MIT
kek
Airport Adem Jashari
Fillimi / Institucionet / Shoqata e Biznesit Kosovaro-Gjerman e interesuar për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të Mitrovicës

Shoqata e Biznesit Kosovaro-Gjerman e interesuar për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të Mitrovicës

Presidenti i Shoqatës së Biznesit Kosovaro-Gjerman, Friedbert Pflüger, me bashkëpunëtorë, ka vizituar Mitrovicën, me ç’rast është pritur nga nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi dhe drejtori i Drejtorisë për Arsim, Pajazit Hajzeri. Në takim është biseduar për situatën e përgjithshme në komunën e Mitrovicës, me theks të posaçëm për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike.

Pasi e falënderoj nënkryetarin Kamberi për pritje miqësore, z. Pflüger foli për qëllimin e formimit të shoqatës që ai e drejton, duke theksuar se tani ka ardhur koha që BE-ja dhe sidomos Gjermania të angazhohen më shumë në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe në veçanti të Mitrovicës.

“Pas një angazhimi shumëvjeçar në politikë në Gjermani, vendosa që bashkë me disa bashkëpunëtorë të themelojmë Shoqatën e Biznesit Kosovaro-Gjerman, me qëllim të japim kontributin tonë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ne do të punojmë që në Kosovë, pra edhe në Mitrovicë, të sjellim disa projekte të rëndësishme që do të ndikonin në zhvillimin ekonomik”, tha ai.

Për të pasur një pasqyrë sa më të mirë të gjendjes së përgjithshme, sidomos të asaj të sigurisë në komunën e Mitrovicës dhe komunat tjera të veriut të Kosovës, që administrohen nga serbët, z. Pflüger kërkoi nga nënkryetari Kamberi që ta njoftoj me situatën dhe zhvillimet në komunë e veriut të Kosovës dhe për raportet e dy komunave të Mitrovicës.

Nënkryetari Kamberi tha se e vlerëson lartë interesimin e z. Pflüger për zhvillimet në Mitrovicë dhe angazhimin e tij për të mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe Mitrovicës.

“Interesimi i juaj është vazhdimësi e interesimit të shtetit të Gjermanisë për Kosovën dhe për Mitrovicën. Institucione dhe biznese të Gjermanisë e kanë ndihmuar mjaftë në të kaluarën Mitrovicën dhe unë në emër të qytetarëve të komunës i falënderoj shumë. Jam i bindur se do të ketë bashkëpunim të suksesshëm ndërmjet komunës së Mitrovicës dhe Shoqatës së  Biznesit Kosovaro-Gjerman”, tha ai.

Në vazhdim nënkryetari Kamberi tha se situata e sigurisë në Mitrovicë viteve të fundit ka shënuar përmirësim të vazhdueshëm, kështu që sot Mitrovica është një qytetet pa probleme dhe tensione  të mëdha të sigurisë, gjë që është inkurajuese edhe për investitorët e ndryshëm.

“Tani kemi një situatë normale  politike e të sigurisë. Ka veprime konkrete në drejtim të bashkëpunimit ndërmjet dy komunave të Mitrovicës dhe qytetarëve të përkatësive të ndryshme etnike. Kryetari i komunës, Agim Bahtiri ka punuar shumë dhe ka dhënë kontribut të çmueshëm në vendosjen e një bashkëpunimi të mirë me kryetarin e komunës së re të formuar në veri të Mitrovicës, Goran Rakiq, për të biseduar për çështjet me interes të përbashkët për të dyja komunat, gjë që ka ndikuar që situata e përgjithshme të jetë mjaft e relaksuar”, tha   nënkryetari Kamberi.

Ai në vazhdim i tha z. Pflüger, se ka rezultate pozitive edhe sa i përket integrimit të serbëve të veriut në institucionet e Republikës së Kosovës, duke përmend konkretisht pjesëmarrjen  e tyre në zgjedhjet lokale dhe nacionale të organizuar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës  dhe pjesëmarrjen në institucionet e ndryshme shtetërore.

“Ajo që vlen të theksohet si e arritur e madhe, është lëvizja mjaft e shtuar dhe e frekuentuar e qytetarëve serbë në pjesën jugore të qytetit dhe e shqiptarëve në pjesën veriore të qytetit. Lëvizjet për të bërë tregti dhe për punë të tjera në të dyja pjesët e qytetit është pothuaj normale dhe fatmirësisht nuk ka incidente. Fillimi i rivitalizimit të  urës kryesore mbi Ibër, me pëlqimin e të dyja komunave dhe qytetarëve të tyre, është sinjal shumë i mirë i përmirësimit të raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe i stabilizimit të plotë gjendjes këtu”, tha ndër të tjera nënkryetari Kamberi.

Presidenti i Shoqatës së Biznesit Kosovaro-Gjerman, Friedbert Pflüger, me bashkëpunëtorë, i shoqëruar nga nënkryetari Kamberi, vizitoi edhe urën kryesore mbi Ibër, deri në cepin e saj verior, për të parë nga afër punimet në rivitalizimin e saj.

Kontrolloni gjithashtu

QENDRA E MJEKSISE FAMILJARE NE DEÇAN KRYEN TE GJITHA SHERBIMET SHENDETESORE PER QYTETARET E VET

Sqarim rreth një kronike televizive për QKMF-në e Deçanit të transmetuar në emisionin e lajmeve ...