Përurohen librat e Martin Çunit, “Universi i Jetës” dhe “Lulet e jetës”

Përurohen librat e Martin Çunit, “Universi i Jetës” dhe “Lulet e jetës”

Të premten, më 25 maj, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë,  përurohen veprat: “Universi i jetës” dhe “Lulet e jetës”, të autorit, Martin Çuni.

Përurimi i librave fillon në orën 12.oo, ndërsa po atë ditë, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare,  prej orës 11.00 e deri në orën 16.00 do të qëndrojë e hapur edhe ekspozita me foto, dokumente, skica e vizatime të po këtij autori.

Martin Çuni deri tani ka nxjerrë në dritë veprat:

Jetë e furtunë,

Reportazhe lufte,

Jetë për jetën,

Themele jete,

Ëndrra shëtit pa mua

Feniks në kalvar (dorëshkrim)

Universi i jetës dhe

Lulet e jetës.

Martin Çuni ka edhe disa vepra në dorëshkrim.

 

Libri “Lulet e jetës” i autorit, Martin Çuni, një përmbledhje e veçantë e letërsisë për fëmijë

 

Në përmbledhjen, “Lulet e jetës”, autori, Martin Çuni, ka radhitur “Letrat nga burgu” që ua kishte dërguar, Agronit e Teutës, birit e bijës së tij, duke filluar nga vitit 1983, kur ata ishin fëmijë e deri në vitin 1990, kur ishin rritur dhe po i vazhdonin mësimet e fillores.  Po kështu, ky libër është pasuruar edhe me vizatime e skica origjinale, të sajuara nga vetë autori nëpër qelitë e burgjeve, si  dhe faksimile, dëshmi autentike, të cilat na kthejnë në kohë, në vitet ’80-të  të shekullit  XX, kur Martin Çuni me mijëra të burgosur shqiptarë ishte degdisur nëpër burgjet e Serbisë e të Jugosllavisë, për shkak të kërkesave të tyre për liri, barazi, drejtësi e vetëvendosje.

Duke qenë edhe krijues për fëmijë, mësues dhe arsimues i brezave, letrat nga burgu që ua ka fërguar fëmijëve,  kanë një rëndësi të veçantë, sepse përmes tyre, ai është përpjekur jo vetëm të mbajë një komunikim dosido me fëmijët e mitur,  por në radhë të parë që edhe përmes letrave, të cilat  censuroheshin, nga regjimi,  të ushtronte ndikim me aq sa e kishin lejuar kushtet që fëmijët e mitur t’ i edukonte, t’ i këshillonte, t’ ua nxiste  motivin për mësim, respektin për familjen, shkollën, mësuesit e mësueset, shokët e shoqet…

Në këtë letra vërehet shpirti i ndjeshëm i krijuesit, në radhë të parë i babait, i cili në qelinë ftohtë të burgut, prore kujton familjen prindërit, bashkëshorten, të afërmit, por mbi të gjitha fëmijët e mitur, të cilët sapo kishin bërë hapat e parë në jetë, kishin përjetuar traumën e mungesës së babait, ende të rinj për ta kuptuar përse babai nuk ishte më në mesin e tyre, përse e mbanin ngujuar në një vend të largët, përse nuk vinte në shtëpi, por rrinte atje mes grilash?…

Këto letra, përveç vlerave dokumentare, sepse janë shkruar nëpër qelitë e  burgjeve,  gjithnjë në rrethana specifike dhe si të tilla  mbajnë vulën e kohës, ato kanë edhe vlera të mirëfillta letrare e artistike, pedagogjike e arsimore, sepse janë shkruar me një përmbajtje dhe qëllim të tillë.

I vetëdijshëm se prindi edukator, që kishte mësuar e edukuar qindra e qindra nxënës do t’ u mungonte  fëmijëve të vet, që sapo kishin hedhur hapat në jetë, ai mundohet, me aq sa e lejonin kushtet dhe rrethana nëpër burgje, ta plotësonte sado pak atë mungesë, sa do që  e dinte përkushtimin e prindërve dhe të bashkëshortes për fëmijët.

Përmbledhja, “Lulet e jetës”, e autorit, Martin Çuni është një libër i veçantë si për nga përmbajtja ashtu edhe temat e ilustrimet autentike, që zbulojnë një botë të pasur të ndjenjave, një kulturë të thellë arsimore e pedagogjike, të intelektualit shqiptar të kohës së viteve ’80-të, i cili në momentin e caktuar kishte ngritur zërin e ndërgjegjes politike e kombëtare dhe kishte mbrojtur me vendosmëri të drejtën kolektive të shqiptarëve në Jugosllavi për je jetuar të barabartë  në Republikën e tyre, ashtu sikur edhe popujt e tjerë….  (A. Q.)

 

Martin Çuni

Kontrolloni gjithashtu

Maja Vukiçeviq, deputetja malazeze shkakton polemika duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KE

Maja Vukiçeviq, deputetja proserbe e proruse e Malit të Zi shkaktoi polemika duke votuar kundër …