“Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025. Procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme”, tregoi ai.

Elezi ka bërë të ditur se deri në ora 16:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 49 nga 57 vendvotimet, në të cilat më 28 dhjetor u mundësua votimi me kusht.

“Sipas të dhënave, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860”, ka bërë të ditur ai.

Ndërkohë, në platformën e KQZ-së për rezultate ka filluar të shfaqen edhe mandatet e fituara nga subjektet politike, sipas dinamikës së numërimit të fletëvotimeve.