Partia Demokratike e Kosovës ka ngritur shqetësim serioz gjatë një takimi me të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, lidhur me një vendim të Gjykatës Komerciale që, sipas saj, dëmton rëndë interesin publik. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe deputeti Abelard Tahiri, theksuan se vendimi për të detyruar Ndërmarrjen Publike Banesore të zbatojë një kontratë të skaduar me një konsorcium privat, është i kundërligjshëm dhe cenon drejtpërdrejt taksapaguesit. PDK njoftoi se ka angazhuar avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e saj juridik për të kundërshtuar këtë vendim në Apel, duke vepruar pro bono në mbrojtje të interesit publik. Sipas Tahirit, kjo kontratë ishte lidhur gjatë mandatit të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë dhe përbën një rrezik të madh financiar për buxhetin publik.
