Rama: Gjest domethënës për Kosovën dhe marrëdhëniet me ShBA-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për ftesën e marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin social “X”, Rama e ka cilësuar këtë ftesë si një gjest tejet domethënës ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar.

“Urime zonja presidente, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që gjithashtu jep një sinjal të rëndësishëm për sigurinë dhe përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë”, ka shkruar Rama.

Kryeministri është shprehur se kjo ftesë lidhet edhe me respektin personal ndaj presidentes Osmani dhe me rolin e saj në arenën ndërkombëtare, duke shpresuar që spektri politik në Kosovë ta vlerësojë këtë zhvillim si një dorë të shtrirë nga ShBA-ja.

“Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga presidenti i ShBA-së, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e  për rolin tënd ndërkombëtarisht”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama.

 

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …