Dy ministre belge në vizitë në Kosovë e Shqipëri, në fokus mbipopullimi i burgjeve dhe lufta kundër krimit të organizuar

Dy ministre të qeverisë belge — ministrja e Drejtësisë, Annelies Verlinden, dhe ministrja për Azil dhe Migracion, Anneleen Van Bossuyt — kanë nisur një vizitë tre-ditore diplomatike në Shqipëri dhe Kosovë, me synimin për të diskutuar çështjet e mbipopullimit të burgjeve dhe forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas agjencisë Belga News, një nga temat kryesore të vizitës është shqyrtimi i mundësisë që Belgjika të marrë me qira ose të ndërtojë një institucion korrektues jashtë territorit të saj për personat e dënuar që nuk janë rezidentë belgë. Kjo ide synon të lehtësojë mbipopullimin kronik të burgjeve belge, që mbetet një problem i vazhdueshëm për sistemin penitenciar të vendit. Gjatë qëndrimit në Tiranë dhe Prishtinë, Verlinden dhe Van Bossuyt do të zhvillojnë takime me përfaqësues të qeverive respektive për të shqyrtuar zbatueshmërinë e këtij modeli. Ministrja Verlinden ka theksuar se kthimi i të dënuarve në vendet e origjinës do të siguronte zbatimin e drejtësisë dhe njëkohësisht do të ulte presionin mbi sistemin e burgjeve në Belgjikë. “Nëse ata që nuk kanë të drejtë qëndrimi në Belgjikë e vuajnë dënimin në vendet e tyre të origjinës, atëherë dënimi zbatohet siç duhet dhe lirohet hapësirë në sistemin tonë,” deklaroi ajo. Pjesë e agjendës është edhe nënshkrimi i një letre qëllimi për ndarjen e aseteve kriminale, që do të mundësonte kthimin e një pjese të të ardhurave të sekuestruara gjatë hetimeve të përbashkëta në buxhetin belg.

Kontrolloni gjithashtu

Rudina Xhunga rikthen në vëmendje një faqe të artë të humanizmit shqiptar

Gazetarja Rudina Xhunga solli në qendër të debatit publik një prej kapitujve më të ndritshëm …