Në Viti u promovua libri “Etika në media sociale-Rasti i Kosovës”

Është promovuar libri “Etika në media sociale rasti i Kosovës”, i autores Dr.Sc. Lirije Aliut, që për tematikë ka rolin e mediave sociale në shoqëri, respektivisht zbatueshmërinë e kodit etik, karshi gazetarisë objektive e të paanshme. Shkrimtari Sabit Rrustemi, duke folur për rendësin që ka ky libër, tha se një hulumtim në këtë fushë, ka qenë domosdoshmëri, me që shpërfaq anët negative e pozitive të mediave sociale. “Prandaj, ky libër, lirisht mund të themi se i adresohet atyre që e bëjnë gazetarinë në mediat sociale, e që shpesh e informojnë opinionin pa ndonjë argument të saktë e real për ngjarjen. Si shtëpi botuese “Beqir Musliu” në Gjilan, në kushte pandemie kemi botuar 20 tituj librash. Libri i sotëm i Lirije Aliut, është shumë i rëndësishëm, andaj edhe jam shumë i nderuar që gjendem këtu”, tha Rrustemi. Kryetari i komunës Sokol Haliti, duke përshëndetur të pranishmit, ka përgëzuar autoren e librit për hulumtimin që ka bërë rreth saktësisë së mediave sociale, apo të kundërtën, e që ndikon në zhvillimin shoqëror në përgjithësi. “Ngritja e femrave intelektuale në Viti, më gëzon shumë. Siç më gëzon edhe promovimi i librit të Lirije Aliut, e që karakterizon një tematikë shumë të rëndësishme. Autorja e librit, ka qenë kontribuuese në shoqëri edhe në etapa të ndryshme. Edhe si një aktiviste e kulturës në moshën rinore, pastaj si zyrtare komunale për vite të tëra. Mandej edhe në edukimin e brezave si punëtore arsimore, si dhe së fundmi edhe si autore e një libri që ka për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë, karshi medias dhe rrjeteve sociale. Jemi krenar edhe me veprimtarinë dhe aktivitetin letrar të Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, për çka i falënderojmë për punën sepse në këtë mënyrë po ruhet kultura, libri dhe vazhdimësia e krijimtarisë letrare”, tha kryetari Haliti. Me këtë rast ai ka nderuar me mirënjohje autoren e librit, për gjithë kontributin e dhënë deri më tani. Për librin ka folur edhe prof.dr. Sahadete Tërrnava, e cila theksoi se autorja ka dhuruar lexuesit për më shumë se 200 faqe hulumtim ku shtjellohen normativat ligjore vendore e ndërkombëtare. Autorja sjell mungesën e debatit cilësor në të shumtën e debateve që zhvillohen në media, prek lajmet e rreme të cilat edhe ndikojnë negativisht në shëndetin publik, etj, tha ajo. Për librin kanë folur edhe prof.dr. Mustafë Kadrijaj e prof..dr Sadik Haxhiu. Ndërsa në fund, autorja dr.sc Lirije Aliu, është shprehur se e gjitha puna e saj, nuk ka pasur për qëllim vetëm kontributin shkencor, por edhe atë të vetëdijesimit e opinionin publik, karshi veprimtarisë së medias, në këtë rast të asaj sociale. Ajo më tej përmendi se në bazë të hulumtimit të bërë, ka hasur në faktin se kodi etik i gazetarisë zbatohet minimalisht dhe ky është një shqetësim që atakon gjitha kategoritë e shoqërisë në Kosovë. “Me gazetar të mirë, e me një gazetari të mirëfilltë, arrihen majat e demokracisë”, është shprehur ndër të tjerash autorja e librit Lirije Aliu.

May be an image of 3 people and people standing

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …