Në moshën 87-vjeçare ka ndërruar jetë, Feride Kurti, këngëtarja shqiptare ndër më të njohurat, më të dëgjuarat dhe më të simpatizuarat

Në moshën 87-vjeçare ka ndërruar jetë, Feride Kurti, këngëtarja shqiptare ndër më të njohurat, më të dëgjuarat dhe më të përkushtuarat. Me zërin e saj sa melodik e të çiltër, por aq shpërthyes e të fuqishëm ajo i bërë jehonë jetës shqiptare të epokës së socializmit, jetës në mobilizim, punë, ndërtim, zhvillim… Ajo sikur edhe shumë këngëtarë e këngëtare të kohës, këngës shqipe i dha  krejt çka mundi e çka pati në qenien e saj prej artisteje të lindur, më vonë e shkolluar dhe e  emancipuar me kujdesin e shoqërisë së kohës.

Në një intervistë  për gazetën “Panorama”, nga gazetari, Hasan Pasha, ajo ka thënë se edhe tani  zgjohet me këngët e saj të bukura dhe me këngët e rapsodëve të tjerë popullorë të kohës së saj. Është mjaft e çiltër teksa bisedon më të, madje nuk ndalet së treguari për rrugën e gjatë që ka ndjekur.

Ndihet mirë kur këngët e saj këndohen edhe në gëzime familjare. Thotë se repertori i saj tani këndohet nga këngëtare të tjera matjane, jo aq mirë sa ajo, por kënga e Feride Kurtit nuk vdes kurrë. Ajo erdhi në tribunën e këngës, kur për këngën kishim shumë uri. Ishte vajza e parë matjane, që merrte atë guxim. Kishte ambicien, që në tempullin e këngës të barazohej me burrat, për të dëshmuar bukurinë dhe fuqinë e zërit të femrës, që njëherësh përfaqëson nënën, motrën, gruan, shqiptaren. Shpërtheu shpirti i saj, zëri që gjer atëherë na kishte munguar. Paralajmëronte ai zë mbërritjen e këngëtares që do ta bënte më të njohur Matin në gjithë Shqipërinë e do të çonte në këmbë qindra e mijëra njerëz në Kalanë e Gjirokastrës, në Pallatin e Kulturës të kryeqytetit, në fshatra e qytete, anembanë vendit. Një mal me këngë për luftërat e lirisë, një gjerdan me këngë lirike matjane, që janë të rralla për meloditë dhe vargjet e ndjera, pruri e përcolli viteve Feride Kurti. Ajo na bëri më të bindur se në jetën tonë kënga lirike ka vendin e pazëvendësueshëm, që na afron më shumë me sofrën, me të bukurën, me dashurinë, me lirinë e vetvetes. “Çaheshin” radiot kur këndonte Feride Kurti këngën “Cucë e bukur moj matjane”, “A e mban mend e vogëlo”, “Valëzat e Liqenit”, “Ndalu mbret se k’tu s’asht Roma” dhe mbi 60 këngë të tjera që ruhen në fondin e artë të Radio Tiranës dhe TVSH-së.

Jeta për Feride Kurtin ishte kënga. Ndryshe ajo nuk do të bëhej aq e kërkuar në katër anët e vendit, madje edhe jashtë atdheut. Një ekip nga Radio Televizioni i Prishtinës, kishte qëndruar disa ditë në Burrel për të regjistruar këngën e Feride Kurtit kushtuar Heroit të Popullit Vasil Laçi dhe disa këngë të tjera folklorike.

Ferideja sakrifikonte për këngën, jo në emër të emrit të saj, por për të përfaqësuar Matin në aktivitetet e rëndësishme kombëtare. Ka pasur në jetën e saj një çast shumë të hidhur, kur zëri i përcillte këngën dhe sytë i pikonin lot. Pse ndodhi kjo?  Nga një sëmundje e rëndë i vdes bashkëshorti, Hysen Reçi. Kjo fatkeqësi përkoi me ditët kur grupi artistik i Matit përgatitej për të konkurruar në një festival në shkallë kombëtare. Po a mund të shkonte ai grup pa zërin e këngës matjane, Feride Kurtin? Jo. Të zënë ngushtë se do të rrezikohej pjesëmarrja në atë festival, disa pjesëmarrës të ansamblit “Mati” i thanë asaj se dhe ata nuk do të shkonin. Në ato kushte, këngëtarja mori vendimin që ishte krejt i papritur. Ajo do të dilte për të kënduar, por kishte frikë se mos e tradhtonte zemra. Por zemra e dhimbjes dinte t’i bënte vend këngës edhe si ngushëllim. Bënte prova në skenë dhe dilte e qante pas kuintave. Binte pak në sy kur zërin ia shoqëronin lotët. E pra, teksti dhe melodia e këngës ishin shpërthime të gëzuara, “Valëzat e liqenit”. Këtë mund ta bënte vetëm një grua e rrallë. Dhe vërtet në Mat Feride Kurtin e zgjodhën për model dhjetëra vajza matjane të talentuara, por megjithatë ajo nuk u arrit dhe mbeti e papërsëritshme. Këtë e pranojnë Vera, Selvia, Florina, Fatmira, Drita pasardhëse në këngë e Ferides. Ajo ishte dhe do të mbetet shpirti i zjarrtë i këngëve epike dhe lirike të trevës së Matit, e përcjellë nga këngëtarët ndër breza. Ka qenë Radio Kukësi,  që këngët e Ferides i ka përcjellë për shqiptarët matanë Drinit, në Kosovë e Maqedoni dhe përtej liqenit të Shkodrës, Radio Shkodra, në Mal të Zi. E thjeshta dhe e madhja Feride Kurti “qëndisi” për Matin një gjerdan me këngë popullore. Sa herë do t’i dëgjojmë ato këngë, apo t’i sjellim në kujtesë ato vite të zhvillimit të vrullshëm, të veprimtarive kulturore artistike të Burrelit, do të themi: “Ah, kur këndonte Feride Kurti!”. Artistja e këngës ende e ruan zërin e bukur. Mosha s’ka mundur t’ia heqë atë të drejtë.

Për mua, kënga ka qenë dhe mbetet jeta ime. Kam kënduar që e vogël dhe ende këndoj, por tani jo në skenë, por në shtëpi dhe gëzime familjare. Jam 75 vjeçe dhe nuk kam takat të këndoj. Për herë të fundit kam kënduar në Pallatin e Kulturës Burrel, 5 vjet më parë, kur “Mat Tv” organizoi për mua një recital dhe Këshilli i Bashkisë më dha titullin “Qytetare Nderi” e vendlindjes sime. Unë zgjohem nën tingujt e këngëve të mia, që i kam të incizuara dhe këngëve të tjera nga treva e Matit apo vise të tjera shqiptare.

Dua ta them me zë të lartë: Kënga është jeta ime. Unë nuk e kuptoj jetën pa muzikë.

Më duket sikur jam në skenë, sikur kam përpara publikun që më ndjek më vëmendje, më duartroket. Kujtoj kur njerëzit çoheshin peshë nga këngët e mia, madje më shoqëronin nga fillimi në fund. Ndiej emocion të veçantë, sepse edhe në ditët e sotme, në shumë familje, në dasma, fejesa e koncerte këndohen këngët e repertorit tim. Madje këndohen në grup. Zemra mal më bëhet dhe kam dëshirë të jem edhe unë aty, ku këndohen këto këngë.

Kam kënduar që 10 vjeçe, me grupet artistike të shkollës dhe pastaj në Pallatin e Kulturës në Burrel. Kam pasur fatin e madh të punoj ndër vite me kompozitorë të zotë, krijues të talentuar dhe instrumentistë virtuozë. Pikërisht këto dhe kolegë të tjerë kanë qenë një mbështetje e madhe për mua. Teksa i kujtoj, zemra më mbushet me mallëngjim. Pikërisht këto ditë u nda nga jeta njëri nga instrumentistët e Orkestrinës së Matit, Xhevat Loshi nga Shkodra, dhe lotët më rrjedhin krua. Me disa nga bashkëpunëtorët e mi mbaj lidhje të forta edhe tani, ndërsa me të tjerë nuk kam pasur kontakte.

Kam punuar kryesisht si shitëse e biletave në kinemanë e qytetit dhe si sanitare në Pallatin e Kulturës. Edhe punoja, edhe bëja prova për t’u paraqitur sa më mirë në skenë. Kështu ishte koha. Nuk u gjet një punë tjetër për mua.

Vazhdimisht kam takuar udhëheqës të kohës në aktivitetet e mia, sidomos në festivalet e organizuara në Gjirokastër. Jam takuar edhe me Enver Hoxhën, në një nga kongreset e grave, por nuk më kujtohet ç’vit ka qenë. Kur Enveri iu afrua grupit tonë, njëri nga ish-drejtuesit e partisë së asaj kohe i tha ish-udhëheqësit: “Shoku Enver, kjo është këngëtarja, Feride Kurti”. Ai m’u afrua, më përqafoi dhe më tha: “Të lumtë! Ju i këndoni shumë bukur trimave e heroizmit të popullit”. Sigurisht që më erdhi mirë. Kush nuk do të ndihej mirë asokohe, kur udhëheqësi më i lartë të takon dhe të vlerëson. Megjithëse në ato vite nuk mund t’i shpëtoje politizimit të këngëve, repertori im ka qenë disi i veçantë. Numri më i madh i këngëve ishte për natyrën, bukurinë e vajzës matjane, trimave të krahinës dhe Shqipërisë etj.

Më shumë më ka ngjarë vajza e vëllait, Moza. Ajo këndon bukur, më ngjan mua. Kënaqem shumë kur e dëgjoj. Edhe vëllai im, që nuk jeton më, Dilaveri, pati kënduar, sidomos në gëzime familjare.

Këngët e mia këndohen jo vetëm në rrethin e Matit. Disa prej tyre këndohen edhe jashtë kufijve, në Kosovë, Maqedoni e kudo në trojet shqiptare. Sipas kolegëve të mi, ato i këndojnë më mirë këngëtaret: Drita Suci e Florina Tefa. Shumë nga disqet e kënduara nga këngëtare të tjera i dëgjoj me shumë dëshirë.

 

( Ahmet Qeriqi: nga libri në dorëshkrim: “Nëpër shekuj kënga e popullit”)

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …