Kritikat ndaj qeverisë janë ashpërsuar në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport, ku përfaqësues të Partia Demokratike e Kosovës kanë alarmuar për gjendjen në disa nga sektorët më jetikë në vend. Deputeti Mërgim Lushtaku deklaroi se situata është “alarmante pothuajse në të gjitha fushat”, duke përfshirë bujqësinë, infrastrukturën, mjedisin dhe sigurinë ushqimore. Sipas tij, mungesa e reagimit institucional dhe neglizhenca kanë prodhuar pasoja serioze, madje edhe raste me fatalitet. Ai ngriti shqetësimin për projektet infrastrukturore, duke përmendur probleme në autostradë, përfshirë rrëshqitje të dheut dhe dhjetëra ankesa nga institucionet e sigurisë, për të cilat – sipas tij – nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga ministria përkatëse. Lushtaku kritikoi edhe praktikat e kontratave njëburimore, duke lënë të kuptohet për mungesë transparence dhe mbikëqyrjeje efektive. Ai kërkoi që komisioni të mos presë vetëm planet e qeverisë, por të ndërmarrë veprime konkrete në terren për të hetuar gjendjen reale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
