Gjykata Supreme ka vulosur përfundimisht se Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk i lejohet hapja e 10 qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike, ashtu siç ishte propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Pas këtij vendimi, KQZ ka njoftuar se do të zbatojë plotësisht aktgjykimin, duke u tërhequr nga plani për hapjen e lokacioneve shtesë në Gjermani, Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi se institucioni ka pranuar vendimin e Supremes dhe se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për përputhje me ligjin. PZAP më herët kishte miratuar ankesën e LDK-së, e cila argumentonte se votimi jashtë vendit mund të zhvillohet vetëm në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës. Vendimi ka shkaktuar reagime politike, veçanërisht nga Vetëvendosje. Anëtari i këtij subjekti në KQZ, Alban Krasniqi, e quajti aktgjykimin politik, duke akuzuar gjykatën se “ka folur me gjuhën e PDK-së dhe LDK-së”. Megjithatë, pavarësisht shpresave të VV-së për një pjesëmarrje më të gjerë, vetëm rreth 20 mijë votues të mërgatës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike dhe në lokacionet e propozuara fillimisht nga MPJD.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
