Nga i dënuar për gjenocid në “hero”: Mediat serbe glorifikojnë Ratko Mlladiqin

Vdekja e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, ka nxjerrë sërish në pah një problem të thellë të narrativës mediatike në Serbi: përpjekjen për ta paraqitur një të dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte si “gjeneral” dhe figurë të rëndësishme të historisë serbe, duke e shtyrë në plan të dytë përgjegjësinë e tij për disa nga krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Nga televizioni publik RTS deri te tabloidet “Novosti”, “Alo” dhe “Informer”, një pjesë e raportimeve për vdekjen e Mlladiqit janë ndërtuar mbi një narrativë që e zhvendos vëmendjen nga viktimat te vetë krimineli, familja e tij dhe trajtimi mjekësor në Hagë. Edhe kur përmendet dënimi i përjetshëm, gjenocidi në Srebrenicë dhe krimet e tjera për të cilat ai u shpall fajtor, këto fakte shpesh shoqërohen me një gjuhë që e zbut peshën e përgjegjësisë së tij dhe e rikthen atë në rolin e një figure ushtarake të “respektuar”. RTS ka raportuar për vendimin e Tribunalit të Hagës dhe dënimin e Mlladiqit, por njëkohësisht ka transmetuar edhe deklarata që ngrenë dyshime mbi trajtimin e tij shëndetësor në Hagë. Në këtë mënyrë, vëmendja publike rrezikon të largohet nga pyetja themelore – për çfarë u dënua Mlladiqi dhe kush ishin viktimat e krimeve të tij – dhe të përqendrohet te pretendimet për trajtimin që ai mori gjatë vuajtjes së dënimit. Në vend që vdekja e tij të shërbejë si moment reflektimi për krimet e kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, një pjesë e mediave serbe po e përdorin atë për të ringjallur kultin e një figure të dënuar për gjenocid.

Kontrolloni gjithashtu

Përparim Gruda: Prania e SHBA-së dhe BE-së në Kuvend është mesazh kundër bllokimit institucional

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas pranisë së përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së …