Kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani mori pjesë në Takimin e 22-të Ndërkombëtar të Berlinit, i organizuar nga Bundestagu dhe Shoqata gjermane për Bashkëpunim e Mirëkuptim mes Njerëzve. Në këtë edicion të 22-të, morën pjesë liderë e personalitete të shumta gjermane dhe të huaja, të politikës, besimeve të ndryshme fetare, botës akademike etj. Nishani theksoi ndër të tjera në fjalën e tij se marrëdhëniet ndër-njerëzore, me gjithë arritjet e paimagjinueshme në intensifikimin e komunikimit dhe të bashkëpunimit, si dhe në fushën e të drejtave të njeriut, po cenohen nga terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, populizmi, fuqizimi i rrymave anarkiste. “Vëmendja kryesore e politikës dhe e shoqërive tona sot është tërësisht e përqendruar në gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit e koordinimit për një botë më të sigurt, si për shoqërinë aktuale ashtu edhe brezat që vijnë pas”, tha ai. Kreu i shtetit i njohu të pranishmit edhe mbi eksperiencën e veçantë të Shqipërisë, jo vetëm sa i përket pranisë së disa besimeve kryesore fetare, por për traditën e madhe e shumëshekullore të bashkëjetesës, harmonisë dhe respektit reciprok mes këtyre besimeve, duke i konsideruar si shtyllat e qëndrueshmërisë së shtetit dhe vlera të patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare në tërësi. Si shembull të tolerancës, presidenti Nishani përmendi strehimin dhe mikpritjen që shqiptarët i ofruan gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë hebrenjve që ndjeheshin të kërcënuar në vende të tjera të Evropës. Kreu i Shtetit, gjatë vizitës në Berlin u takua edhe me presidentin e Bundestagut, Dr. Norbet Lammert, të cilin e siguroi për vijimin me vendosmëri të procesit të reformave nga institucionet shqiptare, ku ndër më kryesoret mbetet zbatimi i reformës në drejtësi. Në këtë forum ndërkombëtar Shqipëria u përfaqësua dhe me anëtarë të komunitetit mysliman, të Kishës Katolike e Ortodokse, të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, si dhe të Vëllazërisë Ungjillore.
Kontrolloni gjithashtu
Vetëvendosja ka shpallur zgjedhjet e brendshme lidhur me kandidatët për kryeministër për zgjedhjet e 9 shkurtit
Vetëvendosja ka shpallur zgjedhjet e brendshme lidhur me kandidatët për kryeministër për zgjedhjet e 9 …