OVL UÇK përshëndet vendimin e Gjykatës Supreme për kompensimin e veteranëve

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila ka shfuqizuar nenin diskriminues të Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2015, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar. Në reagimin e saj, OVL UÇK thekson se vendimi rikthen drejtësinë për shumë veteranë, të cilëve, megjithëse të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore. “Gjykata Supreme ka konfirmuar se e drejta e veteranëve nuk mund të varet nga fakti nëse janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësit”, thuhet në reagim. Vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit përjashtohen, ndërsa të gjithë të tjerët në sektorin privat gëzojnë të drejtën për kompensim. OVL UÇK vlerëson se vendimi është një fitore për ligjin dhe për dinjitetin e luftëtarëve të lirisë, duke parandaluar deformimin e ligjit nga aktet nënligjore. Organizata thekson se çdo përpjekje për kufizim të paarsyeshëm të të drejtave të veteranëve bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe vlerat e luftës çlirimtare. “Ky vendim kontribuon në forcimin e shtetit ligjor dhe garantimin e të drejtave të atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës”, thuhet në përfundim të reagimit të OVL UÇK. Vendimi i Supremes shënon një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të kompensimit të drejtë për të gjithë veteranët e UÇK-së, duke hequr barrierat që kishin krijuar paqartësi ligjore. Ky akt gjyqësor përforcon parimin se të drejtave të veteranëve nuk mund t’u vihet kushte të padrejta dhe garanton zbatim të barabartë për të gjithë. OVL UÇK falënderon Gjykatën Supreme për vendimmarrjen e drejtë dhe të guximshme, që i jep besim veteranëve dhe shoqërisë në drejtësinë e shtetit.

Kontrolloni gjithashtu

Ambasadorja gjermane viziton Luginën e Preshevës: Diskutim për të drejtat e shqiptarëve

Ambasadorja e Gjermanisë në Beograd, Anke Konrad, zhvilloi sot një vizitë në Luginën e Preshevës …