Në Forumin Ndërparlamentar për Siguri të mbajtur në Capitol Hill, përfaqësues të Shqipërisë dhe të partive opozitare nga Kosova kanë kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar këtë hap si domosdoshmëri për stabilitetin rajonal dhe sigurinë euroatlantike. Nga materialet e publikuara nga aktiviteti, ku kanë marrë pjesë kongresistë dhe diplomatë amerikanë, nuk vërehet prania e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, si dhe as e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Në forum kanë qenë të pranishëm përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Pavarësisht mungesës së përfaqësimit qeveritar nga Kosova, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në adresimin e tij ka theksuar nevojën e integrimit të Kosovës në NATO, duke e lidhur këtë me sfidat gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor. Ai ka paralajmëruar për rreziqet nga përpjekjet e jashtme për të minuar stabilitetin dhe institucionet demokratike në rajon, duke theksuar se rruga euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë elemente kyçe për sigurinë afatgjatë. Sipas tij, zhvillimet aktuale kërkojnë vigjilencë, qëndrueshmëri dhe qartësi strategjike — elemente që, sipas opozitës, kërkojnë edhe angazhim më të drejtpërdrejtë institucional nga Prishtina zyrtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
