Osman Osmani

Osman Osmani: Mërgata duhet të jetë jo vetëm objekt i trajtimit nga Qeveritë, por edhe subjekt kryesor në këtë trajtim

Në një intervistë për TV-Diellin, veprimtari, Osman Osmani, Sekretar Nacional për Emigracionin, në Sindikatën UNIA, dhe përgjegjës për anëtarët e Evropës Juglindore, në Bern të Zvicrës, ka folur për problemet e shumta me të cilat ballafaqohet mërgata shqiptare në përgjithësi, veçmas ajo në Zvicër.

Duke qenë njohës mjaft i thellë  i rrjedhave të emigracionit në Evropë, Osman Osmani, ka segmentuar disa nga problemet me të cilat ballafaqohen emigrantët shqiptarë, por edhe të tjerë, në mungesë të interesimit të duhur të shteteve nga ku vijnë.

Osmani kërkon që mërgata të jetë jo vetëm objekt i trajtimit nga Qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës, por edhe subjekt  kryesor në qasjen dhe trajtimin e mërgatës, meqë mundësitë për bashkëveprim dhe bashkëpunim janë të shumta sidomos me Zvicër, një Shtet i fuqishëm ekonomikisht, i cili ka legjislacion shumë të  avancuar në këtë segment dhe ofron mundësi të shfrytëzimit të të drejtave të emigrantëve në përgjithësi.

Veprimtari dhe i përndjekuri politik i viteve ’80, tani zyrtar i lartë i Sindikatës UNIA, z. Osman Osmani, ka folur edhe për kontributin e çmueshëm që ka dhënë dhe jep mërgata shqiptare në Zvicrës, jo vetëm me remitenca por edhe me organizimin e aktiviteteve të ndryshme shoqërore, kulturore e arsimore, me qëllim për ta ruajtur gjallë sa më gjatë të jetë e mundur entitetin kombëtar, gjuhën, kulturën traditën, në kushte e zhvillimit të hovshëm të globalizmit dhe mega kulturave, të cilat janë në garë për dominim dhe shfrytëzim të resurseve shoqërore dhe ekonomike  që u lejon demokracia kapitaliste evropiane.

Duke folur për shtrirjen, integrimin dhe aktivitetet e shqiptarëve nga Kosova, të cilët jetojnë në Zvicër, Osman Osmani ka bërë të ditur edhe numrin e madh të bashkëkombësve tanë atje,  të cilët janë bërë pjesë e jetës së organizuar qytetare e shoqërore të këtij shteti, që ofron shumë mundësi por edhe që kërkon përgjegjësi korrektësi dhe bashkëpunim mbi principe tashmë të njohura dhe të përfillshme.

Sa i përket ruajtës së identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës, traditës, ai beson se me një angazhim më këmbëngulës, me punë dhe aktivitete të ndryshme, me përkrahje të duhur institucionale dhe të nevojshme, gjeneratat e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër nuk rrezikohen nga asimilimi, meqë Shteti jo vetëm që nuk shfaq interes në atë drejtim, por ofron edhe mundësi për diversitet kulturor, nëse nuk bie ndesh me ligjet në fuqi.

Duke ilustruar këtë segment, Sekretari Nacional për Emigracionin, në Sindikatën UNIA, Osman Osmani ka vërejtje lidhur me grupimet mbi pikëpamje fetare, të shfaqura sidomos në vitet e fundit,  dhe të cilat më parë nuk kanë qenë fare pjesë e aktiviteteve, sepse shqiptarët në Zvicër dhe kudo në Evropë,  kanë shprehur kurdoherë me prioritet   kulturën e tolerancës fetare, por në radhë të parë duke i dhënë rëndësi kombit, gjuhës traditës, me të cilat ruhet, në radhë të parë identiteti kombëtar.

Ai kërkon aksion më të fuqishëm qeveritar, veprime të bashkërenduara e të koordinuara  të ministrive përkatëse të Diasporës dhe të ambasadave, me grupet, shoqatat dhe organizatat e shqiptarëve në Diasporë,  në mënyrë që të begatohet jeta e mërgimtarëve dhe të mos lejohet të vihet në rrezik nga asimilimi i qetë dhe i heshtur, i cili vjen si pasojë  e mos angazhimit dhe mosveprimit të mjaftueshëm. Zhvillimi i teknologjisë informative, mundësitë e shumta të komunikimit, të lëvizjes së lirë, të ekonomisë së tregut dhe resurseve që i disponon demokracia në shumë shtete të Evropës, janë të nivelit që stimulojnë entitetet dhe përkatësitë kombëtare, të cilat nuk i konsiderojnë si pengesa, por si pasuri në kulturën e përgjithshme njerëzore…

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …