Gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, rezultatet nuk dihen ende, për shkak të përsëritjes së votimeve në fshatin Tërnovc i Madh tç Bujanocit, si pasojë e disa parregullsive. Banorët atje do të dalin sërish në votime më 30 qershor – në përpjekjen e pestë, për ta zgjedhur përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Serbisë, të vetmin opozitar të vërtetë sikur shkruajnë me të drejtë disa qarqe në Serbi. Nga votat e shqiptarëve të ndarë në disa parti varet nëse përfaqësuesit e pakicës shqiptare në Serbi do të fitojnë mandatin e vetëm në Kuvend. Të drejtë vote në vendvotimin në Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu” kanë 1 mijë 89 votues. Sipas ndarjes së përgjithshme të mandateve, nëse lista e komunitetit shqiptar fiton një mandat, ai mandat do t’i hiqet pastaj Partisë Socialiste të Serbisë. Për këtë arsye, Shaip Kamberi, i cili udhëheq “Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës”, akuzon SPS-në se sërish po bën përpjekje të sabotojë votimin.
