Nezir Myrtaj: Rrugë e papërfunduar

Ahmet Qeriqi: “Rrugë e papërfunduar”e analistit, Nezir Myrtaj,vepër me rëndësi për publicistikënshqiptare   Libri publicistik “Rrugë e papërfunduar”, i analistit Nezir Myrtaj, është sajuar nga komente të caktuara, “kryesisht të karakterit politik” që kanë të bëjnë me periudhën e pas mbarimit të luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999 e deri në shkurt të vitit 2003. Në këtë libër janë trajtuar tema të ndryshme si: disfata e turpshme e forcave kolonialiste serbe në Kosovë, kthimi dhe marshimi i çlirimtarëve dhe i ushtarëve të NATO-s në vendin tonë, transformimi i UÇK-së në TMK, pastaj shkrime me përmbajtje sociale, komente për robërit e luftës, për të zhdukurit, për pasojat e luftës, për qytetin e ndarë të Mitrovicës, për zgjedhjet e lira, për opstrukcionet e Serbisë, për dërgimin e Milosheviqit në Hagë dhe tema të tjera, ku me shumë sukses është trajtuar sidomos skena e mjerë dhe e varfër politike e Kosovës, lëshimet dhe profanitë e papërgjegjshme të grupeve e klaneve të caktuara politike. Duke mbetur parashikues realist, pse jo edhe vegimtar tejet i thellë i proceseve politike, nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, analisti Myrtaj, në “parathënien” e këtij libri me kohë ka shfaqur brenga e shqetësime lidhur me këtë proces, duke vërejtur me vëmendje se “për të arritur deri te çlirimi dhe liria e ëndërruar nga brezat, duhet bërë edhe shumë rrugë. Mospërfillja e këtij fakti, mund të bëhet njëri prej faktorëve, që do të ndikonte në zgjatjen e kësaj rruge, prandaj kam bërë përpjekje që shqetësimin tim individual ta ngris në atë kolektiv, për shkak të çorientimit dhe devijimeve të ndryshme brenda shoqërisë sonë të pasluftës”.   Nuk ka si të shprehet ndryshe një shqetësim i tillë tejet i ndërgjegjësuar, individual edhe kolektiv, për të parë dhe për t’ u bindur më në fund, se pikërisht nga devijimet e tilla, që i bëri kreu politik i Kosovës, kemi mbetur këtu ku jemi. Asnjë analist tjetër në Kosovë, nuk ka bërë parashikime të tilla kaq vegimtare. Vetëm analisti, Partik Mur, kohë pas kohe ka bërë parashikime të tilla, por për mendimin tim, parashikimet e z. Myrtaj janë shumë më të thella, më objektive, sepse ato burojnë nga një përvojë e gjatë e perceptimit autentik të realitetit të së kaluarës dhe së tanishmes. Ato kanë mbështetje pozicionin realist politik, shoqëror, kombëtar e filozofik. Ky pozicion ka qenë dhe ka mbetur alfa dhe omega e preokupimeve të autorit, jo vetëm si analist, por në radhë të parë si personalitet me ego dhe dinjitet, me një të kaluar, e cila shkëlqen në drejtim të aktivitetit të gjithanshëm, në rrugën tejet të rrezikshme dhe të vështirë të realizimit të aspiratave tona kombëtare. Nga kjo përvojë dhe nga ky qëndrim, gjithmonë i pathyeshëm dhe i palëkundshëm, mbështetur kurdoherë në të drejtën dhe në të vërtetën, Nezir Myrtaj, tashmë ka krijuar filozofinë autentike të vrojtimit të proceseve politike e shoqërore, të cilat në veçanti kanë të bëjnë me problemet tona kapitale kombëtare, “në rrugë të papërfunduar”, ende në një rrugë “eksperimentale”, në të cilën tashmë janë implikuar faktorët kryesorë vendimmarrës ndërkombëtarë. Të marrësh në shqyrtim, analizat, komentet dhe vështrimet e z. Myrtaj, ose të bësh përpjekje për të definuar konceptet e tij filozofike, të bësh përpjekje për të dhënë gjykime të prera lidhur me problemet, që ai ka trajtuar dhe trajton aktualisht, është një punë tejet e vështirë, sepse Neziri ka qenë dhe vazhdon të mbetet një sfidues i llojit të vet, një sfidues që të përkujton dialogun sarkastik të Sokratit, maturinë dhe thellësinë meditative të Aristotelit, zërin burrëror të Platonit, ashpërsinë e shpatës së Skënderbeut, e cila godet nga të gjitha anët dhe jehonën e krismave të luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.   Pikërisht për këtë, analizat e tij politike janë krijime të veçanta, jo vetëm publicistike e artistike. Nuk janë këto krahasime pa mbulesë, sikur mund të mendojë ndokush, i cili ende nuk i ka lexuar komentet dhe analizat e z. Myrtaj, por janë dëshmi, që flasin për një penë, jo vetëm të talentuar, një penë, jo vetëm të latuar me kujdes e korrektësi, me të cilën ai ka shënuar gjykimet më realiste dhe më të thella në publicistikën tonë në përgjithësi. Përderisa marr të drejtën të bëj gjykime dhe krahasime të tilla, këto do të mundohem ta vërtetoj përmes analizave dhe dromcave filozofike të z. Myrtaj, i cili shkrimet e tij i ka kualifikuar si shkrime publicistike, por ato në esencë janë shumë më tepër se një publicistikë, cilado qoftë ajo. Në fillim të kapitullit të parë të përmbledhjes “Rrugë e papërfunduar” në komentin “Prerja e nyjës gordiane” ai ka konstatuar: “Më 24 mars të vitit 1999, në raportet midis Kosovës dhe Serbisë, u bë prerja e nyjës gordiane dhe njëkohësisht kthesa e madhe historike… Ajo ditë vulosi synimin e përhershëm të shqiptarëve për t i dhënë fund kolonializmit serb mbi Kosovën dhe hapi faqen e re të historisë së saj: faqen e jetësimit të lirisë dhe pavarësisë së synuar… Përderisa pas 24 marsit Kosova është dhe do të jetë ndryshe, Serbia po vazhdon drejt perspektivës që ia ka trasuar Milosheviqi. Ky parashikim shumë i qartë, po mbetet edhe sot e kësaj dite një konstatim shumë aktual për mendësinë kolonizatore serbe, që shprehet me votëbesimin, që ky popull i ka dhënë radikalëve të Sheshelit e socialistëve të Milosheviqit. Në shënimin e shkurtër “Kush i pari?” Nezir Myrtaj i ka dhënë një përgjigje meritore dilemës se kush hyri i pari në Kosovë më 11 e 12 qershor të vitit 1999. Ai, me vëmendjen e analistit të ditur dhe të përgjegjshëm ka konstatuar se “në njëvjetorin e triumfit shqiptaro-ndërkombëtar mbi Serbinë kolonialiste, gjatë vlerësimit të rolit të faktorëve triumfues, na ka rënë të dëgjojmë edhe spekulime se “kush hyri i pari në Kosovë, KFOR-i apo UÇK-ja? Një pyetje e tillë nuk ka kuptim të shtrohet, për faktin e lidhmëria e këtyre dy faktorëve çlirimtarë ishte e pashkëputshme. Çdo përpjekje për t’ i trajtuar shkëputurazi këto merita nënkupton fyerjen e UÇK-së, por edhe mohimin e kontributit të NATO-s për vendosjen e paqes”. Edhe këtu kemi gjykimin e drejtë të një vizionari, një njohësi të shkëlqyeshëm të rrethanave relevante historike dhe jo vetëm kaq. Duke komentuar ikjen e serbëve nga Kosova, në qershor të vitit 1999, Nezir Myrtaj vlerëson se “ikja e serbëve nga Kosova, nuk mund të trajtohet si pasojë e veprimeve të shqiptarëve, meqë ikja e tyre është rezultat i politikës kolonialiste të shteti të tyre dhe i dështimit të synimeve antishqiptare serbe, të kthyera në bumerang fatal”, për të konstatuar se serbët e pafajshëm nuk janë larguar nga Kosova, ndërsa serbët e fajshëm paraqesin palën e ndëshkuar ndërkombëtarisht. Me rastin e bisedimeve, lidhur me kthimin e serbëve nga kreu politik i Kosovës, nuk janë marrë në konsideratë këto gjykime realiste dhe as është biseduar fare lidhur me ndërtimin e një strategjie mbarëkombëtare mbi këtë pozicion. Në mesin e analizave gjithnjë largpamëse, do të veçoj me këtë rast një konstatim shumë domethënës nga shënimi “Heshtja që do të flasë më vonë”. Nga analiza që i ka bërë situatës në Kosovë dhjetë muaj pas çlirimit të vendit nga okupimi serb, Myrtaj ka identifikuar përçarjen e faktorit ndërkombëtar, në bazë të interesave, dobësimin e faktorit evropian për të përfunduar se “Realiteti i sotëm është dëshmues se problemet në Kosovë kanë arritur deri në shkallën, përtej së cilës nuk mund të shkohet, pa rrezikuar krejt atë që është investuar për të krijuar një realitet të ri. Trendet shqetësuese të zhvillimeve në Kosovë dhe tendencat e shpërthimeve në trojet shqiptare jashtë saj, paraqesin dëshmi komprometuese për faktorin evropian dhe njëkohësisht imponojnë aktivizimin e atij amerikan”. Këto konstatime kanë qenë dhe do të mbesin jo vetëm konstatime që ende e ruajnë aktualitetin, por mbi të gjitha janë gjykime të shëndosha, lidhur me ndikimin e domosdoshëm amerikan deri në përfundim të përcaktimit të statusit të Kosovës.   Duke komentuar arrestimin dhe dërgimin në Hagë të kryekriminelit serb Milosheviq, analisti, Nezir Myrtaj me gjuhën dhe stilin e tij shumë të pasur me figuracione artistike, me gjuhën e fitimtarit flet për “Shitjen e kokës së perandorit”. Ai, (Milosheviqi) nuk ndodhet më në Burgun Qendror të Beogradit dhe as në tokën e Serbisë së tij, të cilën kishte ëndërruar ta bënte të madhe. Brenda kësaj Serbie ai ka lënë gjurmët e këmbëve të tij, përkrahësit e vet dhe turpin e Serbisë… Mirëpo është e padiskutueshme se kryekriminelit të Beogradit dhe përkrahësve të tij, tashmë edhe Serbia e vogël do t’u duket tepër e madhe”.   Në pjesën e dhjetë të librit “Rrugë e papërfunduar”, në kapitullin “Parafrazim dilemash” analisti, Nezir Myrtaj, ka sintetizuar në mënyrë kronologjike segmentet kryesore të “çështjes shqiptare” në përgjithësi, e në veçanti të “çështjes së Kosovës” dhe të trevave shqiptare, të ndara e të shkapërderdhura në shtetet e Ballkanit, duke konstatuar se “shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme politike vazhdojnë të jenë të pjesëzuar e të ndarë me kufij të dhunshëm. Luftërat e fundit çlirimtare që bënë ata, ishin përpjekje dhe gjasë kolosale për të arritur realizimin e aspiratës për çlirim kombëtar. Një gjasë e veçantë historike, për t’ u çliruar e pavarësuar, duke bërë më të afërt e më të lehtë zhvillimin e mëtejshëm të procesit të natyrshëm të bashkimit kombëtar. Mirëpo kjo gjasë, sot vazhdon të jetë e pezullt, ashtu siç është edhe statusi politik i Kosovës”… Në vazhdim të parafrazimit të dilemave, Myrtaj ka diagnostifikuar të gjitha rrethanat shoqërore, politike, ekonomike dhe të gjitha zhvillimet, që e degjeneruan procesin në përgjithësi dhe që ndikuan në restaurimin e status-quosë së rrezikshme, e cila do të shpërthejë me revoltën e 17 dhe 18 marsit të vitit 2004. Në mesin e shumë faktorëve që ndikuan në stërkeqen e procesit afirmativ, në rrugë drejt pavarësisë, ai ka stigmatizuar feudo-mentalitetet e së kaluarës dhe një mori faktorësh të tjerë, të cilët ndikuan në frenimin e rrugës drejt zgjidhjes së shpejtë të statusit të Kosovës. Me shumë të drejtë ka konstatuar se “ pas fitores së luftës, në Kosovë, në vend të një mentaliteti, të një logjike e të një kulture të re fitimtare, u restaurua shprehia e vjetër publike. Si rezultat i dominimit të logjikës së rikthimit, në çdo sferë të jetës, e reja u sfidua nga e vjetra. Në përputhje me këtë logjikë pozitën e tyre të mëparshme e aspiruan të gjithë ish-nëpunësit, ish-policët, ish-shefat, ish-drejtorët, ish rojet e pyllit, ish-kasapët dhe ish bashkëpunëtorët e pushtetit serb, Për fat të keq, kjo pozitë jo vetëm u aspirua, por në shumë raste edhe u rikthye, sepse shoqëria kosovare, pas luftës, nuk arriti t’i ndërpresë fijet e lidhjeve midis matrapazëve, tregtarëve e bashkëpunëtorëve shqiptarë dhe padronëve të tyre të deridjeshëm serbë.   Në pasqyrimin e realitetit, i cili u imponua pas luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare, analisti, Nezir Myrtaj, shkaktarët e vërtetë të degradimit të vlerave të luftës nuk i ka kërkuar vetëm te qarqet e huaja apo te administrata ndërkombëtare, por i ka identifikuar përbrenda vetë faktorit shqiptar, përbrenda klasës durimtare e servile, e cila në kushte dhe rrethana të caktuara, me servilizmin e njohur e mirë të mësuar ndaj padronit, cilido qoftë ai, u vu në shërbim të qarqeve të caktuara, të cilat ndikuan në zvarritjen dhe stërkeqen e procesit politik që po zhvillohej në Kosovën e pas luftës. Ai me keqardhje ka konstatuar se “në vitet e pas luftës, mijëra shqiptarë deklaruan shtetësinë jugosllave përmes dokumenteve të ndryshme civile e shtetërore. Me qëllim për të përmbushur nevojat e tyre personale ata bashkëpunuan me mafian serbe duke u mundësuar atyre për t’ i mbrojtur interesat pronësore në Kosovë”….   Pas një analize të gjerë dhe të gjithanshme që i bën realitetit mbizotërues në Kosovë, në vitet e para të pas luftës, analisti largpamës, Nezir Myrtaj, ka shkoqitur edhe një segment shumë domethënës që degradoi në restaurimin e mentalitetit të vjetër, të mentalitetit të robit, i cili mbase është rrjedhë e sundimit të huaj shumëshekullor. Ai, pasi ka vënë në spikamë të gjithë faktorët që quan në këtë, ende “rrugë të papërfunduar”, në këtë rrugë e cila zgjati më shumë se tetë vjet, ka veçuar edhe një segment tjetër realist, i cili po ashtu është shumë sinjifikativ. Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve të para dhe të dyta pas dëbimit të forcave okupatore serbe nga Kosova, ai ka nënvizuar se “Testimi më i qartë i ndjenjave dhe i ndërgjegjes së shoqërisë kosovare u bë me rastin e zgjedhjeve vendore dhe atyre qendrore. Në këto zgjedhje shumica e elektoratit shqiptar, dëshmoi përcaktimin e tij, në favor të forcave të dyshimta politike, madje edhe të personave, të cilët e kishin penguar luftën dhe jo në favor të forcave të reja politike. Rasti i Kosovës, në këtë kontest bëri përjashtim nga të gjitha vendet e tjera të rajonit të dala nga lufta, me përjashtim të Serbisë”.   Krijimtaria e z. Myrtaj shkëlqen ashtu sikur shkëlqen margaritari, të cilit kurrë nuk i humbet vlera. Ajo, është e tillë, sepse është shkruar me përkushtim, e mbështetur në një pozicion të fortë kombëtar, është shkruar me ndërgjegje dhe përgjegjësi të thellë kombëtare e politike. Shkrimet e tij mbi të gjitha shquhen për gjuhë dhe stil shumë të pasur, brendi e përmbajtje të begatshme, koncizitet e korrektësi në paraqitjen dhe trajtimin e problemeve, realizëm, gjykim autentik dhe shumë veçori të tjera.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …