Oda Amerikane kërkon pezullimin e masave të liberalizimit të energjisë deri në vendime përfundimtare

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka ripërsëritur shqetësimet e saj lidhur me zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë, në dritën e aktvendimeve të fundit të Gjykatës Komerciale që kanë pezulluar disa vendime të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Në të paktën dy raste të ndara, gjyqtarë të ndryshëm kanë pezulluar vendimet e ZRRE-së, duke e cilësuar këtë si një qasje të qëndrueshme gjyqësore, që reflekton shqetësime serioze për ndikimin potencial të masave të reja në treg. Sipas Odës Amerikane, ndonëse këto aktvendime aktualisht prekin vetëm një numër të kufizuar kompanish, efektet e tyre mund të kenë ndikim të gjerë në gjithë sektorin, duke krijuar pasiguri ligjore dhe diskriminim ekonomik mes operatorëve të tregut. Në këtë kontekst, Oda i ka bërë thirrje ZRRE-së që të pezullojë menjëherë zbatimin e masave të kontestuara deri në një vendim të qartë dhe përfundimtar të gjykatave. “Vetëm një treg i drejtë, transparent dhe plotësisht funksional mund të ofrojë një rrugë të qëndrueshme përpara,” thuhet në reagimin e Odës, duke nënvizuar nevojën për trajtim të barabartë të të gjitha kompanive, pavarësisht madhësisë apo kapaciteteve ligjore.

Kontrolloni gjithashtu

KDI: Kuvendi është shndërruar në cirk, deputetët po paguhen për dy minuta punë

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj bllokadës së vazhdueshme politike …