Deklaratat e fundit të ish-hetueses së Tribunalit të Hagës, Nevenka Tromp, për skenarët e mundshëm të vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë ngjallur debat, më shumë për paqartësinë sesa për ndonjë vlerë konkrete analitike. Tromp renditi tri mundësi të përgjithshme për vendimin e gjykatës speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit: lirimin e të gjithëve, dënimin e të gjithëve, ose një kombinim mes lirimeve dhe dënimeve. Por këto skenarë, që në thelb përfshijnë çdo rezultat të mundshëm, po shihen nga njohësit si një qasje e tepërt e përgjithësuar që nuk ndihmon publikun të kuptojë realisht rrjedhën e procesit Tromp pranoi se askush nuk mund ta dijë vendimin final, duke lënë të hapur çdo mundësi. Megjithatë, duke e cilësuar skenarin e tretë si “më të mundshmin”, ajo shtoi më tej spekulimet pa ofruar argumente konkrete juridike që do ta mbështesnin këtë vlerësim. Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë mbetet një nga çështjet më të ndjeshme për opinionin publik në Kosovë. Në këtë kontekst, deklarata të tilla të përgjithshme, që nuk sjellin ndonjë analizë të thelluar mbi provat apo rrjedhën e gjykimit, rrezikojnë më shumë të ushqejnë pasiguri sesa të informojnë qytetarët.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
