– Jo, iku dje.
– A ka telefon?
– Mbase edhe ka, por unë nuk e kam, ndoshta nga që ai më merr shpesh.
– Faleminderit! Mbeçi me shëndet!, – përshëndeti Sherifi me gjysmë zëri dhe doli nga dyçani.
Sherifin nuk e mbante më vendi. Si të vepronte, të kthehej në Gizdavesh, apo të nisej drejt e për në Kukës? “Nuk bën pa marrë me vete Zonjën. Është nënë. Ngeli duke parë ëndrra përnatë. Të ik edhe unë pa e njoftuar, ajo do të çmëndej fare”. Dhe Sherifi i dha karar. Pajtoi një xhip-taksi dhe u nis për Gizdavesh, mori zonjën dhe u kthye përsëri në Librazhd. Në mesnatë u paraqit te posta e kufirit në Morinë. Komandantit të postës i thanë se e kërkonin një burrë e një grua nga Librazhdi. “Hë, hë, tha me vete, e mora vesh. Janë prindërit e Ndriçim Koxhës. Eh moj motër pse i mundove deri këtu. Si t’ua them unë atë gjëmë? Po edhe unë budallai pse nuk shkova vetë në fshat e t’i takoja, po u mjaftova me aq. Ç’kam bërë!”
– Thirreni atë ushtarin nga Hasi të vijë në zyre, urdhëroi komandanti. “Ndoshta ai e ka më të lehtë se unë, pasi edhe kushëriri i tij ka qënë bashkëluftëtar me Ndriçimin dhe kanë rënë po bashkë, kështu që mund ta ketë më të lehtë se unë për t’i ngushëlluar”, mendoi komandanti më vete, ndërkohë urdhëroi t’i sillnin në zyre të ardhurit nga Librazhdi.
Kur ishin qetësuar disi nga tronditja e madhe, në agimin e ditës së re, Sherifi dhe e shoqja morën rrugën e kthimit për Tiranë. Shkuan në Ministrinë e Jashtme, pastaj në atë të Mbrojtjes, pastaj te veteranët, por ata nuk ishin në korrent të ngjarjes. Megjithatë, nëpunësi i Ministrisë së Jashtme e sqaroi problemin me ambasadën shqiptare në Shkup dhe pas dy muaj ecejakesh, kur i ishin paguar palës maqedone edhe 3500 marka gjermane, më 15 Shkurt 2002 trupi i dëshmorit Ndriçim Koxha u nxor nga morgu i spitalit të Shkupit dhe u preh në fshatin e tij të lindjes.
Ndriçimi lindi më 6 janar 1971. Në vitin 1992, pasi kreu shërbimin e detyrushëm ushtarak, u nis refugjat ekonomik në Greqi. Kur bëri një dorë para u kthye në Shqipëri dhe vendosi të krijonte familje. U martua me Ardjana Biçakun, të cilëve u lindi Adnani. Pas një viti u shpërngul në Zhamë të Lushnjës, ku kish vendosur të merrte edhe prindërit, me shpresë se babai eskavatorist, i cili kish punuar tërë jetën në minierën e Pishkashit, ndoshta do të mund ta ushtronte atë zanat në fushat e Myzeqesë. Mirëpo kushtet ekonomike e detyruan që të dytën ta shtynte për një kohë më të vonë dhe u nis refugjat për në Maqedoni, ngaqë nuk siguroi dot vizë për Greqi. Fillimisht gjeti punë të përkohshme në Shkup, pastaj në Raçinë. Në Raçinë shkoi në kohën që kish shpërthyer lufta e shqiptarëve në Maqedoni dhe kish dalë në skenë Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Atje u njoh me komandantin nga Berati, Lefter Koxhaj, shkurt flisnin Komandant Teli. E la punën dhe u hodh në radhët e UÇK-së, por pa njoftuar as gruan dhe as prindërit. Ishin të inkuadruar në Brigadën 113 “Ismet Jashari”, e cila vepronte në zonën e Karadakut. Zhvilluan luftime në Sllupçan, Mateq dhe luftimi i fundit ishte ai i Haraçinës me nam. Ndriçimi, Pajtimi dhe Ilir Halimi (të gjithë nga Shqipëria administrative) bënin pjesë në rendimin luftarak të komanduar nga Komandat Teli. Heroizmat e tyre morën dhenë, por kulmi ndodhi në luftën e Haraçinës. Bazuar në forcat pjesëmarëse të armikut, armatimin e tij dhe kohëzgjatjen e luftimit, atë mund ta quajmë lirisht betejë. Heroizmi i Telit, Ndriçimit dhe i Pajtimit në atë luftim mori dhenë. Më pak se tridhjetë luftëtarë të UÇK-së luftuan me një batalion këmbësorie të mekanizuar e të blinduar të ushtrisë së Maqedonisë. Aty u vërtetua, si në asnjë rast tjetër, thënia e Napoleon Bonopartit se shtatëdhjetë përqind e fitores në luftë varet nga morali. Ushtria maqedonase jo vetëm që u step nga kundërsulmi i trimave shqiptarë, por ajo u detyrua të lërë me vrap fushën e betejës, pasi iu asgjësuan 16 tanke e autoblinda, 27 automjete të ndryshme ushtarake, me dhjetëra të vrarë dhe iu kapën robër gati 200 ushtarë. Të tjerët ikën nga sytë këmbët. Në krye të sulmit ishte komandanti i njësitit luftarak të UÇK-së, Lefter Koxhaj së bashku me Ndriçim Koxhën e Pajtim Rocin, duke sulmuar në ballë të njësitit me topa dore. Të nesërmen e asaj beteje, ministri i mbrojtjes i Maqedonisë doli në foltoren e Parlamentit maqedon dhe deklaroi se UÇK-ja ishte më e fortë se ushtria e shtetit maqedon. Kjo deklaratë e dhënë në media ua nxiti edhe më shumë guximin dhe fantazinë luftëtarëve vullnetarë nga shteti amë dhe shokëve të tyre. Gjithashtu ajo fitore rriti entuziazmin në tërë popullin shqiptar në Maqedoni, e cila u shoqërua me shtimin e radhëve të UÇK-së. Kështu krijohet Brigada 114, ku Teli, Ndriçimi dhe Pajtimi me njësitin e tyre special inkuadrohen në atë brigadë. Këta të tre si dhe tre shokë të tjerë të përzgjedhur nga komandant Teli u nisën nga komanda e Brigadës me një detyrë speciale për në Shkup, të shoqëruar nga dy vëllezër luftëtarë nga Gazi Baba e Shkupit. E morën atë vendim pa u konsultuar me udhëheqjen e lartë të UÇK-së, ndoshta nga që ajo që shtabi i brigadës dhe ata kishin menduar ishte një hap i një karakteri më të rrezikshëm dhe që mund t’i kalonte edhe synimet e udhëheqjes së UÇK-së. Natën e 7 gushtit 2001 luftëtarët u futën ilegalisht në qytetin e Shkupit, në lagjen Gazi Babë. Pasi u çlodhën, organizuan ruajtjen me pjesëtarët e familjes dhe ranë për të pushuar, por… nuk u ngritën më. Masakër e plotë, në befasi, në pabesi, në gjumë. Kot nuk thonë se ujët flë e hasmi nuk flë. Nami që kish marrë dhenë për cilësitë luftarake të pashoqe të komandat Telit dhe shokëve të tij qenë bërë objekt vëmëndjeje për shërbimet sekrete vendase dhe të tjera. Duhet të jenë ndjekur hap pas hapi. “Vrasja tradhtisht dhe në minyrë mizore prej policisë sllavo-maqedone”, shkruan bashkluftëtari i tyre, Petrit Mënaj.
Ashtu si dhe për Telin e Pajtimin, edhe për dëshmorin Ndriçim Koxha populli këndon:

Gjaku gjakut tënd të tha bir lufto
E ty Ndriçim Koxha gjaku kurrë s’t’u ftoh
Luftove si trimat, re si një hero
Lule Ndriçim Koxha! Ku je o bir-o.

(D. G.)

Kontrolloni gjithashtu

Bashkim Azem Krasniqi (25.2.1977 - 14.12.1998)

Bashkim Azem Krasniqi (25.2.1977 – 14.12.1998)

Bashkimi lindi në fshatin Zllakuqan, në kompleksin pyjor të Blinajës. Ishte i biri i Azemit ...