Përparim Gruda: Prania e SHBA-së dhe BE-së në Kuvend është mesazh kundër bllokimit institucional

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas pranisë së përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në sallën e Kuvendit të Kosovës, teksa vazhdon bllokada e konstituimit të institucioneve. Deputetë të PDK-së dhe Aleancës janë mbledhur në Kuvend për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në sallë. Ndërkohë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka thirrur vazhdimin e saj. Në këtë situatë, Gruda e ka vlerësuar praninë e përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë si një zhvillim me peshë politike, duke thënë se ajo nuk duhet parë vetëm në aspektin ceremonial. Sipas tij, prania e partnerëve ndërkombëtarë në Kuvend përcjell mesazh të qartë për nevojën e respektimit të rendit kushtetues dhe funksionimit të institucioneve të Kosovës. “Prania e tyre nuk duhet parë thjesht si një detaj protokollar. Në rrethanat e krijuara, ajo ka një domethënie të veçantë politike”, ka deklaruar Gruda. Ai ka theksuar se funksionimi i Kuvendit dhe respektimi i Kushtetutës nuk duhet të varen nga interesat apo vullneti politik i një partie ose individi. Gruda ka kërkuar që procesi institucional të vazhdojë në përputhje me rregullat kushtetuese, duke e cilësuar respektimin e institucioneve si përgjegjësi të përbashkët politike. “Sot ishte një moment i ri në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ai, duke e lidhur praninë e përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend.

Kontrolloni gjithashtu

Fiknete Mazrekaj: Kur heshtja bëhet bashkëfajësi, nuk mund të hesht përballë atyre që keqpërdorin vlerat e luftës

Fiknete Mazrekaj, motër e dy dëshmorëve të atdheut, ka reaguar ashpër përmes një postimi në …