Përkujtohen në 22 vjetorin e rënies dëshmorët nga Drenoci dhe Pataqani i komunës së Rahovecit  

Me rastin e 22 vjetorit të rënies heroike në fushë të nderit të Heroit të Kombit, luftëtarit të orëve të para, Feim Gashi nga Drenoci i komunës së Rahovecit, të dëshmorëve të lirisë, Përparim Thaçi nga Landovica dhe Sakip Bellaqa nga Pataqani i Epërm, bashkë me familjarë, me NËNËN HEROINË të FEIMIT e BEDRUSHIT, NËNËN BADEME, me bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka bërë homazhe në vendin ku ata ranë në pritën armike, ndërmjet Fortesës dhe Xërxës. “Lufta për çlirimin e Kosovës kishte karakter kombëtar dhe si e tillë duhet të trajtohet. Feimi, Përparimi e Sakipi u bënë fanar të rrugëtimit tonë në ardhmëri. Emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndriçoi mendjet dhe zemrat e njerëzve liridashës, ndërsa populli i përvuajtur e pranoi me tërë qenien idenë e lirisë dhe dha gjithçka nga gjiri i vet, madje edhe bijtë e vetë më të përkushtuar e më besnik. Tashmë jemi në rrugën e konsolidimit të vetes tonë si shtet, prandaj jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e shumta për ndërtimin e një sistemi funksional të vlerave, dhe nuk ka asnjë arsyetim për të mos bërë më të mirën e mundshme. Dëshmorët e shumtë, sikur na bëjnë thirrje të vazhdueshme për të bërë punë të mira për vendin dhe për të jetësuar betimin e tyre për liri. Para vetes kemi shumë punë për të bërë, por jemi të bindur se do t’ia dalim, ngase ky popull ka luftuar e mbijetuar në rrethana shumë të rënda, e shpresa për jetë më të mirë na ka shtyrë drejt të pamundurës. Lufta dhe qëndresa jonë është dëshmia më e mirë për këtë, ka thënë me këtë rast kryetari Latifi. Ai tutje ka shtuar, natyrshëm se lufta kërkon mund e sakrifica dhe humbja e njerëzve të dashur rëndon shumë në shpirtin tonë, e sidomos të familjarëve të të rënëve. Kjo peshë e humbjes dhe e mallit peshon edhe sot, por drita e lirisë është ngushëllimi më i mirë për të gjithë ne. Në këtë ditë të veçantë kur po e përkujtojmë rënien në fushë të nderit të Feimit, Përparimit dhe Sakipit, ndjenjat tona janë të përziera- mall, dhembje e krenari bashkë, sot poashtu kujtojmë edhe plagosjen rëndë të Islam Isuf Gashit. Rënia në fushë të nderit, vetvetiu ka karakterin e madhështisë dhe se ata që ranë në mbrojtje të lirisë e dinjitetit njerëzor e kombëtar, si dhe të gjithë ata që u flijuan janë heronj dhe secili do ta ketë vendin e vet në histori. Familjarëve ju urojmë krenari e dëshmorëve dhe heronjve lavdi të përjetshme!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu po merr pjesë në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale

Kryetari i komunës së Ferizajt z. Agim Aliu po qëndron në Strasbourg të Francës me …