Në 27-vjetorin e rënies, kryetari Latifi përkujton dëshmorët Skënder Rexhepi dhe Fitim Duraku

Në 27-vjetorin e rënies, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka përkujtuar dëshmorët Skënder Rexhepin dhe Fitim Durakun, që u flijuan në luftën për çlirimin e tij.

Latifi së bashku me bashkëpunëtorë, me familjarë të dëshmorëve, me bashkëluftëtarë, me drejtues të OVL të UÇK-së dhe me qytetarë, nderuan veprën dhe jetën e tyre.

“Skënder Rexhepi, i njohur si Komandant “Hekuri” dhe Fitim Duraku (Fita), i njohur për përkushtimin e tij në luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me Xhavit Elshanin – Leopardin dhe Mustafë Bajraktarin, derisa ishin në krye të detyrës, më 21 janar 1999, u përballën me pritën e forcave serbe, gjë që çoi në rënien e Skënderit dhe në plagosjen e Fitimit, i cili nga plagët e marra, vdiq më 4 prill, si dhe plagosjen e Xhavit Elshanit dhe të Mustafë Bajraktarit, të dy të ndjerë, të cilët jetuan për ta parë Kosovën të lirë. Ata, me angazhimin e tyre të madh për liri, lanë pas një trashëgimi të madhe atdhetarizmi”.

“Përkujtojmë dhe nderojmë me respekt këta dy heronj, veprimtarë të hershëm të çështjes kombëtare, të rreshtuar në organizata atdhetare që vepronin fshehtë kundër pushtuesit, LPK dhe LKÇK, më pas edhe luftëtarë të paepur të UÇK-së, që s’u ndalën deri në frymën e fundit së luftuari për liri dhe bashkim, si dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e kombit tonë! Qoftë i përjetshëm kujtimi për Skënder Rexhepin dhe Fitim Durakun!”, ka shkruar në “Facebook”, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

 

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj: Rugova i kushtoi rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me Perëndimin

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka përkujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin …