Gjergj Kastrioti - Skenderbeu

Nelson R. Çabej: Mbi faktet dhe të vërtetat historike rreth origjinës së Skënderbeut

Debati i sotëm mbi prejardhjen e nënës së Skënderbeut, edhe pse një çështje anësore në historinë e Shqipërisë, ka ngjallur interesin dhe reagimin e një pjese të mirë të lexuesit shqiptar, dhe jo pa arsye: ai prek, edhe pse tërthorazi, prejardhjen e heroit kombëtar të shqiptarëve, me të cilin lidhet në një masë të konsiderueshme miti i jonë kombëtar dhe lufta e popullit shqiptar për të mbijetuar në kushtet e jashtëzakonshme të mbi 20 shekujve sundimesh të huaja, romake, bizantine, bullgare, serbe dhe osmane.

Ky debat më shtyu të shpreh mendimin tim modest lidhur me dy çështje që dalin në shkrimet e fundit të z. Nano.

Së pari, lidhur me pikëpamjen e tij se nëna e Skenderbeut ka qënë ose sërbe, ose bullgare, ose maqedone, ndonëse Vojsava, si çdo njeri tjetër, nuk mund të kishte lindur me më shumë se një kombësi. Me një kombësi të katërt, greke, ka dalë në komente këtu në Dita edhe Skenderbeu vetë. Kjo etje për  të përvetësuar lavdinë e huaj nuk është as e re dhe as e pashëmbëllt. Pa dashur, ajo na kujton nga Greqia e lashtë pretendimet e disa qyteteve se ishin vendlindja e Homerit. Autori nuk sjell ndonjë fakt të panjohur nga historiografia shqiptare, që do të bënte të nevojshëm rishikimin e pikëpamjes se nëna e Skënderbeut ishte shqiptare. Burimet në të cilat ai mbështetet nuk kanë kurrsesi vlerë dokumentare. Ato nuk janë as dokumente të shkruara nga bashkëkohës, as burime nga dëshmitarë andaj, si të tilla, nuk janë fakte. Le të mos harojmë se edhe dokumentet e kohës mund të jenë të pasakta ose të gabuara, ndaj nuk mund të merren në mënyrë jokritike si fakte.

Është thelbësore të mbahet mënd se çdo pohim për një prejardhje joshqiptare të nënës së Skënderbeut do ta ngarkonte pohuesin me barrën e provës (onus probandi), d.m.th., do të kërkonte prej tij të sjillte prova autentike, të cilat mund të thuhet me siguri që mungojnë, andaj nuk ka si t’i gjejë.

Këtu unë nuk kam ndër mënd të argumentoj të kundërtën e kësaj pikpamje për dy arsye.

Së pari, se më mungon kompetenca e nevojshme,

Së dyti, sepse këtë e kanë bërë më parë historianë të mirë profesionistë të periudhës përkatëse,

Së treti, dhe mbi te gjitha, sepse shtypi dhe media masive dëgjuese-shikuese mund të jetë çdo gjë tjetër, por jo vëndi i duhur për të rishikuar një ide që ka mbizotëruar që nga Rilindja Shqiptare dhe në tërë historiografine tonë kombëtare, që nga  Barleti deri në ditët tona.

Në historinë dhe historiografinë e shqiptarëve nuk ka e nuk mund të ketë tabu a tema të ndaluara, as autoritete të paprekshme. Por shtypi joprofessional, mas-media në përgjithësi, nuk është vendi përshtatshëm për hedhjen e ideve që synojnë të rishikojnë çështje, sado jothelbësore që të jenë,  të historisë së Shqipërisë. Qysh nga shekulli XVII, me fillimet e shtypit shkencor, idetë a hipotezat e reja paraqiten vetëm në revista të specializuara ku mund t’i nënshtroheshin shqyrtimit dhe vlerësimit kritik të tyre. Andaj sot, në shekullin XXI, një çështje si prejardhja e nënës së Skënderbeut, edhe në qoftë se duhet rishikuar, kjo mund dhe duhet të bëhet vetëm në forumet përkatëse shkencore dhe jo në të përditshmet tona, sado të respektuara të jenë këto.

Duke u përpjekur të shmang ndonjë keqkuptim të mundshëm, po theksoj se vënia në dyshim e prejardhjes shqiptare të nënës së Skënderbeut, nuk prek thelbin e historisë së luftës famëmadhe të shqiptarëve nën udhëheqjen e tij. Edhe nga tekstet më të thjeshta të historisë, lexuesi di se, për arsye politike, ekonomike, ushtarake, kulturore, etj. dinastët në të gjitha vëndet e Europës (Francë, Angli/Britani e Madhe, Gjermani/Austri, Rusi, Turqi, Sërbi, madje dhe Shqipëri, etj.), për shekuj me radhë janë martuar me princesha të huaja. Megjithatë, askush nuk ka vënë në dyshim etnicitetin francez, anglez/britanik, gjerman/austriak, rus, turk, serb, shqiptar, etj. të mbretërve pasardhës. Në vënde ballkanike si Greqia, Bullgaria dhe Rumania, mbretërit kanë qënë me prejardhje dyprindërore të huaj (dhe martoheshin me princesha tw huaja) e parpëseprapë njihen si mbretër të atyre popujve. Sepse etniciteti i një individi nuk është një koncept racial më tepër se sa kulturor, që lidhet jo thjesht me prejardhjen e tij biologjike, por mbi të gjitha me ndjenjën e tij  etnike, gjuhën, besimin, doket, moralin, veprimtarinë dhe botën shpirtërore të tij në përgjithësi.

Çështja e dytë që dua të prek, është pohimi i tij, se nuk dihet cilët janë paraardhësit tanë ose, siç shprehet ai “do të na duhet të provojmë që shqiptarët rrjedhin prej ilirëve”.

Ideja se duhet dyshuar në çdo gjë (de omnibus dubitandum) nuk mund të përçmohet. Ajo është një vlerë intelektuale dhe karakteristike e dijetarit. Por dhe ajo ide ose prirje ka kufizimet e saj dhe, nëqoftëse ajo lihet “hergjele”, ose keqpërdoret, mund të kthehet në antivlerë. Dyshime ka pasur e ka edhe sot për thuajse të gjitha teoritë e medha edhe në fushën e shkencave natyrore, të cilat nuk mëtojnë kurrë të prodhojnë të vërteta absolute (dhe kjo i dallon ato nga fetë monoteiste), me gjithë sukseset e jashtëzakonshme të zbatimit të atyre njohurive në jetën e njerëzimit.

Nëqoftëse siguria absolute do të ishte shosha nëpër të cilën do të kalonte tërë historiografia botërore, atëhere vetëm pak gjëra do të mbeteshin mbi të. Sipas një kriteri të tillë absolutist, shpjegimet e pranuara me konsensus për prejardhjen inodeuropiane të popujve të Europës, prejardhjen indoeuropiane të greqishtes së lashtë, për shkakun pse Konstantini i Madh e lëvizi  kryeqytetin nga Roma në Byzantium, ose pse shqiptarët i shpëtuan romanizimit, do të konsideroheshin të pabazuara. Po kështu mund të thuhet edhe për shpjegimet e pranuara pwr prejardhjen e grekëve, latinëve, gjermanëve, baltëve, rusëve e sllavëve të Ballkanit, e kështu, me radhë.

Të na thuhet se të gjitha ato shpjegime konsensuale “do të na duhet t’i provojmë”, në rastin më të mirë do të thotë të kalonim nga mbretëria e arsyes drejt asaj të absurdes. Historiografia nuk është as mund të bëhet shkencë e të vërtetave absolute (as të ashtuquajturat shkenca ekzakte nuk e kanë atë privilegj). Kur vjen puna për  ngjarje a procese (siç është formimi i popullit shqiptar),  që kanë ndodhur në periudha të varfërisë së burimeve si ato të Lashtësisë së vonë dhe heshtjes thuajse absolute të tyre në Mesjetën e hershme, jo vetëm për historinë e shqiptarëve, por edhe për atë të latinëve, grekëve, sllavëve të Ballkanit e thuajse të të gjithë popujve të tjerë të Europës, mund të flitet jo për fakte, por për të vërteta historike që e kapërcejnë pragun e dyshimit të arsyeshëm. Ndryshe nga faktet, të vërtetat historike nuk janë dëshmuar në mënyrë shqisore, as të riprodhohen ose falsifikohen, siç mund të bëhet në shkencat e natyrës.

Historianët arrijnë në përfundime të besueshme duke u bazuar në shqyrtimin kritik dhe interpretimin logjik të të dhënave që kanë në dorë, por fakti që interpretimi në çdo rast është subjektiv bën që dhe përfundimet e arritura të jenë subjektive, veçanërisht për çështje të tilla  si prejardhja ilire e shqiptarëve që, të paktën këto dy shekujt e fundit, ka qënë një pëlhurë e kuqe për demat e politikës antishqiptare kudo që janë. Është për këtë arsye, që pikëpamje që kundërshtojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, sidomos në median e vendeve fqinjë, kanë mbirë e do vazhdojnë të mbijnë deri në një të ardhme të parashikueshme. Por, siç dihet, ato pikëpamje kanë mbetur në një nivel kryesisht propagandistik e në rastin më të mirë (Weigand, Selishçev, Georgiev, Schramm) nuk kanë mundur të ngrihen në rangun e një hipoteze rigorozisht shkencore.

Për fat të mirë, përkundrejt këtyrë pikëpamjeve nënshkencore, ne sot kemi një teori të plotë shkencore të prejardhjes ilire të shqiptarëve. Prejardhja ilire e shqiptarëve është një e vërtetë historike, që ka dalë nga shqyrtimi kritik i gjuhës, kulturës dhe historisë së këtij populli nga prijsa  botërore të historiografisë dhe gjuhësisë. Themelet e saj u hodhën tre shekuj më parë në të ashtuquajturat “letrat shqiptare” të enciklopedistit, matematikanit dhe filozofit më të madh të kohës, Gottfried Wilhelm Leibniz, për t’u ngritur, mbështetur, zgjeruar e pasuruar më vonë në studimet e historianëve dhe gjuhëtarëve më të mëdhenj të kohës, Thunmann, Niebuhr, Bopp, Mommsen, Schleicher, Kretschmer, Jokl dhe Eqrem Çabej. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …