PDK

PDK-ja kundër idesë për korrigjimin e kufijve dhe kundër thirrjes për organizimin e një Konference Ndërkombëtare

Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për mungesën e theksuar të bashkërendimit dhe bashkëveprimit institucional për çështjet e interesit shtetëror të vendit. Ajo konsideron se një gjë e tillë është duke e dëmtuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pozicionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga qasja dhe protagonizmi i njëanshëm politik, i cili po e shpie vendin në krizë politike, në kohën kur sfidat me të cilat përballet shteti ynë kërkojnë unitet kombëtar. Pikëpamjet personale janë legjitime, por qëndrimi zyrtar dhe vendimmarrja për vendin duhet të jenë shtetërore, gjithmonë dhe në çdo rast.

Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i shtetit dhe asnjë vendim nuk ka vlerë pa marrë miratimin e deputetëve të tij. Ajo kërkon që të hiqet dorë nga deklarimet për korrigjimin e kufijve. Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga deklarimet e thirrjes së një Konference Ndërkombëtare për Kosovën. Kjo ide përmban rrezikun real të rihapjes së statusit final të Kosovës, i zgjidhur përfundimisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, si dhe rrezikun e involvimit të Rusisë në proces.

 Kosova shkon në Dialog vetëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, njohjen reciproke, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e anëtarësimit në BE dhe NATO.

Partia Demokratike e Kosovës kërkon edhe një herë nga forcat politike opozitare që t’i marrin përgjegjësisë shtetërore ndaj vendit, për çka kanë marrë votëbesimin qytetar.

Lidhja Demokratike e Kosovës ta ndalë përdorimin e gjuhës denigruese të zyrtarëve të saj dhe ikjen nga përgjegjësia shtetërore, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje të distancohet nga diskursi i saj anti-shtet dhe ta njohë shtetin e Kosovës.

Pozicioni i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë dhe i prerë: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe çdo vendimmarrje duhet të dalë dhe të legjitimohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kuadër të delegacionit shtetëror dhe platformës së përbashkët.

Në fund, çdo vendimmarrje e arritur në përfundim të Dialogut me Serbinë duhet të legjitimohet nga vullneti i drejtpërdrejtë i popullit të Kosovës me referendum dhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Hikmete Bajrami

Bajrami: Gjatë qeverisjes së Qeverisë Kurti, ekonomia ka degraduar tej mase

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka konstatuar se gjatë udhëheqjes …