Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, vetëm Lëvizja Vetëvendosje garon me koalicion të gjerë, duke përfshirë GUXO-n, Alternativën dhe PSHDK-në. PDK, LDK, AAK dhe NISMA kanë vendosur të sfidojnë të vetme, me disa figura individuale dhe parti të vogla të përfshira në listat për deputet. Analisti Muhamet Hajrullahu vlerëson se mos bashkimi i NISMËS me LDK-në, ka qenë befasie, ndërsa koalicionet e VV-së me parti të vogla i quan të panatyrshme dhe të motivuara nga “pazare të fundit për vota”. Ai thotë se këto bashkime nuk kanë bazë ideologjike, por synojnë kapjen e çdo vote të mundshme.
Edhe përfshirja e Eman Rrahmanit në listën e PDK-së dhe e Ferid Aganit në listën e LDK-së, sipas tij, tregon orientim pragmatik dhe jo programor. Ndërkohë analisti Bekim Kabashi thekson se partitë kanë mësuar nga gabimet e zgjedhjeve të kaluara dhe po shmangin koalicionet që u kanë sjellë dëm. Ai përmend rastin AAK–NISMA, i cili sipas tij prodhoi më shumë humbje sesa përfitime, si dhe tensionet e brendshme në LDK nga mënyra e përpilimit të listës së deputetëve.
Partitë kanë afat deri më 7 dhjetor për të dorëzuar listat përfundimtare në KQZ.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
