Pas pesë ditësh sa ka qëndruar në paraburgim, në Tribunalin e Hagës, Florence Hartmann, ish-zëdhënëse e kryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte, sot është liruar nga arresti. Lajmin për lirimin nga paraburgimi e ka konfirmuar avokati i saj. Hartmann u arrestua më 24 mars në hyrje të ndërtesës së Tribunalit të Hagës pasi kishte ndërmend të merrte pjesë në shqiptimin e aktgjykimit ndaj të Radovan Karaxhiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid me 40 vjet burgim nga ky Tribunal. Ish-zëdhënësja e Del Pontes është akuzuar nga Tribunali i Hagës, për siç thuhet në një vendim të kësaj gjykate, për mos respektim të gjykatës për shkak të publikimit të shënimeve nga vendimet sekrete të Këshillit Ankues të Gjykatës së Hagës në lëndën e Slobodan Millosheviqit. Këto shënime ajo i publikoi në librin e saj “Paqe dhe ndëshkimi” dhe në artikullin “Fshihen dokumentet kryesore për gjenocid”.
