Një cikël poezish të poetit, veteranit të arsimit dhe veprimtarit, Xhemal Pllana

Një cikël poezish të poetit, veteranit të arsimit dhe veprimtarit, Xhemal Pllana

Poezia bashkëkohore dhe përgjithësisht krijimtaria letrare artistike në Kosovë ka mjaft emra të panjohur sa duhet për opinionin lexues, për shkaqe të natyrës objektive e subjektive. Jeta e gjatë nën robëri e shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e mbetura nën regjimin kriminal  serb, ka bërë që një pjesë e intelektualëve, shkrimtarëve dhe poetëve të shkruajnë,  por në kushte dhe rrethana robërie, nuk i kanë publikuar shkrimet e tyre, sepse fjala e lirë ndiqej e persekutohej. Në mesin e këtyre poetëve, arsimuesve e intelektualëve është edhe Xhemajl Pllana, veteran i arsimit, i cili edhe tani në moshë 83-vjeçare po e sfidon pleqërinë si Robinson Kruso, por me një kredo dinjitoze sokratiane.

Xhemajl Pllana ka shkruar poezi me motive patriotike, sociale e meditative.

Vargu i tij është diskret, goditës, qëndrestar dhe jo ankimues e pacifist. Ai përmes poezisë së tij ka goditur shkaktarët e vërtetë të gjendjes së rëndë të popullit shqiptar, dhe ata shkaktarë i ka identifikuar  jo vetëm te të huajt, te pushtuesit e ndryshëm, por edhe në mesin e atyre shqiptarëve plastofilë e të lakueshëm, të cilët çdo regjimi iu kanë përkulur dhe i kanë bërë temena me,  “lepe peqe”. Duke qenë idealist dhe arsimues i sa e sa brezave, duke qëndruar tërë jetën stoikisht dhe duke i përballuar me sukses të gjitha sfidat e jetës, Xhemajl Pllana është një intelektual bashkëkohor,  një burrë i cili tërë jetën e tij ka qëndruar vertikalisht, duke dhenë shembuj nderi, bese, burrërie e atdhetarie dhe duke i edukuar brazat me vetitë më sublime kombëtare e njerëzore. (Ahmet Qeriqi)

 

Partia  jona Bashkimi Kombëtar

Shumë parti në mesin tanë, ç’duhet kjo?!

Ai që do atdheun këtë nuk e dëshiro.

 Komb i vogël jemi, për gjithë këtë parti,

Përçarja  na kanoset, fati yni i zi.

 

Tërë një Amerikë udhëhiqet nga dy parti,

Njëzetë e shtatë si  kërpudhat kanë bi!

 Disa që tradhtuan me vite më parë,

Me parti përpiqen të dalin n’altar.

 

Të mjerët këta cipëkrisur, pa njerëzi!

Na lanë pa atdhe, na lanë pa liri.

 Në vend se të ndalen pak e të mëndojnë,

Janë lëshuar n’gara parti t’krijojnë.

 

Kur thërret atdheu, partitë duhet shkri,

Interesi i atdheut është mbi çdo parti.

 S’kanë faj! S’është gjykuar askush ndër ne,

Për tradhtinë që i bënë të shtrenjtit Atdhe.

 

Kini, burra, kujdes për këta faqezi

Kombit i nxin fytyrën, na sollën robëri.

 

Kosova liri nuk mund të fitojë,

Prej këtyre veten po nuk e liroi.

Kosova sot tjetër nuk donë të kërkojë

Përveç se me nënën bashkë të jetojë. 

Mitrovicë, 22 prill 1994

Blasfemuese

Mjaftë më folët për parajsën…

Tërë jetën kam udhëtuar nëpër ferr!

Ati i kam rënë në kryq e tërthor.

Kur është atje aq bukur,

Pse nuk shkoni sa më parë?!

Pse i frikësoheni Rubikonit,

Që u nxjerrë nga ferri

Dhe u qon në parajsë?!

Blasfemi janë fjalët tuaja.

Ju nuk besoni në atë që flisni,

Sepse po të besonit

Nuk do të bënit jetën e skllevëve,

Por do të përqafonit  vdekjen si trima,

Atë që do t’u falte parajsën-

Parajsën për të cilën aq shumë flisni.

Por, ju nuk besoni fare në parajsën

E qiellit…Ju, blasfemoni.

Juve më shumë ju pëlqen parajsa e tokës;

Për këtë çoni jetë skllevërish.

Mitrovicë, 20 tetor 1994

 

Azem Galicës

Në log  t ‘kuvendit, për ballë Azemi rri,

Bashkë me shokë të armëve, zemrat guxim plot.

Çdo tytë e tyre është flakë rrufeje,

Që  shkrepë pa pritur në krye-kreje.

 

Azemi si shqiponjë, fluturon nga mali n’mal,

Pushkë armiku atë nuk mund e ndal.

Nuk i vdes kurrë emri, në mesin tanë rron;

Rron Azemi rron, me popull përgjithmonë.

 

Shote Galicës

Rri Shot Galica, n’log të vendit.

Bashkë me Azemin, në krye të vendit,

Veshur me tirq burrash, plot gajtan të zi;

Plisin mbi kokë, vendosur për mbi sy.

 

 Ngjitet bjeshkës, por si zanë mali,

Pushkë e top krali, atë s’mund e ndali.

Afër Azemit, gjithmonë për krah tij’.

Kjo zanë mali, jetës ‘i jep gjallëri.

 

I tha njëri, një herë, kur ishte në çetë:

”S ‘t’ ka hije t’vishesh në tirq, femër je ti”.

Ajo ia ktheu me një gjuhë të qetë:

”Mu dashtë t’i vesh tirqit, pasi i zhveshe ti”.

 

Mitrovicë,1994

 

Nipit tim larg nga Atdheu

Dy sy porsi dy kokrra rrush t’zi

Sy  të ndritshëm, dy fije plot dritë,

Gjyshit nga larg i sjellin dashuri.

Kur atë pleqëria çdo ditë e venit.

 

Sokol i gjyshit, kur kam për të parë?

Me thuaj, vocrrak! Nevojë kam për ty,

T’ mos më mbetet shpirti vëtimtar,

Të më marrë për dore, plot dashuri.

 

Sokol i gjyshit, lum ti që nuk e di,

Nëpër anë t’botës fati na ka ndarë.

Koha na ka tretur, fati ynë i zi!

Me shpirt të përmallshëm, me sy duke qarë.

 

Qanë gjyshi, qanë për fatin tonë t’zi!

Të ligat të ikin, zoti t’i mallkojë!

Lutet gjyshi, lutet te ti, Perëndi,

Shpirti të na ringjallet, fati të na bashkojë.

 

Mitrovicë,17. 11.1994

 

Pas gjashtëdhjetë vitesh

 

Currungel, o zog i qiellit!

Të dridhet gusha në këngë hyjnore;

Në ato fusha, kundruall diellit,

Ku  kalova jetën fëmijërore.

 

Tani arrita n’prag t’pleqërisë.

Për t’u çmallur këndej kaloj.

Sa i lumtur isha në ditët e fëmijërisë!

Sa m’përtrihen kujtimet, këtu, kur t’takoj!

 

Eja, o këngëtar, këngëtar finok!

Dridhe zërin tënd ti si më parë,

Se edhe një herë unë me ty jam tok

Në kujtime e gëzime, prapë si më parë.

 

Kçiq i Madh, 23 nëntor 1997

 

Vetëm një të bashkuar, Shqipëri

I lexova shumë nga  teoritë,

Dogmat, doktrinat.

Të gjitha ishin të mrekullueshme,

Por iu vinte era në praktikë.

U nisa nga bibla,

Për të shkuar drejt zotit,

Për ata që e mbronin më tradhëtuan,

 

Ika nga krishterimi

dhe ju afrova islamit,

plot mirësi e tolerancë.

Por, mbeta prapë i vetmuar,

sepse ata që flasin për të.

e tradhtuan.

 

Kërkova  ta gjej 

një doktrinë  më të mirë

dhe shkova pas komunizmit,

që fliste për liri, drejtësi e barazi.

Por, u zhgënjeva, u mashtrova.

 

Mbetëm të vetmuar:

besimi im dhe unë…

Pas gjithë kësaj u ndala dhe mendova:

Të gjitha ideologjitë:

dogmat, doktrinat

janë të mira, si teori,

për shëmtohen nga njerëzit

në praktikë.

 

Prandaj kam vendosur,

Me veten të rri,

por ta gjej  njeriun,

që sikur flet, ashtu bën,

dhe ta kem shok e vëlla.

Më atë bashkë të udhëtoj

drejtë zotit, që e di të gjitha:

teori dhe praktikë.

Kështu kam besim,

do të kem mundësi

të shoh pa droje,

të mirën dhe të keqen në sy.

Dhe mendoj  t’i them

Zotit dhe njeriut lirisht:

Unë nuk dua asgjë tjetër,

vetëm një të bashkuar Shqipëri.

 

Tiranë, 16 tetor 1998

 

Zot shpëtoje Kosovën

 

O zot ç’ na kanë ndodhur disa çudi,

Si kërpudhat pas shiut janë ngritur ca parti.

Zërin kanë lëshuar, si gjinkalla në vapë,

Në mes veti keqas ato janë kapë.

 

Thyhen karriget përpjetë duke u ngritur,

E mjera Kosovë çfarë dite ka pritur.

Plagët nga gjaku ende  nuk iu kanë  larë,

Gjinkallat me vapë rrinë, duke u përçarë.

 

Nënë Kosovë rënd të kanë plagosur,

Për së gjalli t’huajt të patën  varrosur.

Nuk i shohin bijtë e  tu plagët kah t’kullojnë gjak,

Moj e mjera nënë, n’mend s’janë aspak.

 

Gjithë bijtë e botës nënat i nderojnë,

Me sjellje e vepra shumë i lartë i çojnë.

Por këta bijtë e tu pas plaçkës e marrëzisë,

Në ditë më të vështira të kanë  katandisë.

 

Ki mëshirë, o zot, për këtë nënë të gjorë!

Shpëtoje sa më parë nga këta horë,

Se këta bij janë pjellë e huaj.

Mos lejo më Kosovën, kështu të vuaj.

 Prishtinë, 20 korrik 2000.

 

Jeta është një ëndërr

 

Njerëzit vijnë e shkojnë,

Jeta është një ëndërr.

Gjithçka vjen e shkon,

Jeta është një ëndërr.

 

Në mes jetës dhe ëndrrës

Ka vetëm pak ndryshime,

Jeta është një ëndërr.

Asgjë të përhershme nuk ka ,

Përveç atij që të gjitha i di,

Jeta është një ëndërr…

Tiranë, 1998

 

Eja në Kosovë

(Një vëlla nga Shqipëria, që ka në zemër Kosovën)

Eja,vëlla, ta shohësh Kosovën

Me njëqind të mira, njëmijë prapësi.

Eja, se jemi një brumë dhe një farë

Dhe në qindra valle jemi shpërndarë.

 

Kemi krijuar sa e sa parti,

Edhe ne si ju  në të mjerën Shqipëri.

Eja shih Kosovën në plagë dhe lot

Edhe këtu nuk pushojnë grindjet dot.

 

S’di a kanë gjak ilirësh  ne dej.

Përçahemi mes veti nga Batoni e këndej.

Tallen të huajt dhe qeshin me ne,

Me bijë  të çoroditur të tonit Atdhe.

 

Për karrige, parti, vëllai vret vëllanë,

Edhe kur  i huaji e dhunon dhe e shan.

Largohuni  partish! Pas tyre mos shkoni!

Atdheu do shpëtim, andej vraponi!

 

Vraponi! Vraponi, se koha nuk pret!

Secili në Atdhe ta gjejë vendin e vet.

Për ne nuk ka parti më të mirë,

Se bashkimi dhe Shqipëri e lirë.

 

Të na bashkojë shpirti i Kastriotit si dikur,

Të mos jemi të përçarë, kurrë më, kurrë!

Prishtinë, 19 dhjetor 2001

 

Dimri

Kudo bora ka shtrirë petkun e saj:

Në fusha, ara,livadhe, male dhe pyll.

Njerëz pak ka në natyrë: as gaz,as vaj

Jashtë nuk ndien, sepse brenda janë mbyllë.

 

Era fryn e freskët, ndonjëherë plot acar

Borën e fërfëllon fuqishëm, porsi uragan:

Akujt shkëlqejnë strehëve, si margaritarë,

Tokën mbulon të tërën, me t’bardhin jorgan.

 

Jashtë bardh, brenda dritë dhe ngrohtësi.

Kërcet e këpucëve ndihen, borën duke fërkuar.

Lozin fëmijët në borë, me të madhe kënaqësi;

Dimri e bora e madhe, sa shumë i ka gëzuar!

 

Vetëm pleq nuk sheh, s duan ngrica e borë.

Dhomat i donë të ngrohta, shikojnë nëpër dritare.

Shikojnë të rinjtë e skuqur, të shkathët e gazmor,

Kujtimet e  jetës, që s’kthehet më kurrë.

 

Dimri është i drejtë, nuk bën dallime.

Borën për të gjithë të barabartë e  sjellë

Të ftohtit, acarin plot me freskime,

Në derën e secilit, pa dallim përcjellë.

 

Bora e bardhë që josh fëmijë në lodra!

Hallet e brengat  e t’u shkrihen!

I qitni le të luajnë! Nuk kthehen këto kohëra.

Mos lejoni që gëzimet, në buzë t’u ngrihen.

 

Pas fëmijërisë jeta, gëzimet i ka borë.

Bëni që të zgjatet më shumë fëmijëria!

E të kthjellet porsi uji i lumit malor!

E të shkëlqejnë gazi i tyre dhe bukuria!

 

Prishtinë, 24 dhjetor 2001

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …