Në Malishevë u mbajt mbledhje komemorative  me rastin e vdekjes së kolonel Shefqet Buçaj

Sot në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, nën përkujdesjen e OVL të UÇK-së dhe e mbështetur nga Komuna e Malishevës, është mbajtur një mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së ish veteranit të arsimit, luftëtarit dhe ish eprorit të UÇK-së, Shefqet Buçaj, i cili ndërroi jetë dje. Në këtë mbledhje komemorative, ku morën pjesë zyrtarët të shumtë në nivel qendrorë e lokal, eprorë të lartë të FSK-së e Policisë, bashkëluftëtarë të Buçajt, mësimdhënës, ish nxënës të tij dhe qytetarë të shumtë, folësit evokuan kujtime dhe folën për jetën dhe veprën e kolonel Shefqet Buçaj, për kontributin e tij në arsim dhe në luftë, e deri në ditët e sotme. “Ishte një njeri i kompletuar, një njeri me të gjitha tiparet e mira të një burri, të një mësuesi, një luftëtari, një njeri i kompletuar në të gjitha fushat, që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në luftë, por në ndërtimin e shtetit. Ishte personifikimi më i mirë i emërtimit çlirimtar, ishte i gatshëm të sakrifikohet për lirinë e vendit, një mësues i cili përfundon në çlirimtar, sepse tërë jetën ja ka kushtuar lirisë. Ky ishte Shefqet Buçaj”, ka thënë mes tjerash, Fatmir Limaj, në fjalën e tij, me rastin e vdekjes së kolonel Buçajt, në këtë mbledhje komemorative. Për kontributin e tij në luftë, ka folur Metush Kryeziu, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Malishevë. “Ai ishte një njeri i sfidave, një mësues i jashtëzakonshëm dhe atdhetar i madh”, tha mes tjerash Kryeziu, i cili ka vlerësuar lartë kontributin e kolonel Shefqet Buçaj, para luftës, gjatë luftës dhe në ndërtimin e Ushtrisë së Kosovës, përkatësisht në TMK, ku edhe ishte pensionuar. Në emër të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili gjendet jashtë vendit, ka folur drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, e cila i ka shprehur ngushëllime familje, në emër të qeverisë komunale. Ajo gjithashtu ka folur edhe për kontributin e Shefqetit në arsim, ku nga 1974 e deri më 1998, ka dhënë kontribut të madh, jo vetëm në arsim por edhe në fushën e kulturës, si dhe në edukimin e brezave në fushën e atdhedashurisë. Për jetën dhe veprën e kolonel Shefqet Buçaj, në emër të fshatit ka folur veterani i arsimit, Ramadan Bibaj, ndërsa në emër të familjes, ka folur Albana Buçaj, e cila edhe i ka falënderuar të gjithë për nderimin dhe vlerësimin që i është bërë xhaxhait të saj. Veterani i arsimit dhe luftës, kolonel Shefqet Buçaj është varrosur sot, pranë varrezave të dëshmorëve të Birgadës 121, në Kleçkë.

May be an image of one or more people, people standing and crowd

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të sajë që ta shfrytëzojnë kohen e mbetur për regjistrim

Komuna e Deçanit ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të sajë që ta shfrytëzojnë kohen …