leoni

Nezir Myrtaj: Jehonë lufte

Ahmet Qeriqi: Margaritarit kurrë nuk i humbet vlera, as shkëlqimi, vështrim për librin“Jehonë lufte, shkruar ngaanalisti, Nezir Myrtaj     Nezir Myrtaj, i burgosur në vitin 1981 dhe i dënuar 12 vjet burg nga regjimi titist jugosllav, për shkak të aktivitetit të organizuar kundër regjimit të RSFJ-së, profesor i fizikës, analist i gazetave: “Bashkimi” dhe “Zëri i Kosovës” në vitet 90-të të shekullit të kaluar, pjesëtar i Lëvizjes dhe pjesëmarrës i luftës së UÇK-së, analisti i Radios-Kosova e lirë gjatë dhe pas luftës, tashmë është bërë emri më i njohur i kritikës autentike, realiste, në letrat shqipe. Janë të rrallë analistët shqiptarë, si Nezir Myrtaj, të cilët do të kenë mbajtur kurdoherë të gjallë vigjilencën, thellësinë e mendimit filozofik e mbi të gjitha mprehtësinë realiste në trajtimin e ngjarjeve të ndryshme lidhur me zhvillimet politike veçmas në Kosovë, në dy deceniet e fundit. Janë mjaft deficitarë analistët tanë në parashikimin e zhvillimit të ngjarjeve, si z. Myrtaj, shkrimet e të cilit kurdoherë rrezatojnë begatinë e tejshquar të perceptimit realist, thellësinë e gjykimit dhe filozofinë autentike të trajtimit e shtjellimit të temave, të cilat i ka shqyrtuar dhe i shqyrton me një vëmendje të jashtëzakonshme.   Duke qenë njohës i shkëlqyer i realitetit dhe antagonizmave shoqërore e klasore, teorik i thellë i vlerësimit të situatave të caktuara historike e politike, parashikues i ngjarjeve, të cilat rrjedhin si shkak pasojë në kalkulimet e ndryshme politike e strategjike, e mbi të gjitha krijues me kredo, qëndrim dhe dinjitet sokratjan, Nezir Myrtaj në analizat, esetë, vështrimet e kritikat e tij ka bërë emër si krijues origjinal, e mbi të gjitha si vrojtues shumë i thellë i rrethanave politike e shoqërore, jo vetëm në Kosovë. Pena e tij godet pamëshirshëm, por godet me vend, duke identifikuar faktorët e vërtetë të gjendjes së rëndë politike, ekonomike e sociale, e cila ka mbretëruar dhe ende po mbretëron në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare. Duke i mbetur besnik realitetit dhe mbi të gjitha besnik shembullor i mbrojtjes së interesit kombëtar, z. Myrtaj, nuk ka lëshuar asnjëherë pe, dhe nuk ka reshtur duke e ngritur zërin kundër të gjithë atyre, që kanë abuzuar me votën e popullit, dhe kundër të gjithë atyre, që kanë shkelur aspiratat e lirisë dhe bashkimit kombëtar, kundër përfituesve të luftës e të pasluftës dhe kundër durimtarëve të pandreqshëm. Është analisti i parë në Kosovë i cili paralajmëroi se Ekipi i Unitetit kishte shkelur aspiratat e popullit dhe kishte tradhtuar interesat jetike kombëtare të shqiptarëve. Disa muaj më vonë, doli sheshit se anëtarët e ekipit të Unitetit kishin pranuar unanimisht “pakon” e Ahtisarit me të gjitha lëshimet, që kjo pako iu bën serbëve vendorë dhe politikës agresive të Beogradit. Qysh prej shkrimeve të para të botuara në gazetën “Liria” pastaj në gazetën “Bashkimi” pas daljes nga burgu në vitin 1991, në gazetën “Zëri i Kosovës”, ai nuk ndaloi hapin e tij kurdoherë të matur dhe të sigurt në vrojtimin dhe trajtimin me korrektësi e mprehtësi shkencore të zhvillimeve politike e shoqërore në vend. Në vazhdën e aktivitetit të analistit, “Nezir Myrtaj ka botuar përmbledhjen me komente “Jehonë lufte”, – 2002, pastaj përmbledhjen tjetër me analiza, kritika e vështrime publicistike, “Rrugë e papërfunduar”, – 2004, dhe librin publicistik “17 dhe 18 marsi 2004”, botuar dy muaj pas revoltës popullore të marsit të atij viti. Aktualisht është kryeredaktor i monografisë, “Feniksët e lirisë”.   “Jehonë lufte”   Vlerësimet realiste mbi zhvillimin e ngjarjeve të kohës së luftës, njohja mjaft e thellë e politikave vendore e ndërkombëtare, analiza e bazuar në një përvojë shumëvjeçare për zhvillimet politike në Kosovë e më gjerë, bëri që komentet e Nezir Myrtajt të lënë gjurmë të thellë në pasqyrimin shumë korrekt dhe objektiv të shumë gjitha zhvillimeve, para, gjatë dhe pas luftës. Vrojtimi analitik, në kushte dhe rrethana të caktuara, që Myrtaj u ka bërë ngjarjeve të njohura politike, shquhet për thellësinë e mendimit kritik, për depërtimin në esencën e të gjitha manovrimeve politike të kohës nga qarqe të caktuara, për trajtimin realist dhe tejet serioz të shumë ngjarjeve në vend dhe në botë. Analizat politike, të cilat gjatë kohës së luftës i ka komentuar analisti, sajuesi i informatave dhe redaktori i Radios-Kosova e lirë, Nezir Myrtaj, shquhen për një mori specifikash krijuese. Ai, në unin e tij vlerësues-krijues, shquhet për origjinalitet të mendimeve dhe ideve, shquhet për depërtimin në thellësi të kontradiktave e të problemeve të ndryshme, shquhet për parashikime të sakta të ngjarjeve të caktuara. Komentet e tij, të shkruara nën breshërinë e granatave dhe të raketave të armikut gjatë kohës së luftës, e ruajnë ritmikën tipike të hapërimit me kohën, të përkujtojnë ndeshjen e ashpër dhe fyt për fyt të luftëtarëve të lirisë kundër forcave okupatore serbe. Komunikimi i Nezir Myrtaj me opinionin tonë, sidomos gjatë luftës, përmes shënimeve, vështrimeve e komenteve të emetuara nga Radio-Kosova e lirë dhe nga Agjencia e lajmeve Kosovapress, ka qenë komunikimi më objektiv dhe më i pasur me qasje dhe ide, lidhur me të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe rreth saj. Analiza që ai iu ka bërë zhvillimeve në terren, analiza që u ka bërë hapave të diplomacisë botërore e në veçanti asaj perëndimore, e cila mori përsipër ndërhyrjen ushtarake kundër federatës jugosllave, shquhen për trajtim realist dhe tejet të qartë të ngjarjeve me rëndësi vendore dhe ndërkombëtare.   Duke përcjellë më shumë vëmendje dhe me gjykim kritik rrjedhën e ngjarjeve, më 9 janar të vitit 1999, Nezir Myrtaj, në shënimin e titulluar: “Paraloja e një aventure të re serbe në Kosovë”, pasi u bën një analizë të thellë zhvillimeve, parashikon fillimin e një çmendurie tjetër të bandave serbe kundër civilëve shqiptarë. Vetëm pesë ditë më vonë, sodomistët serbë kryen masakrën e çmeritur në Reçak, ku në mënyrë barbare vranë e masakruan 43 shqiptarë të gjinive e të moshave të ndryshme. Masakrën e Reçakut, më 20 janar të po atij viti, Nezir Myrtaj do ta definojë si akt të komprometimit të NATO-s, duke i përkujtuar opinionit se “në qoftë se nuk dëshirohet përsëritja e masakrave të reja edhe më të tmerrshme mbi shqiptarë, intervenimi ushtarak kundër satrapit të Ballkanit duhet të jetë mjeti i parë dhe jo i fundit kundër tij”. Ky konstatim kuptimplotë mbërthen në vete realitetin e hidhur të hezitimit të perëndimorëve, të cilët NATO-n, asokohe e improvizonin si gogol për ta frikësuar gjakatarin Millosheviq. Pasojnë pastaj shumë komente lidhur me luftimet, ndërrimin e ushtarëve në mes të SHP të UÇK-së dhe armatës okupatore serbe, të cilin Myrtaj e komenton si akt të legjitimimit të UÇK-së, si palë ndërluftuese. Janë me interes të veçantë komentet e shënimet lidhur me Konferencën e Rambujesë, e ndër to do të veçoja në këtë rast konstatimin realist kuptimplotë se pala serbe do të nënshkruajë në Rambujetë e tjera, pasi të bindet se NATO-ja nuk kërcënon, por vepron. Nëse duhet vdekur dikush, më mirë unë sesa Kosova ime, kishte thënë komandanti! – Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të gjithë ne sesa Atdheu, kishin thënë të gjithë Jasharët në Kështjellë. Me këto dy fjali, më 5 mars të vitit 1999, Nezir Myrtaj e kishte sintetizuar në mënyrën më kuptimplote qëndresën heroike të Jasharëve, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, me rastin e përvjetorit të parë të qëndresës, në Prekazin e heroizmit shqiptar.   Në mesin e analizave të shumta që komentuesi dhe redaktori i informimit i radios “Kosova e lirë”, u ka bërë zhvillimeve në Kosovë e më gjerë, vend të rëndësishëm zënë edhe komentet ku stigmatizohet politika pacifiste e Ibrahim Rugovës dhe e pasuesve të tij, sidomos gjatë luftës. Duke demaskuar politikën e pritjes dhe retorikën boshë të liderit pacifist, Myrtaj ua çjerr maskën prapaskenave të rrezikshme, në të cila notonte Rugova, jo si peng i Millosheviqit, por si peng i paragjykimeve dhe i qyqarisë së tij për të marrë qëndrim kundër kryekriminelit, Millosheviq. Në veprimet tejet kontraverse të Rugovës, Myrtaj zbulon njeriun, i cili nuk ishte i burgosuri i Millosheviqit, por një krijesë kukull, vegël në shërbim të politikës dhe të koniukturave antikombëtare, aminxhi dhe përderecak i papërgjegjshëm. Janë antologjike komentet: “Për Rugovën nuk ka më nëse’…; “Çarmatosjen e kujt, në fakt, e dëshiron Rugova”; “Kori i apologjetëve të Rugovës”, e komente të tjera, ku analisti Nezir Myrtaj fshikullon prapaskenat dhe mungesën e moralit të njeriut, i cili “qesh kur duhet qarë dhe qan kur duhet qeshur”. Tematikë e komenteve dhe e vështrimeve të profesor Myrtajt, gjatë kohës së luftës ka qenë edhe politika ndërkombëtare dhe zbërthimi i vëmendshëm i të gjitha segmenteve të asaj politike, karshi çështjes shqiptare në përgjithësi, e në veçanti karshi çështjes së Kosovës. Mirëpo, në të gjitha komentet e tij ka dominuar kritika luftarake kundër makinerisë okupatore serbe dhe kundër krerëve të asaj politike. Në kohën e bombardimeve të NATO-s, komentuesi shfaq besimin e tij të paluhatshëm se “Makinës vrastare po i afrohej fundi i turpshëm”, se “Nuk do të spastrohet Kosova, por truri shovinist serb”, se” Serbisë po i a nxjerrin sytë duke ia kruar vetullat”, “se Serbisë po i kthehej haku me kamatë”,” Serbia, sinonim i territ”, “ Serbia do t’i ndijë pasojat e Millosheviqit edhe pas tij”; se “Krimineli Millosheviq është i pandreqshëm dhe i papenduar…”, dhe shumë komente të tjera, në të cilat parashihej fundi i turpshëm i okupatorëve serbë, meqë më në fund: “Shqiptarët po kthehen, serbët po shkojnë” dhe “Nga Kosova u largua antihistoria”. Gjuha luftarake e këtyre komenteve i ka mobilizuar kudo dhe në çdo kohë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët edhe nëpër istikame të luftës e dëgjonin “Radion Kosova e lirë”, zëdhënësen e jehonës së pushkëve të trimave e të trimëreshave të Adem Jasharit.   Përmbledhja me komente e vështrime e Nezir Myrtajt, “Jehonë lufte” është një perlë e vërtetë e mendimit dhe e filozofisë së rezistencës shqiptare. Nuk kemi të bëjmë këtu me komente të thjeshta ditore, mbi ngjarjet e caktuara politike, as me vlerësime dosido, sikur jemi mësuar të lexojmë kudo në shtypin shqiptar. Në asnjë rresht të këtyre komenteve nuk vërejmë dilemë apo tërheqje nga pozicioni i luftës dhe besimi në fitore, nuk vërejmë pasiguri a ndrojtje nga e nesërmja, por të gjitha komentet përshkohen me realizëm magjeps, me zë burrëror në mbrojtje të së drejtës universale njerëzore, pa patetikë, pa retorikë boshe dhe pa asnjë luhatje nga pozita e qartë e domosdoshmërisë së ngadhënjimit të së mirës mbi të ligën. Gjuha, stili, figuracioni artistik, qartësia e mendimit, formulimi konciz, fjalori tejet i pasur, janë vetëm disa nga tiparet dalluese të këtyre margaritarëve të mendimit politik të epokës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Komentet e Nezir Myrtajt, shkruar gjatë luftës, nuk janë vetëm analiza mbi ngjarjet e caktuara, ato mbi të gjitha janë dokumente të një epoke, janë perla fascinuese krijuese, janë dëshmi e qëndresës dhe e vitalitetit të gjeneratës më të përkushtuar të çlirimit të trojeve të robëruara të Shqipërisë. Ato janë krijime të veçanta të një epoke të veçantë heroike. Është edhe një fakt tjetër, i panjohur për lexuesin, për mënyrën si janë hartuar këto komente. Gjatë kohës së luftës, sidomos pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, stafi i Radios tashmë ishte vendosur në tendë, në “Rrezen e Baliqit”, në Berishë, ku ishte hapur edhe bunkeri. Neziri, zakonisht shkruante në malet dhe shkrepat e Pallanikut, atje ku transmetohej programi i Radios. Gjatë kohës së hartimit të komenteve vazhdimisht goditej edhe vendi ku ai i hartonte komentet dhe analizat e tij. Pavarësisht nga rrethanat, i strukur në një vend, ku në dukje ndihej më i sigurt, po ku shpeshherë dridhej tërë vendi nga fuqia e shpërthimit të predhave armike, ai do të shkruante faqet më të ndritshme të heroizmit të luftëtarëve të lirisë, do të komentonte ngjarjet më të rëndësishme të ditës, duke mos shfaqur asnjë pikë dyshimi në domosdoshmërinë e fitores. Dhe jo vetëm kaq. Ka ndodhur që gjatë tërë ditës të ketë ecur këmbë, nga një mal në tjetrin, gjithnjë nën breshërinë e predhave të armës armike, shpeshherë edhe i uritur, por gjithnjë i gatshëm për ta shqiptuar, si për grykë të topit, fjalën e drejtë dhe të vërtetë, përmes valëve të Radios-Kosova e lirë, e cila asokohe ishte mediumi i vetëm elektronik, që transmetonte në tërë hapësirën e Kosovës. Në të tilla kushte, kur analistët pacifistë hartonin komentet e tyre profane ngazyret e tyre me klimë në Prishtinë apo në Tiranë, Nezir Myrtaj fjalën e tij çlirimtare e përhapte brenda Kosovës, nga zonat e pashkelura, që mbronte me gjak dhe i mbante nën kontroll UÇK-ja. Komentet, analizat dhe shënimet e librit “Jehonë lufte” janë faqja më e ndritur e gazetarisë shqiptare gjatë kohës së luftës në Kosovë, janë dokumentet më autentike të kësaj lufte, janë rrëfimet më autentike të historisë sonë më të re, të kohës së UÇK-së së lavdishme dhe fitimtare.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …