Përballja e parë për Prishtinën: vizione të kundërta mes Ramës, Ismailit dhe Shahinit për drejtimin e kryeqytetit

Në debatin e parë televiziv para zgjedhjeve komunale të 12 tetorit, zhvilluar në emisionin “Rubikon” tre kandidatët për kryetar të Prishtinës — Përparim Rama (LDK), Uran Ismaili (PDK) dhe Besa Shahini (PSD) — paraqitën vizione të ndryshme për zhvillimin e kryeqytetit. Kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, e kritikoi kundërshtarin e tij Përparim Rama për projektet e mëdha që, sipas tij, janë “të paarritshme dhe të orientuara për marketing elektoral”. Ai tha se qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete për ndriçimin, pastërtinë, qentë endacakë dhe mungesën e çerdheve, jo “premtime miliona eurosh” që nuk ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme. Në anën tjetër, kryetari aktual dhe kandidati i LDK-së, Përparim Rama, mbrojti projektet e tij si pjesë të një strategjie zhvillimore afatgjatë. Ai përmendi si arritje ndriçimin e qytetit, reduktimin e numrit të qenve endacakë dhe ndërtimin e dy çerdheve të reja. “Jam kryetar i projekteve të mëdha, ndërsa zoti Ismaili merret me gjëra që i bën një drejtori. Ndërkohë, kandidatja e PSD-së, Besa Shahini, zhvendosi debatin nga infrastruktura te sfidat sociale, me theks të veçantë në koston e jetesës dhe mungesën e banesave të përballueshme. “Sot në Prishtinë, problemi kryesor është kostoja e lartë e jetesës. Familjet e reja shpenzojnë shumicën e të ardhurave për qira dhe kujdes fëmijësh. Kemi krizë emergjente për çerdhe – duhen të paktën 30 të reja,” theksoi ajo. Debati u mbyll me kontraste të qarta mes qasjeve: Rama që insiston në zhvillim të qëndrueshëm dhe projekte madhore, Ismaili që kërkon përqendrim në çështjet e përditshme, dhe Shahini që vë theksin në aspektin social e përballueshmërinë e jetesës.

Kontrolloni gjithashtu

James Rubin: Gjykata Speciale është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrollit

James Rubin alarmon për njëanshmëri në Hagë: Rastet kur gjyqtarët e Speciales u treguan tendenciozë

Ish-diplomati amerikan, James Rubin, ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi …