Nis faza e dytë e pilot projektit Gratë në Punë Online – WoW ne Prishtinë

Pas përfundimit të suksesshëm të fazës së parë të pilot projektit Gratë në Punë Online (WoW) në komunën e Gjakovës dhe Lipjanit, të hënën ka filluar të zbatohet edhe faza e dytë e këtij projekti në komunën e Prishtinës, duke përfshirë edhe komunën e Fushë-Kosovës dhe Obiliqit.

Ky pilot projekt ka për qëllim rritjen e mundësive për punësim, duke ofruar trajnime të specializuara në tri module Kodim, Dizajn Grafik dhe Marketing në rrjete sociale, të një grupi të caktuar të grave të reja të papunësuara, në punë “green” apo “të gjelbra”, të cilat krijohen përmes kontraktimit të punëve online të Teknologjisë Informative, industri kjo në rritje e sipër.

Grupi i aplikueseve të kualifikuara për modulin e parë për zhvillim të uebit (eng. Front End Web Development), të identifikuara pas kalimit të periudhës provuese dhe testimeve plotësuese, është ftuar për të marrë pjesë në trajnimet e organizuara në laboratorin kompjuterik të Universitetit për Biznes dhe Teknologji – UBT në Prishtinë. Për këtë modul do të trajnohen gjithsej 25 femra në një periudhë 4 mujore.

WoW është projekt i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik i dizajnuar nga Banka Botërore – Praktika Globale –Transporti  dhe Teknologjia Informative dhe Komunikuese (TIK) si dhe financohet përmes fondit Korea Green Growth Trust Fund, si pjesë e fazës së parë të programit të asistencës teknike “Rritja Inovative për viset rurale në Kosovë”. Implementuesi i projektit është firma daneze CodersTrust, e cila është e specializuar në gjetjen e zgjidhjeve për edukim online dhe për gjetjen e shërbimeve online që kërkohen në tregun e punës.

Konkursi për modulin e dytë të këtij trajnimi (Dizajn Grafik) është i hapur ndërsa për modulin e tretë (SEO/SMM – Search Engine Optimization/Social Media Marketing) pritet të fillojë në javët në vijim.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …