Olza Hashani, Mersud Bajrami dhe Riola Hysa fitues në Festivalin Folklorik të Këngës “Ferizaj 2025”

Salla e Teatrit “Adriana” mbrëmë ishte e mbushur përplot me artdashës nga mbarë trojet shqiptare, ku u zhvillua programi zyrtar i Festivalit Folklorik të Këngës “Ferizaj 2025”. Para komunitetit artistik, familjarëve dhe publikut të gjerë, 13 garues(e) u prezantuan me këngët e tyre konkuruese.

Çmimi i Parë, “Hivzi Fazliu”, iu nda Olza Hashanit nga Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu.

Çmimi i Dytë u fitua nga Mersud Bajrami dhe u dorëzua nga Prof. Banush Imeri, ish-kryetar i Ansamblit “Kastriotët”.

Çmimi i Tretë iu dha Riola Hysës nga Mimoza Fazliu, e bija e Hivzi Fazliut.

Programi i mbrëmjes u shoqërua edhe nga pjesa artistike mbështetëse e AAKV “Kastriotët”, ku u prezantuan anekdotat e Muzafer Osmanit, performancat e lahutarit Nazmi Hajdari, solistit Alban Luzha dhe artistes së mirënjohur Fetije Terstena. Mbrëmja u përmbyll me interpretimin e këngëtares së afirmuar, Rrezarta Ramadani.

Juria e festivalit përbëhej nga Sami Piraj (kryesues), Lindita Isufi, Liridon Sadriu dhe Burim Krasniqi. Në arsyetimin e vendimit, Prof. Sami Piraj theksoi se të gjithë pjesëmarrësit ishin të nivelit të lartë, ndërsa diferencat mes fituesve i bënë disa detaje të vogla interpretative.

Organizatorët falënderuan ish-kryetarët e ansamblit, Drejtorinë e Kulturës, donatorët dhe udhëheqësit e ansambleve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për mbështetjen e vazhdueshme ndaj festivalit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Sami Lushtaku me bashkëpunëtor bën homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë

Kryetari i komunës së Skënderajt, z. Sami Lushtaku,  bashkë me kryesuesen e Kuvendit komunal, Adelina …