Debati për rritjen e çmimeve të naftës ka shkaktuar përplasje të ashpra mes opozitës dhe Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, ku kërkesat për ulje të akcizës dhe heqje të TVSH-së janë kundërshtuar nga kabineti qeverisës. Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur një rezolutë që parasheh uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër dhe reduktimin e përkohshëm të TVSH-së nga 18% në 8%, si dhe subvencionim për sektorë kyç si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë. Kjo rezolutë po mbështetet edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kritika të forta adresoi edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se Qeveria nuk po e merr parasysh përkeqësimin e standardit të jetesës, ndërsa shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, e cilësoi ekzekutivin si të paaftë për t’u përballur me krizën. Në anën tjetër, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka kundërshtuar këto propozime, duke treguar se ulja e akcizës dhe TVSH-së do të dëmtonte buxhetin e shtetit. Çmimi i naftës në Kosovë ka arritur deri në 1.79 euro për litër në javët e fundit, duke nxitur frikë për rritje zinxhir të çmimeve, ndërsa kriza është thelluar nga zhvillimet në Lindjen e Mesme. Si masë alternative, Qeveria synon të ndërhyjë përmes një ligji për “çmimet tavan”, ndërsa aktualisht ka vendosur kufizim të marzhës tregtare deri në 2 centë për shumicë dhe 12 centë për pakicë vendim që mbetet në fuqi deri më 4 prill.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
