PDK: s’pranon lojën e Kurtit

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatin e arritur të kësaj partie në rundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe vazhdimin e angazhimit për balotazh. Sipas njoftimit për media, PDK ka vlerësuar se “dhënia përsëri e mandatarit LVV-së përbën humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të krizës institucionale, sepse tashmë është e qartë që askush nuk e ka shumicën për ta formuar qeverinë nga kjo legjislaturë”. Në këtë mbledhje thuhet se u ri përsërit njëzëri qëndrimi se “PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV, dhe se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij ngërçi, duke u kthyer qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja”. “Kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përveç dëmit politik, ka goditur çdo sektor, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që vitin e ardhshëm qytetarët të mbeten pa paga, e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja”, u tha në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh mirënjohës për angazhimin e secilit anëtar dhe përkrahës të këtij subjekti politik “që i mundësoi partisë rikthimin në vendin e parë pas 12 viteve sa i përket votës popullore në zgjedhjet lokale me 187.526 vota, me ç ‘rast PDK ka siguruar 206 ulëse gjithsej në Kuvendet Komunale, duke lënë prapa partitë e tjera”. Krasniqi kërkoi nga Kryesia që të vazhdojë angazhimin dhe mobilizimin “për fitore në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash, ku PDK është në garë, edhe në ditët e mbetura deri në balotazhin e 9 nëntorit”.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi: Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në gjykata

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar për pesëvjetorin e arrestimit të …