Në skenën e trazuar politike të Kosovës, ku interesat partiake shpesh mbizotërojnë mbi përgjegjësinë shtetërore, Nisma Socialdemokrate ka sinjalizuar gatishmëri për t’i dhënë votat Albin Kurtit në krijimin e Qeverisë së re – por me një “por” që flet shumë për mënyrën si bëhet politika në vend. Deputetja e kësaj partie, Xhevahire Izmaku, deklaroi se Nisma “ka përgjegjësi politike” dhe se “nuk ka arsye të mos jetë në tavolinë me Vetëvendosjen”. Ajo shtoi se nëse formimi i qeverisë varet nga tri votat e Nismës, “nuk do të ketë kushte për krijimin e institucioneve të reja”. Megjithatë, menjëherë më pas vendosi një vijë të kuqe: pozita e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, duhet të sqarohet. Sipas Izmakut, “legjislativi nuk mund të funksionojë me një figurë që ka krijuar përçarje”. Kjo deklaratë, megjithëse e butë në ton, ekspozon realitetin e hidhur të politikës kosovare, ku koalicionet nuk varen nga vizioni qeverisës apo interesat e qytetarëve, por nga emrat, inatet dhe përplasjet personale. Në një kohë kur vendi ka vetëm 12 ditë afat për të formuar qeverinë, çdo kushtezim personal apo partiak vetëm sa e zgjat krizën institucionale që po rëndon mbi ekonominë, sigurinë dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
